Lajme

Bajrami: Deputetët e VV-së janë makinë votuese, votojnë qysh t’u thotë komiteti i partisë

Autori: Gazeta inFokus 21:17 | 11 January 2023

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka cilësuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje si makinë votuese, pasi sipas saj, ata votojnë ashtu siç u thotë “komiteti” i partisë.

Duke folur për sistemin arsimor në vend, Bajrami hodhi kritika ndaj Qeverisë Kurti për të cilën tha se nuk po bën sa duhet në këtë aspekt.

Ish-ministrja e Arsimit tha se kjo fushë nuk është prioritet i kësaj qeverie.

-Advertisement-

E ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, deputetja e LDK-së, tha se do të duhej të bëhej një ndryshim në sistemin arsimor në Kosovë e që siç tha ajo, këtë do të duhej ta bënte kryeministri Kurti sepse Qeveria të cilën ai e udhëheq i ka 51 për qind të votuesve.

“Duhet patjetër me e bë ndryshimin sepse i ka 51 për qind. A e dini që për me nda, për me e bë arsimin prioritet Kurti nuk i duhet mbështetja e askujt. Jo që nuk do ta ketë, por nuk e ka kundërshtimin e askujt nëse ai do, dhe ne e kemi pas sa homogjen janë në votime të tilla. Unë kam qenë në disa grupe punuese tash për Ligjin e pagave dhe Ligjin për Zyrarët Publikë. Nuk kanë as një kërkesë, ata janë thjeshtë makinë votuese, votojnë qysh t’u thotë komiteti. Po du me thënë që nëse Kurti e bën prioritet arsimin ajo kishte me ndodh”, tha ajo.

Sa i përket gjendjes në arsim, Bajrami tha se mësimdhënësit sot në Kosovë kanë mungesë të laptopëve, me të cilët përgatitet një njësi mësimore.

“Për shembull sot ne i kemi komplet mësimdhënësit pa laptop, qysh pret ti sot një mësimdhënës me ta përgatitë një njësi mësimore kur nuk ka qasje në internet. Unë jam shumë e sigurtë që shumica e mësimdhënësve sot dinë me i përdor laptopat sepse nëse nuk i kemi pajisjet në shkollë shumica prej tyre i kan në shtëpi por sot atyre iu duhet me shpenzu ndoshta dy paga për me e ble një llaptop dhe kjo është e dhimbshme sepse nuk e kanë lluksin ta bëjnë të gjithë”, shtoi ish-ministrja.

Teksa për çështjen e ritestimit ajo tha se duhet bërë politika të cilat dëshmojnë që ka mësimdhënës meritor në sistemin e arsimit, por jo sipas saj, me masa arbitrare duke i futë të gjithë profesorët në një test dhe duke i përjashtuar e zëvendësuar ata me të tjerët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera