Opinione

Bashkëpunim rajonal apo izolim? (1)

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 26 May 2021

Fqinjët nuk i zgjedh, i ke aty pranë, deshe apo s’deshe. Po pate fatin t’i kesh të mirë, një përparësi më shumë, kurse po i pate të këqinj, një telashe më shumë. Historia e shteteve rrallë bind për fqinjësi të mirë. Nëse shikojmë veç pak historinë, më e pakta që do të dëshironin shqiptarët do të ishte bashkëpunimi me vendet fqinje, thjeshtë për faktin se të gjitha vendet fqinje kanë pushtuar toka shqiptare dhe na kanë ndarë në pesë shtete. Shqiptarët sot, gjeografikisht, më me dëshirë do të vendoseshin mes popujve të Evropës Perëndimore sesa këtu ku jemi.

Shkruan: Agron HOTI

Nuk është se mendojnë ndryshe dhe fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor. Mirëpo, edhe polakët në anën tjetër po ashtu kanë qenë trampolinë pushtimesh të tmerrshme nga mongolët, francezët, gjermanët, ukrainasit, rusët dhe se pas Luftës së Dytë Botërore me siguri që e urrenin të gjendeshin gjeografikisht mes fqinjëve pushtues, pra Gjermanisë dhe BRSS-së. Edhe Franca duke qenë në luftë të gjatë me Gjermaninë me siguri që pas Luftës së Dytë Botërore po ta kishte pasur mundësinë do të ishte vendosur mes fqinjësh tjerë, por ja që ishte Gjermania ajo me të cilën pikësëpari qe dashur ta fillonte bashkëpunimin edhe atë shumë të ngushtë.

-Advertisement-

Po të kthehej periudha parahistorike e akullnajave, ndoshta popujt do të mund të lëviznin nëpër glob për të zgjedhur fqinjët, por meqë një ëndërr e tillë është e pamundur, atëherë popujt gjënë e parë që duhet bërë është bashkëpunimi me fqinjët, pra bashkëpunimi rajonal. Kështu kanë vepruar të gjitha shtetet e BE-së dhe kështu kemi për të vepruar dhe ne në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht problemeve që kemi. Prandaj, BE në të gjitha dokumentet strategjike krahas zhvillimeve të brendshme të shteteve ka prioritizuar lartë thellimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sepse fundja një fjalë popullore thotë “kur s’i ke punët mirë me fqinj, s’mund të shkosh gjetiu”. Edhe SHBA qëndron fuqishëm përkrah bashkëpunimit rajonal, ashtu sikurse ka vepruar vetë me Meksikën në jug dhe Kanadanë në veri. Marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë në shtator 2020 është pikërisht në funksion të kësaj rend-dite, pra të integrimit të Kosovës në skemat e bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi i Kosovës me vendet fqinje s’është as Jugosllavi e vjetër e as e re, siç thuhet për interesa politike, por është e ardhmja e Kosovës dhe rajonit e mbështetur nga BE dhe SHBA.

Sipas Bankës Botërore “ndarjet midis vendeve të krijuara nga gjeografia, infrastruktura e dobët dhe politikat joefikase janë një pengesë për rritjen ekonomike. Integrimi rajonal lejon vendet të kapërcejnë këto ndarje të kushtueshme duke integruar tregjet e mallrave, shërbimeve dhe faktorëve, duke lehtësuar kështu rrjedhën e tregtisë, kapitalit, energjisë, njerëzve dhe ideve…Integrimi rajonal i ndihmon vendet të kapërcejnë ndarjet që pengojnë rrjedhën e mallrave, shërbimeve, kapitalit, njerëzve dhe ideve.”Ndërkohë,ka pasur zëra në Kosovë që nën maskën e ‘patriotizmit’ të pandehnin se ekonomia e Kosovës s’duhej integruar në atë të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas logjikës së atyre zërave i bie që tri shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu), pastaj Franca, Polonia, Çekia, Sllovakia, Danimarka, Finlanda, etj. për shkak se ishin pushtuar dhe poshtëruarnga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, s’qenka dashur të hynin kurrë në një BE të dominuar dukshëm nga Gjermania. Por, këta zëra në Kosovë nuk duhet harruar se po të mos ishin mendjet largpamëse evropiane, të cilat pavarësisht hasmërive dhe urrejtjes historike mes shteteve, Evropën e bashkuar e shihnin si të vetmen perspektive të së ardhmes. Dhe Evropa, përkundër vështirësive të shumta që kishte dhe ka edhe sot, s’do të ishte as për së afërmi ajo që është sot pa bashkëpunim rajonal mes shteteve. Dhe në fakt ashtu edhe kishte ndodhur.

Pyetja që duhet kuptuar drejt në Kosovë është se, cila do të ishte alternativa e Evropës nëqoftëse shtetet evropiane pas Luftës së Dytë Botërore s’do shtrinin dorën e pajtimit të ndjekur më pas nga një bashkëpunim i ngushtë ekonomik? A do të ishte më mirë ruajtja e kultivimi i urrejtjes dhe hasmërive të vjetra, të cilat me gjasë do të mund tarikthenin Evropën në luftë e tmerr sikurseqë kishte ndodhur para dhe gjatë dy luftërave botërore, apo hapja e perspektivës evropiane drejt asaj që e shohim sot si BE?

E po ishte pikërisht hapja e shteteve evropiane ndaj njëra tjetrës ajo që solli paqe, zhvillim dhe prosperitet afatgjatë në pjesën më të madhe të Evropës. E kjo hapje u bë pikësëpari nga vullneti politik i shteteve për bashkëpunim shumëdimensional, pra pikërisht i atyre shteteve që ishin dërmuar dhe tejngopur nga luftërat dhe tmerret që sillnin ato. E hapja ndodhi duke i lidhur qytetet dhe kryeqytetet e Shteteve Anëtare të BE-së me infrastrukturë (aeroporte, autostrada, hekurudha, energji, telekomunikacion, etj.), me bashkëpunim të ngushtë ekonomik dhe me lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. E për fat të keq, kjo mrekulli zhvillimore evropiane nuk kishte arritur të shtrihej në të gjitha pjesët e Evropës, për arsye që historikisht dihen. Pra, ishte Ballkani, rajoni kishte mbetur jashtë kësaj orbite zhvillimore evropiane, kjo për shkak të gjeopolitikës e jo siç preferojnë disa të thonë se ishte korrrupsioni ai që kishte lënë mbrapa rajonin e Ballkanit. Po të kishte qenë korrupsioni faktori kryesor që po linte shtetet mbrapa, atëherë Kina, së cilës i gurgullon korrupsioni, vjedhja e paparë e pronësisë intelektuale në tërë globin,gjenocidi ndaj minoriteteve dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut si dhe mungesa e demokracisë, s’do të bëhej kurrë ajo që është sot, ose India, Brazili, Indonezia, Meksika, Tajvani, Koreja Jugore e shumë sosh që kanë ekonomi të fuqishme gjersa vlojnë nga korrupsioni dhe shumë probleme tjera.

A mund të themi se ishte korrupsioni ai që la mbrapa botës së zhvilluar Amerikën e Mesme dhe Jugore, pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës? A mund të themi që ishte korrupsioni që la pothuaj tërë botën të varfër para Luftës së Parë Botërore? Absolutisht jo, sepse ishin rrethanat historike, konstelacionet ndërkombëtare dhe shumë aspekte tjera ato që bënin dallimin. Sigurisht që korrupsioni është diçka e keqe për një shoqëri dhe ky shkrim nuk duhet parë si stimulues apo relativizues i tij, përkundrazi, korrupsioni ka qenë, është dhe do të mbetet sfidë për tërë globin. Dhe nëse shtetet e zhvilluara me traditë shtetërore mbi 100 apo 200 vjeçare s’kanë arritur ta zhdukin korrupsionin, atëherë këtë s’do të mund ta bëjë kurrë askush. Ajo që publiku kërkon, është shprehja e vullnetit dhe përkushtimit nga shtetet që së paku ta mbajnë atë në nivele të ulëta duke e parandaluar dhe luftuar.

Përderisa BE për shkak të gjeopolitikës kishte katapultuar në gjirin e saj Ballkanin Lindor (Bullgarinë dhe Rumaninë), në anën tjetër, Ballkani Perëndimor kishte mbetur ajo vrima e zezë e Evropës, diçka që edhe sot vazhdon të jetë e tillë. E Kosova është ndër pikat më nevralgjike të Ballkanit Perëndimor, e cila me përpjekje mbi 150 vjeçare mezi ia kishte arritur që e fundit në Evropë të bëhej shtet,edhe pse ende me vështirësi në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Por, nuk duhet harruar se probleme me territore dhe konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar kanë pasur pothuaj të gjitha shtetet evropiane kur ishin në moshë të Kosovës, bile disa kanë edhe sot.

Prandaj, duke qenë se vetëm bashkëpunimi i ngushtë politik dhe ekonomik i kishte hapur rrugë integrimit evropian, edhe Ballkani Perëndimor, kishte, ka dhe do të ketëveç dy alternativa para vetes. Të vazhdojë me hasmëri e luftëra ose ta imitojë suksesin e BE-së duke u hapur plotësisht ndaj njëri tjetrit. Pa u lidhur të gjitha qytetet dhe kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor dhe tërë Ballkanit me njëra tjetrën me infrastrukturë moderne (aeroporte, autostrada, hekurudha, energji,telekomunikacion, gaz, etj.) dhe pa bashkëpunim intensiv ekonomik dhe politik si paraprijëse hapjeje dhe pa lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, perspektiva në rajon do të jetë e zymtë ashtu siç në fakt ka qenë deri me sot. Për këtë arsye BE përmes procesit të Integrimit Evropian, Paktit të Stabilitetit dhe Procesit të Berlinit si plotësuese të tij si dhe SHBA përmes Marrëveshjes së shtatorit 2020 mes Kosovës e Serbisë në Uashington kanë një qëllim të përbashkët: thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e rajonit në BE dhe ekonomi globale. (Vazhdon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera