Lajme

Banorët shqiptarë nga veriu i Kosovës, sytë dhe shpresat kah Prishtina

Autori: Gazeta inFokus 09:05 | 29 May 2017

Në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, bëjnë pjesë edhe tri fshatra shqiptare, Boletini, fshati Lipë (Kelmend) dhe ai Zhazhë, me rreth 600 banorë.

Banorët e këtyre fshatrave po përballen me kushte të rënda ekonomike dhe papunësi. Ata thonë se ka një infrastrukturë deri diku të knaqshme, por mungon subvencionimi i sektorit të bujqësisë, prej të cilit jetojnë.

Disa besojnë se pas zgjedhjeve, gjërat mund të rregullohen sado pak, por e pranojnë që jeta në këtë komunë veriore, është mjaft e vështirë për ta.

-Advertisement-

Këta banorë i bëjnë thirrje Qeverisë qendrore në Prishtinë, që t’i koordinojë projektet me Komunën e Zveçanit, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa e tyre në viset ku aktuaklisht jetojnë.

Shefi i Zyrës për Komunitete në komunën e Zveçanit, Lulzim Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të përgatis një plan në mënyrë që t’u dilet në ndihmë këtyre njerëzve të cilët po jetojnë në kushte mjaftë të vështira.

Shumica e banorëve në këto tri fshatra, jetojnë nga ndihmat sociale që kap shumën prej 65, përkatësisht 70 euro

Në të kaluarën, këta banorë kryesisht punonin në Kombinatin Trepça, por tani shumica kanë mbetur pa punë për shkak të kapaciteteve të ulëta me të cilat punohet viteve të fundit në këtë kombinat.

“Që njerëzit të jetojnë, ata duhet të kenë një ndihmë nga qeveria. Sigurisht që qeveria dhe komuna duhet t’i subvecionojnë ata në punët e bujqësisë apo sektorë tjerë, prej nga do të siguronin mjetet për jetesë”, thotë Peci.

Për një gjendje të qendrueshme ekonomike, banorët e këtyre fshatrave besojnë se do të ndikonte shumë pozitivisht ri-vitalizimi i Trepçës, duke shpreshuar se më pas do të hapeshin edhe shumë vende të reja të punës.

Haxhi Peci nga fshati Zhazhë, punon si roje në shkollën fillore “Isa Boletini”. Ai thotë se gjithë jetën e kakaluar në këtë fshat.

Sipas tij, dikur aty kishte infrastrukturë për të jetuar, por viteve të fundit atë e shqetëson fakti që në mungesë të perspektivës, të rinjtë po largohen.

“Të rinjëve nuk u pëlqen të punojnë këtu tokën, ata preferojnë të dalin jashtë shtetit. Shpresojmë se do të bëhet më mirë, por njerëzit duhet ta kuptojnë se duhet të punojnë”, thotë Haxhi Peci.

Ndërkaq, Mejdi Kelmendi nga fshati Lipë, thotë se ky fshat po përballet me shumë probleme, kurse banorët, në mungesë të përkrahjes institucionale janë lënë që të kujdesen vet për të gjithat.

“Kemi probleme me ujë e më të gjithat. Sa rregullohet, menjëherë prishen pajisjet. Nuk ka përgjegjësi, sidmos me furnizim me ujë. Thonë se ka reduktime e prishje, por kujt si intereson”, thotë Mejdi Kelmendi.

Ndërkohë, kryetari i komunitetit në fshatin Lipë, Agron Kelmendi, thotë se ka disa investime në këtë fshat, nisur nga ujësjellësi erryma dhe shërbime tjera, ndërkaq po punohet edhe në një projekt rrugor për lidhjen e fshatrave mes vete.

Aktualisht, Kosova është në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, kurse në vjeshtë do të mbahen edhe zgjedhjet komunale, andaj Kelmendi pret që të ketë disa lëvizje pas formimit të institucioneve të reja.

“Presim që faktori politik i Kosovës t’i zgjidhë shumë çështje që kanë mbetur pezull, pikë së pari për liberalizimin e vizave dhe punësimin, çka na intereson më së tepërmi”, thotë Agron Kelmendi.

Sa i përket veriut të Kosovës, ai pret që të dyja nivelet e pushtetit të krijojnë kushte për lëvizje ët lirë në drejtim të jugut dhe veriut të Kosovës.

Pjesa veriore e Kosovës, përbëhet nga katër komuna me shumicë serbe. Ndërkaq shqiptarët, të cilët në pjesët tjera të Kosovës përbëjnë shumicën, në veri banojnë në numër më të vogël nëpër disa fshatra të këtyre komunave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera