Opinione

Bashkëpunim rajonal apo izolim? (2)

Autori: Gazeta inFokus 09:58 | 27 May 2021

Kosova s’ka alternativë tjetër përpos ndjekjes së projeksioneve amerikane dhe evropiane të hapjes ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që kurrë s’do të bëhemi vëllezër me serbët, ashtu siç nuk u bënë kurrë vëllezër francezët apo polakët me gjermanët ose japonezët me kinezët apo koreanët. Por, integrimi rajonal i ekonomisë së Kosovës është kusht për perspektivë zhvillimore afatgjatë dhe të qëndrueshme. Shtete të vogla si Kosova mund të mbijetojnë vetëm të hapura dhe integruara në ekonomitë rajonale dhe globale.

Shkruan: Agron HOTI

Zvicra e Norvegjia edhe pse nuk janë anëtare të BE-së, janë pjesë integrale e Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zonës Schengen, përmes të cilave gëzojnë katër liritë e lëvizjes (njerëzve, kapitalit, shërbimeve dhe mallrave). Praktikisht, Zvicra e Norvegjia gëzojnë pothuaj të gjitha të drejtat e Shteteve Anëtare të BE-së. Imagjinoni se në çfarë vështirësish të patejkalueshme ekonomike do të ishin Zvicra e Norvegjia, sikur të mos ishin të integruara në tregun e madh të BE-së.

-Advertisement-

E Kosova, megjithë vështirësitë me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, mosnjohjen nga BE dhe 5 Shtetet Anëtare të saj, ka bërë hapat e saj të parë në integrim rajonal. Përpos hyrjes në aranzhmane politike e ekonomike rajonale, Kosova paraprakisht ka filluar të lidhet me infrastrukturë moderne me hapësirat shqiptare. Me Shqipëri jemi lidhur me autostradë moderne, energji, telekomunikacion, pritet të bëhet lidhja me infrastrukturë të gazit dhe hekurudhës. Me Maqedoni të Veriut po ashtu jemi lidhur me autostradë dhe me hekurudhë që është në modernizim e sipër sipas standardeve të BE-së. Me Serbi është në linjë autostrada Prishtinë-Nish si dhe modernizimi i hekurudhës Prishtinë-Nish. Nuk duhet harruar asnjëherë se Kosova duke qenë e sfiduar nga fqinji verior, pra nga Serbia, qe dashur të hapte bjeshkë e male për t’u lidhur me autostrada me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy rrugë këto jetike për sigurinë e Kosovës, përmes të cilave forcat tokësore të NATO-s me shpejtësi do të mund të futen në Kosovë në rast të ndonjë agresioni serb të nxitur nga Rusia. Paqen e sotme e marrim si të mirëqenë, por harrojmë ku dhe si ishin para 22 vitesh.

Në rrafshin rajonal duhet përmendur që pas përfundimit të autostradës Podgoricë-Beograd që është duke u ndërtuar nga kinezët (edhe pse me vështirësi financiare), Kosova në të ardhmen e ka mundësinë e hapur që përmes Istogut ose më shumë gjasë përmes Deçanit nëpërmjet Plavës të lidhet në Kollashin të Maliz të Zi me autostradën Podgoricë-Beograd. Të njëjtën gjë mund ta bëjë Kosova edhe për lidhje hekurudhore me Malin e Zi përmes Pejës, Deçanit, Plavës deri në Kollashin apo Mojkovac nga ku kalon hekurudha Bar-Beograd. Para se të lidhet në drejtim të Malit të Zi, Kosova pas tejkalimit të gjendjes pandemike duhet që patjetër ta ndërtojë autostradën Istog-Prizren duke i dhënë së pari dimension të ri zhvillimor Rrafshit të Dukagjinit, e cila më pas do të shkurtonte distancën për lidhje të kësaj autostrade nga Deçani nëpër Plavë në Kollashin nga ku kalon autostrada Podgoricë-Beograd.

Në rrafshin e brendshëm autostrada Prishtinë-Mitrovicë është në ndërtim e sipër ashtu sikurse është duke u modernizuar hekurudha Hani i Elezit-Fushë Kosovë-Mitrovicë-Kufi me Serbi, pastaj në ndërtim e sipër është autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë për t’u lidhur në të ardhmen me autostradën Kumanovë-Preshevë-Nish; autostrada Prishtinë-Pejë është në linjë dhe pritet të fillojnë punimet. Vetëm Mitrovica mbetet të lidhet në të ardhmen me Istog përmes autostradës si dhe Prizreni përmes Dragashit me Tetovë. Po ashtu do të zgjerohen nga dy në katër korsi rrugët hyrëse dhe dalëse në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, të cilat do t’u japin dimension të ri zhvillimor këtyre komunave duke i lidhur të gjitha me autostrada.
Pra, Prishtina brenda 3 apo 4 viteve më së largu do ta kompletojë lidhjen me infrastrukturë moderne me Gjilan, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë, ndërkohë që me Prizen dhe Ferizaj tashmë është e lidhur. Pas autostradizimit, Kosova do të duhet të kompletojë hekurudhizimin e Kosovës, pjesë të së cilave është duke i bërë tanimë. Dhe Prishtina vetëm duke qenë e lidhur me infrastrukturë moderne me Tiranë, Shkup, Podgoricë e Beograd mund të integrohet në rrjetet infrastrukturore rajonale dhe të BE-së. Sepse fundja, në këtë mes jemi, këta fqinj kemi, i deshëm apo jo, nuk do të mund të fluturojmë për të shkuar në BE. Kështu kanë bërë Parisi e Berlini me të gjitha kryeqytetet tjera dhe kjo është treguar tejet e suksesshme. Kështu kanë bërë Uashingtoni (SHBA), Meksiko City (Meksikë) dhe Otava (Kanada), që të tria në Amerikë Veriore. Shembujt të mirë kemi mjaftueshëm, prandaj vetëm duhet ndjekur ato. E në veprim mund t’i fusim vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA e BE.

Ndërkohë BE, ashtu siç ka modernizuar infrastrukturën e Spanjës, Portugalisë, Greqisë, Çekisë, Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, etj. duke derdhur miliarda EUR, duhet që me procedura të përshpejtuara të merr përsipër projektet infrastrukturore tejet të kushtueshme të edhe të Ballkanit Perëndimor dhe atij Lindor. Vetëm duke i lidhur me infrastrukturë moderne të gjitha kryeqytetet e Ballkanit dhe duke i lidhur ato me kryeqytetet e BE-së do të minimizoheshin gjasat e rrëshqitjes së rajonit kah Kina, Rusia e Turqia. Sikur BE të sipërmerrte, ndër të tjera, financimin e infrastrukturës së Ballkanit në 15 deri në 20 vitet e ardhshme, shtetet e Ballkanit do të mund të riorientonin buxhetet e tyre në zhvillimin e sektorit privat duke rritur kështu të hyrat dhe duke u bërë më konkuruese. Modernizimi i infrastrukturës, zhvillimi i sektorit privat dhe reformat e thella të vendeve të Ballkanit, të mbështetura fuqishëm nga BE do të ndikonin që Ballkani Perëndimor brenda 15 apo 20 vitesh të ishte konkurent me së paku pjesën jugore të BE-së.
Përndryshe, nëse BE vazhdon të zvarrisë procesin e investimeve në Ballkan, të kërkojë standarde, të cilat as vet nuk i plotëson, atëherë akterë tjerë si Rusia, Kina, Turqia dhe Vendet Arabe, të cilat s’pyesin fare për standarde por duan me çdo kusht tregje, do ta shfrytëzojnë, siç në fakt po bëjnë, boshllëkun e BE-së në këtë rajon. E boshllëku i BE-së është rritur dukshëm (sidomos në fushën e sigurisë së BE-së) edhe me daljen e Britanisë së Madhe. Dhe nëse BE megjithatë vazhdon me kësi dinamikash të ngadalshme, nuk duhet të befasohemi që në 15 apo 20 vitet e ardhshme të kemi një Ballkan, Evropë Jugore dhe Lindore, tërësisht të vërshuar dhe varur nga kapitali kinez, rus, turk dhe pse jo arab. E kjo do të mund ta shuante përfundimisht ëndrrën e kompletimit të projektit të Bashkimit Evropian.

Prandaj, BE ka dy alternativa. E para: Ballkani (lindor dhe perëndimor) ka afërsisht 50 milionë banorë (sa Koreja Jugore). Sipas logjikës ekonomike, nëse forcohet ekonomikisht një rajon me 50 milionë banorë siç është Ballkani, kjo sigurisht që do të mund të dëmtonte për një kohë ekonomitë e vendeve të zhvilluara të BE-së. Por, më mirë do të ishte për BE-në që ta zhvillojë Ballkanin sipas kushteve të saja pavarësisht humbjeve eventuale, sesa sipas kushteve kineze, ruse, turke apo arabe. Sepse, nëse investimet në Ballkan do të ishin kryesisht të BE-së, atëherë kapitali do të mbetej në Evropë dhe krejt në fund do të zhvillohej Evropa.

E dyta: nëse BE nuk do që ta zhvillojë Ballkanin ose vazhdon ta zvarrisë perspektivën siç po bën, pra nuk e do një “Kore Jugore” të zhvilluar në gjirin e saj, atëherë akterët joevropianë do ta mbushin këtë boshllëk siç në fakt janë duke e mbushur çdo ditë e më shumë. Nëse në rastin e parë BE do të humbte ca ekonomi në veri të saj, por do ta kishte nën kontroll Ballkanin në jug, i cili fundja shkëmbimet tregtare do t’i bënte kryesisht me BE dhe kjo prapë do t’i sillte përfitime të mëdha BE-së, në rastin e dytë BE do të mund ta ruante ekonominë e saj në veri, por do ta humbiste tërësisht Ballkanin në jug dhe kjo më pas do të godiste ekonominë dhe tërë projektin e saj politik. (Fund)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera