Lajme

Avokati i Popullit për vrasjen e dyfishtë dhe vetëvrasjen në Prishtinë: Policia u tha familjarëve duroni dhunën

Autori: Gazeta inFokus 18:09 | 15 May 2019

​Gjatë të mërkurës u lansua projekti  “Fuqizimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje faza e dytë”, nga ana e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë

Aty u tha se “Kosova ka ligje të mira sa i përket dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, por ka ngecje në zbatimin e tyre”.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari,  në lansimin e këtij projekti tha se shteti ka detyrime për mbrojtjen e qytetarëve, duke shpresuar që ky projekt do të ndikojë në vetëdijesimin e të gjitha shtresave të shoqërisë.

-Advertisement-

Ai përmendi rastin e vrasjes së dyfishtë dhe vetëvrasjes që ndodhi para tri javësh në Prishtinë, ngjarje kjo që tronditi gjithë vendin.

Jashari tha se kjo familje që nga viti 2002 ka raportuar dhunën që ka ushtruar kryefamiljari tek të tjerët familjar, por ata e kanë kthyer mbrapshtë familjen pa u bërë zgjidhje.

“Një rast që e patëm para tri javë ditë në Prishtinë një vrasje e dyfishtë dhe një vetëvrasje, të gjitha këto ndodhën gjatë një periudhe të një vikendi dhe nuk pat familje kosovare që nuk është tronditur. Kjo ishte informata preliminare që u lansua në media. Në vitin 2002 kjo familje e ka njoftuar Policinë se vazhdimisht ushtrohet dhunë në familje dhe policia i ka thënë se ju si familje e keni prind, e keni babë dhe kurrkush tjetër babë nuk ju bëhet, andaj keni kujdes dhe durojeni. Vazhdohet pastaj në vitin 2004, 2005, paraqitet rasti edhe në gjykata ndodh e njëjta gjë, është familjari juaj që ju ka mbajt e ju ka rrit, kjo është vlerësimi që e marrin. Pastaj vazhdohet tutje në 2008, prapë vazhdon problemi në polici, paraqitet rasti në gjykatë, lëshohet urdhër mbrojtje mirëpo praktikisht asgjë nuk ndodh. Në 2012 vazhdon storja prapë, familja detyrohet të merr banesë me qira, por për shkak të kushteve të këqija prapë detyrohen me u bashkua me familje. Në 2017 rasti paraqitet në prokurori, prokuroria bënë dosjen dhe e dërgon në Gjykatë, prej asaj kohe të gjitha institucionet heshtin. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai person ka pasur probleme shëndetësore mendor për të cilat kanë qenë në dijeni institucionet e kujdesit dhe nuk ka ndodhur prapë asgjë”, tha ai.

Me rastin e lansimit të projektit, Isabelle Servoz-Gulluci, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, tha se gratë në Kosovë përballen me diskriminim dhe barriera të ndryshme.

“Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje janë shkelje të rënda dhe dukuri është e përhapur gjithandej nëpër botë. Edhe gratë në Kosovë përballen me diskriminim dhe barriera të ndryshme. Duhet të jemi të qartë që janë shkelje të të drejtave të njeriut dhe si të tilla duhet të trajtohen nga institucionet e vendit. Konventa e Stambollit është instrumenti i  parë që ka për qëllim trajtimin e diskriminimit ndaj grave. Ajo paraqet një kornizë për ta luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën ne familje”, tha ajo.

Koordinatori Nacional kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, tha se Kosova ka ligje të mira sa i përket dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, por ka ngecje në zbatimin e tyre.

“Ky është një vit i ndryshimeve të ligjeve që ka filluar nga Qeveria dhe që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me barazinë gjinore dhe dhunën në familje ose masat që institucionet do t’i ndërmarrin për mbrojtje nga kjo dukuri. Kuvendi i Kosovës, Komisioni parlamentar për të drejta të njeriut ka marrë iniciativën për ndryshimin e ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe unë këtë e kam shfrytëzuar si një momentum i mirë që përmes këtij ligji ne të fuqizojmë mekanizmat që zbatojnë ligjin, duke marrë  parasysh raportet që kam pasur në analizë nga e kaluara, por edhe nga vlerësimet e përgjithshme, nga çdo takim si ky sot që del se Kosova ka ligje të mira, por ka ngecje në zbatim. Në vend që të ndryshojmë ligjet ne duhet t’i fuqizojmë mekanizmat që i zbatojnë këto ligje”, deklaroi ai.

Koordinatorja e Projektit Divizioni për barazi gjinore – Këshilli i Evropës, Larissa Kireeva përmendi disa nga qëllimet kryesore të projektit “Fuqizimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, faza e dytë”.

“Ky është një projekt që është planifikuar për dy vjet dhe tashmë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në mars të vitit 2021. Qëllimi i këtij projekti  është luftimi i diskriminimit ndaj grave, raportimi, vetëdijesimi i shoqërisë në parandalimin e kësaj dukurie dhe ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e institucioneve”, u shpreh ajo.

Ndryshe, projekti është ndërtuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit “Krijimi i hartës së shërbimeve për viktimat e dhunës kundër grave në Kosovë”, të realizuar në kuadër të fazës së parë të projektit në vitin 2017.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera