Lajme

“Balena Blu” në Shkodër, Kisha jep alarmin për 4 raste

Autori: Gazeta inFokus 10:38 | 16 June 2017
Predikimin në katedrale Dom Jaku ia ka kushtuar rrezikut të kësaj loje, si dhe thirrjes për prindërit që të ruajnë fëmijët nga ekspozimi në internet. “Ju lutem prindërve, kontrolloni fëmijët”, është shprehur Dom Jaku
“Mos luani me Balenën Blu”. Famulltari i Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër, Dom Artur Jaku ka dhënë alarmin se loja “Balena Blu” është përhapur edhe në Shkodër, me tre raste të dyshuara. Gjatë meshës së djeshme, ai ka sjellë dëshmi nga besimtarët. “Vetëm sot (dje) kam pasur disa raste nga fëmijë që frekuentojnë kishën, njëri prej të cilëve më ka thënë se motra ime e ka prerë dorën për të bërë shenjën e balenës, duke rrezikuar të presë damarët. Unë di dhe raste të tjera që përbëjnë një rrezik të jashtëzakonshëm”, ka thënë Dom Jaku.

Predikimin në katedrale Dom Jaku ia ka kushtuar rrezikut të kësaj loje, si dhe thirrjes për prindërit që të ruajnë fëmijët nga ekspozimi në internet. “Ju lutem, edhe ju fëmijëve që jeni këtu, por sidomos prindërve, kontrolloni fëmijët. Nuk mjafton t’i blini fëmijës një telefon dhe ta lini të bëjë ç’të dojë. Nuk mund t’i blini një kompjuter e ta lini të bëjë ç’të dojë. Ju lutem bëni kujdes”, është shprehur ai.

Loja

“Balena Blu”, e cila sa vjen e merr një përdorim të madh, është kthyer në problem serioz në familjet shqiptare. Sipas psikologëve, kjo lojë ka marrë përmasa të mëdha më vende të vogla të Shqipërisë, aty ku edhe informacioni i prindërve është më i cunguar. Ndërsa, mësohet se në Tiranë nuk është denoncuar asnjë rast ku fëmijët kanë rënë pre e lojës famëkeqe. Sipas informacioneve të Policisë së Tiranës, ditën e mërkurë është referuar një rast, ku “Balena Blu”, i kishte shkruar një fëmije 10 vjeç. Por sipas Policisë, ky fëmijë fatmirësisht nuk është viktimë e kësaj loje, por fatmirësisht ai e referoi rastin në organet kompetente.

-Advertisement-

Nga ana tjetër, burimet nga policia theksojnë se “Balena Blu”, është kthyer në një lojë paksa tallëse mes të rinjve. Pasi, shumë prej tyre hapin adresa false në Facebook me emrin “Balena Blu”, dhe u shkruajnë shokëve të tyre për t’i trembur ata. Por çfarë shenjash duhet të dallojnë prindërit te fëmijët e tyre? nëse fëmijët janë duke luajtur me lojën “Balena Blu” thonë psikologët, ata zgjohen herët, vetëvriten tek krahët që në psikologji quhet vetëdëmtim dhe shumë veprime të tjera në dëm të shëndetit të tyre. Por, nga ana tjetër, psikologët thonë se duhet shumë kujdes pasi kurioziteti i fëmijëve mund të bëhet edhe më i madh. Dhe rreziku mund të vijë edhe nga ata që mund të kopjojnë “Balenën blu”.

“Këto janë fenomene shumë delikate pasi informimi është i rëndësishëm por ka pasoja negative sepse mund të krijojë një trend që të luhet mes fëmijëve. Aplikacioni mësohet se është vetëm në anglisht. Psikologët i bëjnë thirrje prindërve të tregohen të vëmendshëm dhe të mos neglizhojnë asnjë shfaqje të ndryshme në sjelljen e fëmijëve të tyre. Loja vdekjeprurëse e “Balenës blu”, nis me sfida tepër të thjeshta. Fëmijët, shpjegojnë psikologët, veprimet që iu diktohen për t’u kryer i marrin si një provë force. Arsye kjo që i bën të bien në kurth pa u menduar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera