Avokatët e ish-presidentit Trump: Urdhri i propozuar për publikimin e informacionit është shumë i gjerë
Autori: Gazeta inFokus 10:57 | 08 August 2023
Ekipi ligjor i ish-presidentit Donald Trump i tha një gjyqtareje që mbikëqyrte çështjen e konspiracionit zgjedhor kundër tij të hënën se urdhri mbrojtës i propozuar nga prokurorët që synon parandalimin e bërjes publike të provave është shumë i gjerë dhe do të kufizonte të drejtat e tij sipas Amendamentit të Parë.
Avokatët e kandidatit kryesor për zgjedhjet presidenciale republikane thanë se gjyqtarja duhet të vendosë një urdhër më pak të kufizuar që do të ndalonte publikimin vetëm të materialeve të konsideruara “të ndjeshme”, siç janë dokumentet e jurisë së madhe – në vend të të gjitha provave të dorëzuara nga qeveria në rasti që akuzon Trumpin për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Prokurorët kanë thënë se një urdhër mbrojtës, jo i pazakontë në çështjet penale, është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e Trumpit për shkak të prirjes së tij për përdorimin e mediave sociale. Ata kanë shprehur shqetësimin se Trump mund të ndajë në mënyrë të pahijshme në internet informacione të ndjeshme për çështjen që mund të kenë një “efekt të dëmshëm te dëshmitarët”.
Në dosjen e tyre të premten për të kërkuar urdhrin, prokurorët përfshinë një foto të një postimi nga platforma Truth Social i Trump në të njëjtën ditë, ku ai shkroi, me shkronja të mëdha, “Nëse më ndjek, unë do të vij nga pas!”
Avokatët e Trump thanë se citimi i atij postimi për të pretenduar se ekziston rreziku që Trump mund të publikojë informacione të jurisë së madhe ishte “një pretendim provokues”.
Ekipi ligjor i ish-presidentit tha se postimi i tij ishte “fjalim i përgjithësuar politik” dhe nuk kishte asnjë lidhje me rastin. Një zëdhënës i Trump tha javën e kaluar se postimi ishte në përgjigje të “grupeve të pandershme të interesit të posaçëm dhe të ashtuquajturave grupeve Super PAC”.
Avokatët e zotit Trump, të cilët e kanë karakterizuar çështjen e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith si një sulm ndaj të drejtës së tij për lirinë e fjalës, i thanë gjykatësit se nevoja për të mbrojtur informacionin delikat në lidhje me çështjen “nuk kërkon një urdhër të rreptë mbi të gjitha dokumentet e dhëna nga qeveria.”
“Në një gjyq për të drejtat e Amendamentit të Parë, qeveria kërkon të kufizojë të drejtat e Amendamentit të Parë”, shkruajnë avokatët e zotit Trump. “Më keq se kaq, ajo e bën këtë kundër kundërshtarit kryesor politik të administratës së saj, gjatë një sezoni zgjedhor në të cilin administrata, anëtarët e shquar të partisë dhe aleatët e medias kanë bërë fushatë mbi aktakuzën dhe kanë përhapur akuzat e saj të rreme”.
Dosja e mbrojtjes ishte në përgjigje të kërkesës së të premtes nga ekipi i Smith për urdhrin mbrojtës, i cili do të vendoste rregulla mbi atë që Trump dhe ekipi i tij mbrojtës mund të bëjnë me provat e dorëzuara nga qeveria ndërsa përgatiten për gjykim .
Avokatët e Trump të shtunën kishin kërkuar tre ditë shtesë për t’iu përgjigjur kërkesës së prokurorëve për urdhrin mbrojtës, duke thënë se atyre u duhej më shumë kohë për diskutim. Por gjyqtarja Tanya Chutkan e refuzoi me shpejtësi këtë kërkesë.
Urdhri i propozuar i prokurorëve synon të parandalojë zotin Trump dhe avokatët e tij nga zbulimi i materialeve të ofruara nga qeveria për këdo tjetër përveç njerëzve në ekipin e tij ligjor, dëshmitarëve të mundshëm, avokatëve të dëshmitarëve ose personave të tjerëve të miratuar nga gjykata. Ai do të vendoste kufizime më të rrepta për “materialet e ndjeshme”, për të cilat prokurorët thanë se do të përfshinin dëshmitë e dëshmitarëve të jurisë së madhe dhe materialet e marra përmes urdhrave të vulosur të kontrollit.
Prokurorët thanë se ata janë të gatshëm t’i dorëzojnë një sasi të konsiderueshme provash ekipit ligjor të Trump dhe se shumica e tyre përfshin informacione të ndjeshme dhe konfidenciale.
Trump ka mohuar çdo keqbërje në këtë rast, si dhe një çështje tjetër federale të ngritur nga prokurori Smith që e akuzon atë për grumbullimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Ai i ka karakterizuar të gjitha rastet ndaj tij si një përpjekje për të rrëzuar fushatën e tij 2024. Ekipi i tij ligjor ka treguar se do të argumentojë se ai ishte mbështetur në këshillat e avokatëve rreth tij në vitin 2020 dhe se zoti Trump kishte të drejtë të kundërshtonte zgjedhjet që ai besonte se ishin vjedhur.
Trump deklaroi se ishte i pafajshëm javën e kaluar për katër akuza për krime, duke përfshirë komplotin për të mashtruar SHBA-në dhe komplotin për të penguar certifikimin e Kongresit për fitoren elektorale të demokratit Joe Biden. Akuzat mund të çojnë në një dënim të gjatë me burgim, me akuzat më të rënda që kërkojnë deri në 20 vjet./ VOA
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...