Lajme

Baca: Nuk ka nevojë për panik, nuk do të kemi katastrofë ekologjike

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 03 February 2018

Problemi i ndotjes së ajrit në Kosovë, ka marrë përmasa shqetësuese. Numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është shtuar. Por, pulmologu Skënder Baca, thotë se nuk ka vend për panik tek qytetarët, ngase nuk ka rrezik që mund për ndonjë katastrofë ekologjike.

“Ne klinikën tonë prej 68 shtretërve, të cilat gjatë dimrit janë gjithsesi përplot, asnjë pacient nuk është hospitalizu për shkak të simptomatologjisë të cilën kishte me e lidh mjeku me ndotjen e ajrit”, thotë Baca.

Sipas tij, në ambulancë frekuentojnë rregullisht 50 deri në 60 pacientë dhe prej tyre vetëm 5 për qind kërkojnë ndihmë për shkak të ndotjes së ambientit. Mirëpo në shumicën e rasteve janë pacient të cilët kanë sëmundje kronike.

-Advertisement-

Ai tregon për Infokusin se organizimi i njeriut është i pajisur me organizmat mbrojtës, dhe aktivizimi i tyre bëhet në kohën kur i ekspozohemi ajrit të ndotur.

“Kur i ekspozohemi ndotjes së ajrit, fillon hipersekrecioni që gjendet në sinus, fyt dhe në pjesën e sipërme të traktit respirator, i tret këto kimikate dhe i eliminon me anë të aktivizimit të këtyre mekanizmave mbrojtës”, ka thënë pulmologu Baca.

Por, Baca thotë se arsyeja përse është rritur numri i pacientëve që kanë probleme me frymëmarrje gjatë kohës së dimrit është ngase zakonisht qytetarët frekuentojnë vende të mbyllura.

“Ndodh gjithnjë që gjatë kohës së dimrit të rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në repartin e pulmologjisë, ngase pothuajse të gjithave na bie të rrimë nëpër ambiente të mbyllura dhe hospitalizohemi më shpesh”, ka theksuar Baca.

Fëmija në barkun e nënës nuk dëmtohet aspak nga ndotja e ajrit

Sipas Pulmologut Baca, dimrit të sivjetmë përpos përkeqësimi i gjendjes së ajrit i ka ndihmuar shumë në hospitalizimin e pacientëve edhe virusi i fundit i përhapur në masë të madhe, i cili nëse nuk është kuruar ashtu siç duhet ka lënë pasoja të mëdha në mushkri.

“90% e patologjisë dhe komplikimet që kanë ardhur tek pacientët bashke me gripin janë nga virusi dhe bakteret që janë prezentë në ambientin tonë, ndërsa ndotja e ajrit i ndihmon me 10% në përkeqësimin gjendjes së pacientit”, ka shtuar Baca.

Ndërsa sa i përket asaj se sa ndikon ajri i ndotur direkt në shëndetin e grave shtatzëna dhe shëndetin e fëmijëve, Baca ka thënë se gratë shtatzëna është mirë që të kenë kujdes të shtuar, mirëpo fëmija në barkun e nënës nuk dëmtohet aspak nga ndotja e ajrit.

“Gjatë kohës së dimrit, sidomos në kohën kur përhapje më të madhe të ndotjes së ajrit gratë shtatzëna është mirë të rrinë brenda dhe të mos ekspozohen në ndotje të ajrit, përndryshe shëndeti i fëmijës nuk dëmtohet ngase nëna ka mekanizma mbrojtës për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së fëmijës”, ka thënë Baca.

Ndotja nga veturat më e dëmshmja

Ndonëse në Kosovë janë adresuar disa faktor të mundshëm që shkaktojnë ndotjen e ajrit, Baca thotë se në mesin e termocentraleve, ngrohjeve të amvisërive dhe veturave, ndotja që vjen nga ky faktor i fundit është më e dëmshmja për shëndetin e njeriut.

“Nga këto tre faktor të mundshëm, ndotja që vjen nga veturat përveç që liron gazra, liron edhe plumbin. Plumbi është helmi më i madh i gjakut. Shkakton anemi ngase është metal i rëndë dhe helmimi me metale të rënda që kemi në Kosovë është pothuajse më brengosës sesa helmimi nga ndotësit në këtë rast termocentralet dhe amvisëritë, ka përfunduar Baca./ V.K Infokusi.com

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera