Banka Botërore: Ekonomia globale mund të hyjë në recesion
Autori: Gazeta inFokus 07:29 | 11 January 2023
Banka Botërore paralajmëroi të martën se ekonomia globale rrezikon të futet në recesion këtë vit, ndërsa po ndikohet nga rritja e dobët e vendeve me ekonomitë më të mëdha – Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina.
Në raportin vjetor të Bankës Botërore, e cila jep kredi për projekte zhvillimi në vendet më të varfëra, thuhet se pothuajse ka përgjysmuar parashikimin e saj për rritjen globale këtë vit, nga fillimisht e parashikuar në 3%, tashmë në nivelin 1.7%.
Nëse ky parashikim rezulton i saktë, kjo do të ishte rritja e tretë më e dobët vjetore në tre dekada, duke u radhitur pas recesioneve të thella që rezultuan nga kriza globale financiare e vitit 2008 dhe nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara mund ta shmangin recesionin këtë vit – Banka Botërore parashikon se do të ketë rritje me 0.5% . Dobësia globale do të përbëjë një tjetër përshtjellim për bizneset dhe konsumatorët amerikanë, që përballen tashmë me çmime të larta dhe nivele të larta të normave të interesit.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga ndërprerje të mëtejshme që mund të ketë në zinxhirin e furnizimit në rast se vazhdon të përhapet COVID-19, apo nëse ashpërsohet lufta në Ukrainë.
Evropa, një ndër eksportuesit kryesorë drejt Kinës, do të vuajë pasojat e një ekonomie më të dobët kineze.
Raporti i Bankës Botërore gjithashtu vë në dukje se rritja e normave të interesit në ekonomitë e zhvilluara, si në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, do të largojë kapitalin e investimeve për vendet më të varfëra, duke dëmtuar interesat jetike të atyre vendeve.
Raporti thotë se në të njëjtën kohë normat e larta të interesit do të ngadalësojnë rritjen në vendet e zhvilluara, në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në mbarë botën.
“Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shtuar kosto të reja madhore”, tha gjatë një telefonate me gazetarët Presidenti i Bankës Botërore David Malpass. “Perspektiva është në veçanti shkatërrimtare për shumë nga ekonomitë më të varfëra, ku zbutja e varfërisë është ndalur tashmë dhe qasja tek elektriciteti, plehrat kimike, ushqimet dhe kapitali pritet të vazhdojë të jetë e kufizuar për një periudhë të zgjatur”.
Pasojat e një rënieje globale do të ishin veçanërisht të rënda për vendet më të varfëra në rajone si Afrika Sahariane, ku gjenden rreth 60% e të varfërve të botës. Banka Botërore parashikon se të ardhurat për frymë do të rriten me vetëm 1.2% në vitin 2023 dhe 2024, një nivel i dobët ky që mund të shtojë nivelin e varfërisë.
“Dobësitë e rritjes ekonomike dhe mungesa e investimeve do të kenë pasoja shkatërrimtare në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si dhe kërkesat e shtuara për shkak të ndryshimit klimatik”, tha zoti Malpass. “Përballja me përmasat e këtyre sfidave do të kërkojë gjithnjë e më shumë burime domethënëse për zhvillim dhe për furnizime për publikun global”.
Zoti Malpass tha se krahas përpjekjeve për të gjetur financime të reja në mënyrë që t’u ofrojë më shumë kredi vendeve të varfëra, Banka Botërore po përpiqet ndër të tjera të përmirësojë kushtet e kredidhënies, duke rritur kështu transparencën e kredive “në veçanti për atë pjesë të vendeve të varfëra që gjenden në situatë jo të qëndrueshme borxhi”.
Raporti vjen pas një parashikimi të ngjashëm pesimist të bërë një javë më parë nga Kristina Georgieva, drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që funksionon si agjencia globale e kredive. Duke folur për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, zonja Georgieva vlerësoi se një e treta e botës do të bjerë në recension këtë vit.
“Për pjesën më të madhe të ekonomisë botërore, ky do të jetë një vit i vështirë, më i ashpër se viti që lamë pas”, tha zonja Georgieva. “Pse? Sepse tre ekonomitë më të mëdha – SHBA, BE, Kinë – po ngadalësohen në të njëjtën kohë”.
Banka Botërore parashikon se ekonomia e Bashkimit Evropian nuk do të rritet fare vitin e ardhshëm, pasi pati një rritje prej 3.3% në vitin 2022. Raporti parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet me 4.3%, gati një pikë përqindje më pak nga parashikimi fillestar dhe pothuajse sa gjysma e nivelit që kishte publikuar Pekini në vitin 2021.
Banka Botërore mendon se vendet në zhvillim do t’ia dalin mbanë më mirë, duke u rritur me 3.4% këtë vit, nivel i njëjtë me vitin 2022, megjithëse do të jetë vetëm gati sa gjysma e rritjes së vitit 2021. Rritja e ekonomisë së Brazilit do të bjerë në 0.8% në vitin 2023, ndërsa vitin e kaluar ishte në 3%. Ekonomia e Pakistanit pritet të rritet me 2% këtë vit, sa një e treta e rritjes së vitit të kaluar.
Ekonomistë të tjerë kanë bërë gjithashtu parashikime të zymta, megjithëse shumica e tyre jo kaq të errëta. Ekonomistët në bankën JPMorgan parashikojnë një rritje të ngadalësuar këtë vit për ekonomitë e përparua dhe për botën në tërësi, por nuk mendojnë se do të ketë recension. Muajin e kaluar, banka parashikoi se ngadalësimi i inflacionit do të rrisë aftësinë e konsumatorëve për të shpenzuar dhe do të fuqizojë rritjen në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.
“Rritja globale do të bjerë, por nuk do të ndalet”, thotë raporti i bankës JPMorgan.
Të tjera
-
O’Brien: SHBA do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës që të ketë sukses në aspiratat e saj
Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazi...
-
Pas tri javësh, rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në rastin “Thaç...
-
Gjendja e rrugëve drejt pikave kufitare e kalueshme, por pajisjet dimërore të domosdoshme
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur gjendjen e rrugëve që ...
-
Arrestohet një i dyshuar për dhunë në familje në Gjakovë
Një person është arrestuar në Gjakovë për dhunë në familje. Ai dyshohe...
-
Vazhdon periudha e aplikimit për akreditimin e mediave dhe vëzhguesve- Si bëhet aplikimi?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e apli...
-
Ia gjetën një snajper në shtëpi, Policia e arreston e më pas e liron burrin në Deçan
Një person është arrestuar e më pas është liruar pasi në shtëpinë e tij është...
-
Arrestohen dy persona në Lipjan, dyshohen për shitje narkòtikësh
Dy persona janë arrestuar pasi njërit i janë gjetur 10 qese të vogla me marih...
-
PDK sot mban tubim elektoral në Ferizaj
Pas hapjes së fushatës zgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbaj...
-
Moti sot: I vranët dhe me reshje të borës, temperaturat deri në 0 gradë Celsius
Ko Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë mot...
-
Dervishaj: Më nuk ka kthim pas, vetëm përpara
Kandidati nga diaspora me numrin 77 nga Partia Demokratike e Kosovës, Shahin ...
-
Aksidentohet autobusi në Gjermani, dy persona vdẹsin e katër lëndohen rëndë
Dy persona humbën jetën dhe katër u lënduan rëndë kur një autobus u përmbys n...
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore të intens...