Lajme

Avokati nga Turqia ofron mbrojtje falas për të akuzuarit nga Gjykata Speciale

Autori: Gazeta inFokus 18:08 | 05 February 2019

Kryetari i Komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare të Dhomës së Avokatëve të qytetit turk Sakarya, avokati Gani Toçoglu, sot në Prishtinë u takua me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari për të ofruar ndihmë falas në mbrojtjen e pjesëtarëve të akuzuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë.

Gani Toçoglu, një avokat nga Turqia i cili vjen nga një familje e zhvendosur në Turqi në vitin 1945 nga Dibra e Maqedonisë, tha se do të bëjë gjithçka që mundet, në baza vullnetare dhe pa kurrfarë kompensimi, për t’u mos hedhur hije e zezë, e pabazuar dhe e pa argumentuar ndaj luftës së UÇK-së për t’u çliruar nga okupatori serb.

“Unë mendoj se të gjitha këto akuza ndaj UÇK-së janë të pabaza, sepse luftëtarët të cilët duan të pushtojnë një vend tjetër mund të fajësohen, por në qoftë se sikur në rastin tuaj mbron vendin tënd, nga aspekti ligjor nuk mund të quhet krim. Nisur nga kjo, përpjekja e UÇK-së dhe e Kosovës e cila është bërë me trimëri duhet të vlerësohet para së gjithash, si vetëmbrojtje”, tha Toçoglu.

-Advertisement-

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari, edhe pse institucionet e Kosovës kanë ndarë një buxhet për mbrojtjen e të akuzuarve para Gjykatës Speciale, Shoqata është e gatshme për bashkëpunim.

Jashari theksoi se në Kosovë shumë njerëz kanë humbur jetën gjatë luftës, por se krimet ndaj popullatës së pafajshme i kanë kryer ushtria dhe policia serbe, dhe se Serbia me urdhër shtetëror ka kryer krime dhe masakra të papara në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Ai konsideron se gjykimet e deritashme të pjesëtarëve të UÇK-së nga UNMIK-u dhe EULEX-i, si dhe para Gjykatës së Hagës janë procese të motivuara politikisht.

“Ne jemi përpjekur të pengojmë themelimin e Gjykatës Speciale, pasi që me themelimin e kësaj gjykata është hequr institucioni më i lartë gjyqësor në Kosovë dhe shkelet Kushtetuta e Kosovës, sipas së cilës Kosova është multietnike. A është e drejtë themelimi i njëanshëm i një gjykate selektive vetëm kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Tashmë kanë filluar të ftohen njerëzit në bisedë dhe ne presim bashkëpunim. Pavarësisht që jeton në Turqi, ajo që na gëzon është fakti se si një njeri i trojeve tona dëshiron të na ndihmojë që të mos njolloset lufta e UÇK-së, e cila ishte e pastër”, ka thënë Jashari.

Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Speciale e Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat janë ngritur në çdo nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës. Ato u formuan në bazë të amendamentit kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për të zhvilluar gjykime lidhur me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2011, që përfshin shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Ato janë të natyrës së përkohshme me një mandat dhe juridiksionin specifik, lidhur me krime të caktuara kundër njerëzimit, krime lufte dhe vepra të tjera penale nën legjislacionin e Kosovës që thuhet se janë kryer ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000. Dhomat e specializuara kanë selinë në Hagë të Holandës, me gjyqtarë ndërkombëtarë, prokurorë dhe stafin e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera