Lajme

Bahtiri: Ta mbrojmë Trepçën dhe Mitrovicën

Autori: Gazeta inFokus 17:48 | 28 February 2019

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë tubimit përmbyllës ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Sipas tij, është koha kur duhet të mbrohet qyteti dhe Trepça me të gjitha resurset e saj, ndërsa potencoi se planet për një Mitrovicë me status special nuk do të jenë të pranueshme për qytetarët kurrë, shkruan inFokus.

Ai tha se do të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit të Republikës së Kosovës.

“Sot kemi ardhur në kohën kur duhet të mbrohet Mitrovica. Duhet të mbrohet miniera jonë dhe të gjitha resurset e Trepçës. Planet të cilat po shpërndahen çdo ditë për një Mitrovicë speciale nuk do të dorëzohem asnjëherë, as unë dhe as ju. Do të jemi së bashku për t’i çuar proceset përpara. Bashkimi I qytetit do të ndodhë, por jo me status special. Nuk kemi marr rrugë për status special, por për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës, e posaçërisht Mitrovicës që padrejtësisht dhe pa e pyetur askënd e kanë ndarë dhe Mitrovica do të jetë e bashkuar me ndihmën e Zotit dhe tuajën”, ka thënë Bahtiri.

-Advertisement-

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së minatorëve, duke falënderuar të gjithë minatorët, tha se ata kanë dhënë një kontribut të veçantë në grevën historike të vitit 89, kur edhe filluan themelet e shtetit të Republikës së Kosovës në Stantërg.

Kryesindikalisti i minatorëve nga Britania e Madhe, Robert Myers, tha se personaliteti i minatorëve të asaj kohe vazhdon që edhe pas kaq vitesh të mbajë gjallë ndjenjën e rezistencës në mesin e tyre.

“Shpresoj që personaliteti i minatorëve të asaj kohe do të mbajë shpirtin e rezistencës, i cili do të jetojë edhe shumë vite me ju dhe mes jush”, theksoi Majers.

Ndërkaq, në emër të ish-14 të akuzuarve politikë, Burhan Kavaja, ka bërë të ditur se sa i vështirë ka qenë organizimi i grevës në atë kohë.

“Sot është shumë e lehtë të flitet dhe të veprohet, por në rrethanat kur ishim të rrethuar me rrjetet informative e kundërinformative të organizohet një marsh protestues dhe një grevë, ka qenë diçka pothuajse e pamundur. Mirëpo, duke falënderuar sloganit që e pata thënë edhe më herët ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’ arritëm solidaritetin, qëndresën dhe me shëndetin tonë, arritëm që t’i bëjmë rezistencë një euforie serbomadhe kundër një Kosove, punëtorëve dhe kundër minatorëve”, sqaroi Kavaja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera