Lajme

Avokatët: Misioni i ri i EULEX i lidhur me Gjykatën Speciale

Autori: Gazeta inFokus 23:08 | 12 June 2018

U mendua që funksioni i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për sundim të ligjit (EULEX) do të pezullohet tërësisht në kohën kur ajo mbushi 10 vjet. Por, gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që EULEX do të jetë i pranishëm në Kosovë të paktën edhe për dy vjet.

Veçse, EULEX tashmë do të ketë rol këshillues e jo ekzekutiv siç ka pasur deri më tash në Kosovë.

Porsa i përket përmbushjes së qëllimit primar të EULEX-it në Kosovë, avokatët ndajmë mendime të ndryshme.

-Advertisement-

Në një prononcim për Indeksonline, avokati Arianit Koci ka theksuar se EULEX-i është një storie suksesshme në Kosovës, edhe pse disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë qenë në nivel të lartë profesional.

“Natyrisht, pritjet i kemi pasur shumë më të mëdha, lidhur me efikasitetin e këtij misioni, por sidoqoftë EULEX-i mund të quhet storie e suksesshme. Është e vërtetë, disa individ në kuadër të këtij emisioni, thënë më së buti, nuk kanë qenë në nivel të duhur dhe e kanë dëmtuar rëndë imazhin e tërësishëm të kësaj strukture”, është shprehur Koci.

Ai ka theksuar se degradimi më i madh i këtij misioni ka ndodhur muajve të fundit, në kohën kur pjesëtarët e EULEX-it kanë kuptuar se misioni po përfundon. Kurse, sipas tij misioni i ri i EULEX-it do të ketë rol në realizimin e objektivave në raport me Gjykatën Speciale.

Se misioni i ri i EULEX-it, lidhet me funksionin e Gjykatës Speciale mendon edhe avokati, Tomë Gashi. Por ai ka shtuar se mision i EULEX-it do të jetë edhe si një mision kujdestarie për të përcjell punën e institucioneve tona.

Por avokati Gashi, mendon se misioni i EULEX-it nuk e ka kryer as minimalisht funksionin primar të cilin e ka pasur në kohën kur erdhi në Kosovë, gjatë vitit 2008.

“Besoj që ky mision ka qenë krejtësisht i dështuar, për shkak se nuk ka kryer as në aspektin minimal funksionin për të cilin kanë ardhur në Kosovë. Nuk kanë kryer as pritjet minimale që kanë pasur qytetarët e Kosovës, dhe besoj se taksapaguesit evropian duhet të jenë të dëshpëruar nëse ata e din çfarë shume marramendje është harxhuar për EULEX-in në Kosovë, nëse i marrim parasysh rezultatet tepër minimale që ata kanë pas”, është shprehur Gashi për Indeksonline.

Sipas tij, EULEX ka shërbyer si maskë e politikanëve të Kosovës për të akuzuar persona të shënjestruar të cilët nuk kanë qenë pjesë e grupit të interesit të tyre, apo pjesëtarë të partive politike të tyre. Ai ka theksuar se këtë e kanë pranuar edhe zyrtarë të lartë të EULEX-it, si kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons por edhe më herët prokuroria e EULEX-it, Maria Bamieh.

Gashi ka shtuar se EULEX-i nuk e ka shtrirë aktivitetin e saj as në pjesën më sensitive të Kosovës, pra në pjesën veriore, ndonëse kjo ka qenë pritshmëria më e madhe e qytetarëve të Kosovës nga EULEX-i.

“Ne kemi pas prezencë minimale atje ku ka qenë më së shumti e nevojshme, në pjesën veriore të Kosovës e cila thuajse nuk kontrollohet fare nga qeveria e Kosovës, dhe kjo ka qenë dështimi më i madh që populli i Kosovës e ka pritur që të ndryshoi por EULEX-i nuk e ka bërë”, ka përfunduar Gashi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera