Lajme

Avokati Kërveshi zbardh dokumentet e vitit 2005, kur shefit të UNMIK-ut i kërkohej që policia të rregullohej me ligj

Autori: Elvira Haxhiu 13:17 | 22 December 2021

Në vitin 2005 Qeveria e Kosovës, asokohe si institucion i përkohshëm i vetëqeverisjes, pati kërkuar nga shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, që Policia e Kosovës të rregullohej me ligj dhe jo me rregullore të UNMIK-ut.

Dokumentet e kësaj kërkese janë publikuar sot nga avokati Kujtim Kërveshi, shkruan Gazeta Infokus.

Në dokumentet e Zyrës së Kryeministrit, Bajram Kosumi, bëhet e ditur se një kërkesë e tillë është miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe se ky qëndrim mbështetet në interpretimin autoritativ të Kornizës Kushtetuese nga Zyra Ligjore e Kombeve te Bashkuara.

-Advertisement-

“Në bazë të analizave komperative që ka bërë Zyra e Kryeministrit, kemi mjaft dëshmi ku lëmia e policisë është e rregulluar nga regjione autonome dhe shtete të një shteti federativ, p.sh rregullimi i policisë ne Gjermani ose në SHBA. Po ashtu duhet theksuar, se Kosova ka pasur policinë e vet si dhe ligjet e veta që e kanë rregulluar këtë lëmi

Për këtë arsye, si dhe duke pasur parasysh edhe interpretimin e lartpërmendur, Zyra e Kryeministrit nuk sheh kurrfarë pengesa juridike, që lëmia e policisë të rregullohet me ligj”, thuhet në kërkesën e dërguar UNMIK-ut.

Gjithashtu përmes këtyre dokumenteve bëhet e ditur që ligji i propozuar për policinë t’i dërgohet Zyrës Ligjore të Kombeve të Bashkuara në mënyrë që kjo zyrë të jap mendimin e vet për pajtueshmërinë e këtyre propozimeve me Kornizën Kushtetuese.

Ndërkaq, në një dokument tjetër janë publikuar edhe qëndrimet e grupit punues të Zyrës së Kryeministrit lidhur me legjislacionin e Policisë së Kosovës, në të cilat thuhet se ky institucion të rregullohet me ligj.

“Policia e Kosovës duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për këtë arsye legjislacioni që e rregullon Policinë e Kosovës nuk përmban elemente të cilat lejojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një strukturë policore të ngritur në baza etnike”, thuhet në dokumentet e publikuara.

Në kuadër të këtyre dokumenteve avokati Kërveshi bëri edhe një postim në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se në Kosovë dikur ka qenë njëfarë ideali e profesionalizmi.

“Kur dikush flet kohë pas kohe për disa procese si këto, pyetem se a kam qenë aty unë se nuk i kam parë tjerët që flasin sot”, ka thënë avokati në postimin e tij./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera