Banorët e Kalabrisë: Shpend Ahmeti nuk po i jep pesë pare për ne
Autori: Gazeta inFokus 13:51 | 01 September 2018
Ura në lagjen Kalabria të Prishtinës prej kohësh është dëmtuar duke bërë që njerëzit dhe automjetet të mos mund të kalojnë mbi të.
E më së vështiri e kanë banorët e rrugës “Rexhep Krasniqi”, prapa kompleksit “Prishtina Star”, të cilët çdo ditë ballafaqohen me erën e pakëndshme të përroskës, e madje edhe mbeturinat e shumta aty.
Sikur të mos mjaftonte kjo, nga dëmtimi i madh i urës, gjegjësisht shembja e saj, uji i përroskës ka dalë mbi të, duke formuar një pus kundërmues. Ndërsa të paktë janë ata që tentojnë ta kalojnë e që ia dalin mbanë.
Banorët e kësaj zone fajin për të gjitha këto ia hedhin komunës së Prishtinës, gjegjësisht kryetarit Shpend Ahmeti, i cili sipas tyre kishte vizituar lagjen vetëm në kohë fushate, ku u kishte kërkuar votën ‘derë më derë’.
Banorja e kësaj lagje, Nakije Raifi ka shprehur shqetësimin e saj jo vetëm më pamundësinë për të kaluar matanë ure, por edhe për pasojat shëndetësore që mund të vijnë nga kundërmimi i ujit të ndotur.
Ajo ka akuzuar Ahmetin se e ka lënë këtë pjesë të qytetit aq keq, sa që e ka quajtur “katund në mes të Prishtinës”.
“Ju e pat vet era qysh po vjen. S’ke çka del në oborr prej erës, prej mushkonjave. Nevojat e krejt qytetit këtej kalojnë, askush parasysh s’po e merr, askush s’po vjen këndej me kqyrë. ‘Po e rregullojmë’- po thotë Shpendi, por veç votat po i merr, pesë pare nuk i jep. E ka rrok ‘Matin 1’ në atë anë, për këtej poshtë hiç nuk po mendon, e ka lënë si katund në mes të qytetit”, u shpreh ajo.
Tutje, Raifi ka treguar për KosovaPress se lagja ku jeton ka edhe të tjera probleme, madje edhe mungesë të ndriçimit gjatë natës, për çka kryetari Shpend Ahmeti pati thënë se është angazhuar maksimalisht për këtë çështje, porse të tjerët po ia sabotojnë punën.
“Vështirë është këtej me kalu. Unë për vete ka më shumë se një muaj e ma tepër që nuk kam kalu në atë anë. Po shkoj më poshtë, po i bij rrotull. Shoku, kur ra shi, tu ardhë ka ra aty, lumë s’është, i ndytë është. Nuk e ka marrë askush parasysh, edhe pse e kemi thirr në telefon emergjencën e komunës, as nuk vijnë me këqyrë as kurgjo hiç. As drita nuk ka ndriçim këtu, as polici nuk ka, sa herë kanë hy hajnat”, tha Raifi.
E zhgënjyer me komunën e Prishtinës, Raifi nuk pret që të përmirësohet gjendja në atë pjesë. Ndonëse thotë se sanimi i kësaj përroske është urgjent.
Ndërsa banori tjetër i lagjes “Rexhep Kraniqi”, Haki Shkodra, ka rrëfyer për KosovaPress se kjo zonë njëherë kishte qenë më mirë, porse periudha në fjalë asocionte kur vet ai kujdesej për urën dhe jo komuna.
“S’ka punëtorë, s’ka njerëz që angazhohen për këtu se secili bizneset e veta, korrupsioni e qeto. A na sa jemi kanë, ma pak shpi, vet kontribut kemi dhanë. Edhe këta, edhe atë me ndihmën e Sahit Shalës që u kanë si shpianik këtu, këta dy tre herë e kemi bërë vet…. Po qesin edhe bërllok, ndoshta jeni kanë e keni parë. Një dyshek është aty, merre me mend, ia ka qit gomën sipër mos me e çu ujin dhe me e hjek”, tha ai.
Për aromën e pakëndshme që mbizotëron në atë pjesë, Shala thotë se e kanë shumë të vështirë të rrinë në oborret e shtëpive, madje shton se as pemët nuk janë të sigurta për konsum.
“Edhe kerret që po e bajnë, edhe veri kur frynë, qysh të frynë fryma, për 500 metra andej e këndej e konsumon atë erë”, tha ai.
Derisa drejtori i Investimeve kapitale në komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti nuk iu është përgjigjur thirrjeve të KosovaPress-t, Adonis Tahiri, zëdhënës i komunës, ka justifikuar vonesat e komunës për të zgjidhur këtë çështje me arsyetimin se njëherë duhet të pritet ndërtimi i kolektorit që po bëhet në atë zonë.
“Ura në lagjen Kalabria është në pjesën ku do të punohet kolektori. Për këtë arsye duhet të presim përfundimin e kolektorit në atë segment, në mënyrë që të bëhet rrugë e kalueshme. Deri më tani kemi pasur vonesa për shkak të problemeve pronësore që janë në këtë pjesë, probleme këto që janë afër zgjidhjes”, ishte përgjigjja e tij.
Ndryshe, derisa ekipi i KosovaPress-it po qëndronte aty, vetura të shumta vinin e ktheheshin pas, pasi nuk kishin mundësi të dilnin në anën tjetër të rrugës.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...