Lajme

Balaj: Prokuroria të vijë edhe në Telekom, ka fakte të mjaftueshme për korrupsion

Autori: Gazeta inFokus 15:19 | 25 February 2021

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të PTK-së, Lamih Balaj, po e quan të çuditshme neglizhencën e institucioneve të Kosovës karshi gjendjes në të cilën gjendet kjo ndërmarrje publike.

Balaj thotë se pas shkresave zyrtare që u kanë drejtuar krerëve të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur që të njëjtëve t’iu drejtohen edhe me një letër publike, por që thotë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ai bëri të ditur se vetëm sot punëtorët e Telekomit, kanë arritur të marrin pjesën e dytë të pagës së muajit janar. Ndërsa, shprehet se rrezikojnë që pagat e muajit shkurt të mos arrijnë t’i marrin. Balaj në një intervistë për KosovaPress, ka ftuar edhe një herë Prokurorinë e Shtetit që të hetojë të gjitha kontratat e dëmshme që e kanë sjell Telekomin në këtë gjendje. Të njëjtën kërkesë, ai thotë se e kanë edhe ndaj krerëve të institucioneve të Kosovës.

-Advertisement-

“Unë besoj që është neglizhuar shumë, prej vet faktit që qeveritë në vazhdimësi janë të informuara për gjendjen në Telekom, e dinë sa ka të hyra Telekomi, e dinë në bazë të asaj sa ka dhënë dividendë dhe që sa kohë nuk jep dividentë, e dinë gjendjen nanciare tejet të rënduar, kontratat e dëmshme të nënshkruara. Mosgatishmëria e tyre është për çudi po e them, gjithashtu kisha mundur të them që edhe ministritë e dikasterit nuk kanë qenë serioz”, thotë ai.

Balaj shtoi se ka dëshirë që të shoh kryeprokurorin e Shtetit në një aksion në Telekom, siç ka qenë ai i djeshmi në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ku janë konskuar mbi 400 mijë euro e arrestuar 12 persona.

Ai thotë se edhe në këtë ndërmarrje ka fakte dhe argumente të shumta për vepra korruptive, madje thekson se për të mbledhur të gjitha faktet Prokurorisë i duhet të vendos tenda para kësaj ndërmarrje për dy ditë.

“Unë kisha pas dëshirë me e pa kryeprokurorin sepse ka fakte dhe argumente, kanë prokurorët në Prishtinë dhe në regjione lëndë të mjaftueshme për ta hetua Telekomin dhe kontratat e dëmshme. Unë kisha pas qejf me e pa kryeprokurorin edhe para Telekomit me një aksion të tillë dhe po e them ndoshta pak për çudi iu vjen, por ndoshta nja dy ditë ish deshtë me i ngrit çadrat para Telekomit, aq sa kanë punë këtu. Ne i kemi të argumentuara mbi 300 milionë dëme që na janë shkaktuar dhe akoma askush nuk është arrestuar për këto lëndë të cilat e kanë sjellë në këtë gjendje kompaninë tonë”, thotë ai.

Në letrën që kjo sindikatë i ka drejtuar udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, përmenden kontratat që ndër vite janë nënshkruar e që e kanë renduar gjendjen e kësaj ndërmarrje.

Balaj tha se si punëtorë të Telekomit janë solidarizuar me gjendjen duke ulur në 65 përqind pagat,por që thotë se nuk janë përkrahur nga qeveria e vendit.

“Qeveria na ka tradhtuar në një farë forme pas mbylljes së protestave po atë natë e ka nënshkruar një kontratë, ia ka pranuar borxhin kompanisë Z-Mobile, edhe pse ne kemi kërkuar me ankimu në Gjykatë sepse nuk ka qenë e drejtë, qeveria nuk e ka bërë një gjë të tillë edhe pse është aksionar 100 përqind. Neve po na detyron rreth 742 mijë euro në muaj me ia pagua si dëme kompanisë Z- Mobile edhe pse ia ka pranuar borxhin qeveria ne emër të asaj që ne kemi me ju ndihmu për ta kaluar këtë borxh, tashmë dikun 20 deri në 25 përqind të të hyrave mujore shkojnë për ish kompaninë Z-Mobile”, thotë Balaj.

Gjendja e rënduar në Telekom, Balaj potencon se po ndikon edhe tek punëtorët. Ai thotë se vetëm sot kanë arritur të marrin pjesën e dytë të pagës së janarit.

“Duhet qeveritë me i hapë sytë, nuk duhet me na lanë në një gjendje të tillë ku ne sot në vitin 2021 nuk kemi mundësi me i marrë pagat. Sot është data 25 dhe po e them për juve ekskluzivisht sot janë ekzekutuar pjesa e dytë e pagave brenda Telekomit të Kosovës dhe këtë mund ta them 80 përqind të punëtorëve janë në kredi. Është paga e janarit, pjesa është e pagës së janarit kjo pjesa e dytë sepse për muajin shkurt unë besoj që ka me qenë edhe më vështirë sesa muaji janar. …

Ndoshta është momenti i fundit që me një ndihmë solide kisha mundur të them, kështu ndoshta jo financiare po me një garancion bankar që ne do ta mbulonim vetë si Telekom me na ndihmuar që ne me dalë prej kësaj krize”, thotë ai.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së, dje ka kërkuar shpëtimin e Telekomit të Kosovës përmes një letre publike drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Muharrem Nitaj, kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, departamentit për Krime Ekonomike dhe Policisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera