Lajme

Bahtiri: Andi Bushati po bën thirrje për luftë civile dhe vëllavrasëse në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 22:34 | 29 March 2020

Bedri Bahtiri, jurist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës ka reaguar pasi gazetari shqiptar Andi Bushati kërkoi nga Vetëvendosje që të rebelohej dhe të revoltohej.

Bahtiri duke e quajtur plot helm shkrimin e Andi Bushatit ka thënë se ai bën thirrje për luftë civile dhe vëllavrasëse në Kosovë, shkruan gazeta inFokus.

Ai ka thënë se ky analist por edhe të tjerë të cilët bëjnë deklarata të tillë duhet të ndiqen më përgjegjësi penale.

-Advertisement-

Bahtiri ka theksuar se Kosova duhet të mbetet gjithnjë e para para cdo emri tjetër të përvecëm./Gazeta inFokus/

Ky është reagimi i tij i plotë:

Miq të dashur,

Po jetojmë për të mbijetuar, në këtë kohë murtaje pandemike, me emrin COVID-19. Bota ka kaluar nëpër murtaja të këtilla, e mbase edhe më të vështira, nëse kemi parasysh kushtet e jetesës dhe standardet e cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Këto ditë, po kalojmë kolektivisht edhe nëpër një pandemo-psikozë politiko-sociale. Konsideroj se është e panevojshme të merrem me këtë, ngase krizat dhe problemet politike, në shoqëri të civilizuara, zgjidhen me gjuhë njerëzore dhe dialog politik, ndërmjet të gjithë atyre që kanë përgjgjësinë politike e publike.

Mora shkas nga një shkrim plot helm, i një analisti nga Tirana, i cili gjuhën e diskursin toksik të Shqipërisë së ‘97-tës, 2011-tës e edhe të djeshme e sotme, përpiqet ta mbjell në Kosovë, ku gjaku i mbi 13 mijë viktimave të luftës ende mban të njomë dheun e saj.

Kjo thirrje publike për sulm kundër rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës dhe ky helm nxitës i urrejtjes, përçarjes e mosdurimit, është asgjë tjetër por thirrje për luftë civile e vëllavrasëse, plagë të cilën Kosova e ka mbyllë si mënyrë veprimi e sjelljeje ndaj njëri tjetrit, në fillimvitet ‘90-ta, me aksionin gjithkombëtar të pajtimit të gjaqeve, të prirë nga burrat e urtë si Anton Çeta dhe shumë aktivist tjerë të asaj kohe, që ja ditën, ja qajtën e ja shëruan dhimjen e plagën atdheut!

Ky analist e të gjithë ata që ja ndjellin gjëmën e gjakderdhjes Kosovës tonë të dashur, duhet të mirren në përgjegjësi penale, menjëherë ose sa më parë që të jetë e mundur.

Kosova duhet të mbetet gjithmonë e para, para cilitdo emer të perveçëm, kurse besimi jonë në besimin e baballarëve tanë se “Zoti është një, Amerika e dyta”, duhet të mbetet besim i paluhatun në udhën tonë të gjatë që kemi përpara!

Mbetshi me shëndet e Zoti ju bekoftë!

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera