Rajoni dhe Bota

Avionë bombardues mbi Kore. Trump: Kina, vetëm fjalë

Autori: Gazeta inFokus 13:18 | 30 July 2017

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur në fluturim dy avionë bombardues “B-1B” mbi gadishullin korean, në atë që konsiderohet si shfaqje force pas testeve raketore të Koresë së Veriut. Lajmi njoftohet nga vet Forcat Ajrore amerikane, përmes një deklarate të publikuar këtë të dielë.

Koreja e Veriut njoftoi më herët se kishte zhvilluar me sukses një tjetër test të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) ditën e premte, që kishte provuar sipas shtetit komunist aftësitë e tij për të goditur tokën amerikane, duke shkaktuar edhe një reagim të egër paralajmërues nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Fluturimi i avionëve “B-1B” i zhvilluar të shtunën ishte një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e testeve raketore, si dhe e lëshimit më 3 korrik të raketës “Hwansong 14”, thuhet në deklaratën amerikane. Bombarduesit u ngritën nga baza amerikane në Guam, e më pas me to u bashkuan edhe avionë luftarakë japonezë dhe koreano-jugorë.

“Koreja e Veriut mbetet ende kërcënimi më urgjent ndaj stabilitetit në rajon”, thekson në deklaratë komandanti i Forcave Ajrore të Paqësorit, gjenerali Terrence J. O’Shaughnessy. “Nëse do të jetë e nevojshme, ne jemi të gatshëm të përgjigjemi me një forcë të shpejtë, vdekjeprurëse dhe dominuese, në kohën dhe vendin që do ta zgjedhim vet ne”.

-Advertisement-

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur edhe në të kaluarën në fluturim avionët bombardues supersonikë “B1-B Lancer”, si shenjë force dhe kundërpërgjigje ndaj testeve raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut.

Nga ana tjetër thuhet se, vet udhëheqësi i shtetit të izoluar komunist, Kim Jong-un e ka mbikëqyrur personalisht testin raketor të mesnatës së të premtes, duke theksuar se ai ishte një “paralajmërim” për Shtetet e Bashkuara, se nuk do të jetë e sigurtë nga shkatërrimi nëse përpiqet të sulmojë Penianin. Ky paralajmërim është dhënë përmes agjencisë zyrtare të lajmeve “KCNA”.

Kina, aleati kryesor i Veriut komunist, tha se e kundërshtonte lëshimin e raketës që shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë miratuar për të kufizuar programet bërthamore dhe raketore të Penianit.

“Në të njëjtën kohë, Kina shpreson që të gjitha palët të veprojnë me kujdes, për të shmangur tensionet nga përshkallëzimi i vazhdueshëm”, shkruhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze, të së shtunës.

Gjithsesi, Trump tha se “ishte tejet i zhgënjyer nga Kina”. Në mesazhin e tij në “Twitter”, presidenti amerikan shkruante se, “ish-udhëheqësit tanë budallenj u kanë lejuar atyre të bëjnë qindra miliardë dollarë tregti në vit”. “Ata nuk bëjnë asgjë për ne me Korenë e Veriut, vetëm flasin. Ne nuk do të lejojmë më që kjo gjë të vazhdojë kështu. Kina mund ta zgjidhte shumë lehtë këtë problem”, shkruante Trump.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera