Lajme

Balaj-Halimaj: S’ka marrëveshje finale me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve

Autori: Gazeta inFokus 18:06 | 09 October 2020

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj pasditen e së premtes ka vizituar shoqatën “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë. Prej aty, ajo ka thënë se nuk do të ketë marrëveshjen finale me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve.

Për më tepër, Balaj-Halimaj ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos mjaftohet me një deklaratë kundër Daçiqit, që ditë më parë kërcënoi serbët që tregojnë krimet e shtetit të tij në luftën e fundit, por të ndërpresin çdo komunikim me kriminelë të tillë.

“Jam sot në Gjakovë për të dhënë mbështetje të plotë dhe të pa rezervë shoqatës ‘Thirrjet e Nënave’ sepse nuk ka kuptim liria për ta dhe për ne si shoqëri pa u zbardhur fati i të pagjeturve. […] Deklaratat e kriminelit Daçiq i cili i kërcënoi haptazi dhe në mënyrë direkte qytetarët serbë të cilët duan të tregojnë për vendndodhjen e varrezave të shqiptarëve në Serbi ka qenë nxitje që të vij këtu. Nga kjo shoqatë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos mjaftohet me një deklaratat kundër Daçiqit, por të ndërpresë çdo komunikim me kriminelë të tillë. I sigurojmë që nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve, pa dhënë llogari dhe pa u dënuar”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Ndërsa, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, duke kujtuar vuajtjet e tyre përsëriti qëndrimin që të pagjeturit janë rrëmbyer, vrarë, zhdukur dhe mbahen nga Serbia.

Ajo përsëriti kërkesën që së paku dy nëna të bëhen pjesë e delegacionit kosovar në në bisedimet me Serbinë.

“U bën 21 vite ne u harxhuam duke trokitur në çdo derë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Pasi që gjithherë është ditur se nga kush janë vrarë, rrëmbyer e zhdukur dhe mbahen ende në varrezat e Serbisë. Është injorim shpirtëror për të gjitha familjet. […] Kërkoj që së paku dy nëna të marrin pjesë në delegacionin për bisedime që mbahet në Bruksel, që ndërkombëtarët të dëgjojnë dhe të bëjnë presionin e duhur. Por kërkojmë që edhe kriminelet të marrin dënimin e merituar”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, sot ka vizituar edhe Komunën e Malishevës, ku janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj dhe kabineti qeveritar komunal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera