Lajme

Babai i Ilaz Kodrës i nervozuar pasi s’e vizitoi askush për përvjetor: “Qetu është dashtë me ardhë politikanët”

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 08 May 2022

Ilaz Kodra është një ndër emrat që mund të kuptohen si sinonime të luftës për liri. Por, a po trajtohen mirë këto sinonime të lirisë nga institucionet që dolën prej tyre?

Emri i heroit Ilaz Kodra ra në spikamë të opinionit publik jo vetëm për shkak të përvjetorit të rënies së tij, por edhe për shkak se gruan ia suspenduan nga puna, suspendim për të cilin ajo i tha Nacionales se ishte i padrejtë. Gazeta ka shkuar te babai i Ilaz Kodrës, dhe i cili sjell një rrëfim tjetër prekës.

Uniforma bashkë me logon e UÇK-së. Armët e fotografitë me komandantin Adem Jashari e të tjerët. Madje, në Kullën e Ilaz Kodrës mund të gjendet edhe një intervistë që ish-komandanti i UÇK-së, Kodra, e kishte dhënë para se të nisnin luftat e mëdha me pushtuesin serb. “Ideologji e çdo shqiptari duhet të jetë çështja kombëtare, ndërsa parti – kombi”, kishte thënë Kodra në vitin 1998.

-Advertisement-

E politika të cilën e përmendte Ilaz Kodra para gati 25 vjetësh, e ka zhgënjyer në kohë paqeje babain e tij, Ismajlin. Kjo pasi në përvjetorin e rënies së Kodrës, askush nga liderët e shtetit nuk shkoi në vizitë te Kulla e familjes së Ilaz Kodrës.

“Pas 23 vjete, mos me ardhë me na çelë derën kërkush. Kjo është keq”, thotë Ismajl Kodra.

Më 30 prill, javën e kaluar, u shënua 23 vjetori i rënies së njërit prej komandantëve më të shquar të UÇK-së. Mëngjesin e së shtunës në javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe në Marinë, në nderim të Kodrës dhe martirëve e dëshmorëe të tjerë. Megjithatë, Kullën e heroit të kombit nuk e vizitoi askush nga liderët e shtetit.

Ismajl Kodra, babai i komandantit të UÇK-së, në një rrëfim për gazetën Nacionale është shprehur i zhgënjyer me këtë fakt. Ai ka thënë se është hera e parë në 23 vjetët e fundit, që askush nga udhëheqësit e shtetit nuk ua çeli derën për vizitë.

“Prej pas luftës, kanë shpërnda ftesa familjare, kanë transmetuar se mbahet akademia, tubimi, kësaj here qeveritarët kurgjo nuk kanë lëviz. Çka është ajo, dil në ora 8 te varrezat në Kompleks Marinë, e kujt me i dalë aty, kush me shku. Qetu është dashtë me ardhë qeveria nëse e ka pas përnime, me ardh qitu ku është vendi, është Kompleksi, është busti, edhe një nderim ia bën e shkon te varrezat me krejt familjen. Ato nuk i kanë bo hic as presidenti, as kryeministri”, tregon Ismajl Kodra për gazetën Nacionale.

Ai e kupton se krerët e shtetit janë të zënë me punë. Megjithatë, thotë se ka pritur, që të paktën ta dërgojnë ndonjë përfaqësues.

“Kena pas mysafir, nëse kanë pas mysafir e kanë qenë të zanun, kanë pas përfaqësuesit e vetë të cilët e udhëehqin, ata është dashtë me ardh të paktën një prej tyre. 277 veta që janë të vrarë brenda tri dite me Ilaz Kodrën, ata familjarët i mbajnë qaty, një fjalim nuk na e ka mbajt kërkush para varrezave aty. Ata e nijnë veten më mirë kur iu shkon dikush prej institucioneve, ata familjarët krejt që kanë dhënë të vetit në atë kohë të luftës, ata e nijnë veten të çliruar kur shkon dikush me ua thanë naj fjalë. Këta nuk kanë thënë bashk asgjë”, tregon babai i Ilaz Kodrës.

Babai i heroit të Kosovës, e mban mend kohën kur për të birin e tij mbaheshin edhe seanca në Kuvendin e Kosovës.

“Qitu është shumë shumë keq. As presidentja, as ai e as ai. 277 veta janë të vrarë, e kërkush mos me reagu. Pas kaq vite pas çlirimit, kam hesht, kam hesht. Gjitha institucionet sa janë kanë përpara kanë mbajt akademi, Jakup Krasniqi e ka mbajt në Parlament, u kanë me protokoll të shtetit. E kësaj here mos me ardhë kërkush. More u dasht dikush me ardh, me i përfaqësu dikush qytetarët”, thotë tutje ai.

Kulla e Ilaz Kodrës që sot shërben si muze, kishte shërbyer për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty mbaheshin takime e merreshin vendimet të rëndësishme, për luftën deri në çlirim. Të gjitha këto kujtime, i ka të freskëta edhe babai i Ilaz Kodrës.

“Qitu u kanë Ademi, Hamza, krejt janë kanë pas ardh qitu. Ky ka qenë shtab i UÇK-së. Vendime të mëdha janë marrë këtu. Iu kam shërby, e iu kam nejt gati për gjithcka”, përfundon rrëfimin për Nacionalen, Ismajl Kodra.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera