Lajme

Bajrami: Kurti të japë dorëheqje, nuk i bëjmë favor me shpërndarje të Kuvendit

Autori: Gazeta inFokus 09:14 | 19 May 2024

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqqeverisje në ekonomi dhe sektorë të tjerë, për çka thotë se kryeministri duhet të jap dorëheqje pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Kështu deklaron deputetja Bajrami në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se gjatë qeverisjes së qeverisë Kurti, ekonomia ka degraduar tej mase. Ajo fajëson partinë në pushtet për mungesën e investimeve të huaja direkte.

Bajrami si dështime të tjera përmend rritjen e inflacionit, ikjen masive të qytetarëve nga vendi, sanksionet e BE-së e të tjera.

-Advertisement-

Ajo ka folur edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, për çka u shpreh e bindur se do dalin të parët në këtë proces zgjedhor.

Derisa rendit disa nga dështimet sipas saj të qeverisë aktuale, Bajrami kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Ajo thotë se janë të gatshëm për zgjedhje, derisa shprehet e bindur se do të dalin të parët.

“Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës. Për shkak se ka 6 muaj tashmë që ne kemi mbajtur konventën dhe kemi lansuar programin “Rruga e Re”, për secilin sektor e dimë saktë se çfarë do të bëjmë javën e parë, muajin e parë, vitin e parë dhe vitin e fundit…Mirëpo, ajo se çfarë ne po kërkojmë është që zotri Kurti të dorëzohet dhe të tregojë se ka dështuar në secilën fushë dhe ne kështu të shkojmë në zgjedhje. Nuk dëshirojmë që ne në fakt t’i bëjmë favorin që ai kinse të shkojë në zgjedhje për faktin se po e kërkon opozita. Ne po kërkojmë zgjedhje, mirëpo zgjedhjet janë si rezultat i dorëzimit faktik të cilin tashmë zotri Kurti e ka bërë. Ne jemi shumë të bindur se do të korrim fitore dhe do të jemi partia e parë”, thotë Bajrami.

Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka dërguar ftesë për takim krerëve të partive opozitare, porse përveç Partisë Demokratike të Kosovës, asnjë nga partitë e tjera nuk iu përgjigj kësaj ftese. Nga LDK-ja kanë thënë se një ftesë e tillë nuk ka qenë e nevojshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera