Lajme

Ballkani Perëndimor, Kos pret përparim të madh në procesin e zgjerimit

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 16 April 2025

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se vitin aktual dhe në vitet në vijim, ekziston një mundësi reale për përparim të madh në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas saj, ky përparim është teknikisht i realizueshëm, por do të varet nga vullneti politik i vendeve anëtare.

“Nga ana jonë, mund të bëjmë shumë. Mund të hapim të gjitha grupet e negociatave me Shqipërinë brenda këtij viti, po ashtu edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Nga aspekti teknik, jemi të gatshëm për këtë – përfshirë shqyrtimin dhe përgatitjen e raportit për Këshillin. Por në fund, vendimi i takon shteteve anëtare”, ka deklaruar Kos në një intervistë për Newsroom European, pjesë e së cilës është edhe agjencia Hina, transmeton Klan Kosova.

Ajo ka theksuar se çdo hap në këtë proces kërkon konsensus të plotë nga të gjitha shtetet anëtare – një proces që për çdo vend kandidat përfshin deri në 150 vendime unanime.

-Advertisement-

Rreth gjysma e vendeve anëtare janë në favor të kalimit në një model të vendimmarrjes me shumicë të cilësuar, por edhe për këtë ndryshim nevojitet konsensus i plotë, gjë që e bën procesin kompleks.

Sipas Kos, ndryshimet gjeopolitike kanë sjellë një dinamikë të re në procesin e zgjerimit. Kjo valë e mundshme zgjerimi, ndryshe nga të mëparshmet, përmban edhe një dimension të rëndësishëm të sigurisë.

Duke folur për perspektivën konkrete të vendeve kandidate, ajo theksoi se disa prej tyre mund të anëtarësohen deri në vitin 2030. Për Malin e Zi, i cili tashmë ka hapur të gjithë kapitujt negociues dhe ka mbyllur disa prej tyre, Kos vlerëson se negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Pas kësaj, do të duhen edhe dy deri në tre vjet për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit, shkruan Gazeta Infokus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera