Lajme

Banorët e Deçanit tregojnë tmerrin pas helmimit i cili dyshohet që erdhi nga uji

Autori: Doresa Geci 14:10 | 13 July 2021

Numri i personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore në Deçan po shtohen çdo orë.

Nga dita e shtunë deri tani qindra persona kërkuan ndihmë, e shumë prej tyre gjendja iu rëndua.

Banorët e disa fshatrave po dyshojnë se u helmuan nga konsumimi i ujit të ujësjellësit që në këto anë e sjell Hidro-Drini.

-Advertisement-

Të vjellura, marramendja e diarre janë vetëm disa nga simptomat që Blerim Selmanaj nga Deçani i kishte pasur pasi po dyshohet që është helmuar.

Selamanj i cili ka 55 vjet tash e disa ditë nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

55 vjeçari nga fshati Rastavicë e Deçanit ka rrëfyer për Gazetën Infokus se si u helmuan nga uji.

“Unë jam duke shkuar prapë për në Qendrën e Mjekësisë Familjare, sot jam përsëri më probleme shëndetësore dhe familjarisht jemi të helmuar si dhe i gjithë fshati. Gjendja është pak stabile por unë personalisht nuk jam mirë. Na kemi simptoma të barkkëqijtë dhe të vjelljes, turbullim në lukth”, deklaroi Selmanaj për Gazetën Infokus.
Ky është i bindur se helmimi erdhi nga uji i ujësjellësit.

“Fillimisht u helmua djali i madhe e kamë marrë, dhe me tha që jam frytshëm në bark dhe kam mundim. Dhe kur jam ardhur në QKMF i kam gjetur nja 30 vetë duke pritur në vend. Edhe duke i njohur banorët e atyre lokaliteteve e kam marrë veshe që është helmim më ujë dhe nuk ka dyshim që ka diçka tjetër. Ka katër ditë që uji është duke ardhur i turbullt.”, ka deklaruar Selmanaj për Infokus.

E të njëjtin fat sikurse ai janë edhe 12 familjarët e tij.

“Jemi 12 anëtarë dhe të gjithë jemi të prekur nga helmimi, unë jetoj bashkë më vëlla, anëtaret tjerë janë në gjendej ma stabile edhe djali i vëllai është pak ma keq edhe unë”, ka treguar ai.

Selmanaj thotë se të gjitha barnat po duhet që të i blejnë vetë për shkak të mungesë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan.

Ndërsa Shkumbin Lushaj nga fshati Shaptej i cili po ashtu është i helmuar thotë se ka pasur simptoma të njëjta.

“Pak a shumë ka fillu të shtunën disa simptoma por nuk janë marrë serioze nga ana e jonë. Kemi menduar që është helmim sezonal apo ndonjë ushqim. Ndërsa të dielën filluan simptoma më shfaqë më të renda marramendje vjellje apo edhe diarre barkkëqijtë. Dhe po dyshojmë që jemi të helmuar nga uji kur e pamë që edhe në fshati të tjera një numër i madh i i persona që kishin simptoma sikurse unë dhe familja ime. Gjashtë nga familjaret janë helmuar” ka thënë Lushaj.

Edhe ky është i bindur se shkaktar u bë uji.

“Tash për tash vetëm motra është në gjendje pak më të rëndë ka marramendje dhe ka të vjella, të tjerë jemi në gjendje me stabile. Uji ka disa kohë që nuk po vjen i pastër, ka shumë gjëra të imëta që po vërehen në fund të gotës kur po e mbushim është i turbullim”, ka deklaruar Lushaj për gazetën Infokus.

Madje banorët e Deçanit po akuzojnë qeverinë e presidencën për mungesë të interesimit.

“Edhe një shqetësim që as Qeveria as Presidenca nuk është marrë me neve deri sot. Na kërkojmë që të paktën ata të interesohen për ne të shohin a ka barna apo nuk ka. Unë i kam kushtet për me ble barnat, por ka person që nuk kanë asnjë infuzion me ble”, ka thënë Blerim Selmanaj.

Ndryshe, Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente pas helmimit të mbi 1 mijë personave për të cilët ende nuk ka ndonjë raport zyrtarë se si u helmuan./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera