Lajme

AUV të enjten gjobiti 120 shkelës të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ndërkaq gjatë tërë vitit 2022 ishin shqiptuar vetëm 100

Autori: Gazeta inFokus 14:41 | 17 March 2023

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm të enjten kanë shqiptuar 120 masa ndëshkrimore për shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit. E kjo iniciativë për shtim të inspektimeve lidhur me zbatimin e këtij ligji erdhi pas urdhrit që një ditë më parë ka dhënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Ndërsa, vetëm vitin e kaluar nga inspektorët e AUV-it janë shqiptuar gjithsej 100 masa ndëshkimore për shkelësit e prijës së duhanit në hapësira të mbyllura.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tha se me të marrë urdhrin, të gjithë inspektorët janë dërguar në terren dhe po vazhdojnë inspektimet.

-Advertisement-

Ai theksoi se inspektimet kanë qenë rigoroze ndaj shkelësve të këtij ligji.

“Agjencia posa ka marrë urdhrin që të ketë inspektime të frekuencë më të shtuar për mbikëqyrjen për zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, ne menjëherë kemi dërguar inspektorët në terren dhe këto inspektime kanë qenë tepër rigoroze…

Secili shkelës që është hasur, ai është ndëshkuar dhe vetëm ditën e kaluar ne kemi shqiptuar rreth 120 masa ndëshkimore që janë edhe me proces verbal dhe që janë lëndë që do të shkojnë pastaj edhe në gjykatë…

Në vitin e kaluar janë rreth 100 duke përfshirë ato fizike dhe juridike dhe ky numër i gjobave është shqiptuar në kohën kur ne kemi pas të angazhuar inspektorët që kanë mbikëqyrë masat anti-COVID dhe ata duke shikuar zbatimin e masave anti-COVID, në të njëjtën kohë kanë shikuar edhe zbatimin e ligjit të duhanit. Dhe shumë prej këtyre janë regjistruar si dy shkelje dhe pastaj është dhënë një gjobë unike“, u shpreh ai.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi theksoi se si institucion mbikëqyrës kanë mungesë së trupave inspektuese. Prandaj, ai bëri thirrje që edhe institucionet tjera t’i ndihmojnë në zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Thaçi theksoi se aktualisht kanë 48 inspektorë që janë duke zhvilluar këto inspektime.

“Numri i inspektorëve është i vogël dhe ne është një kohë e gjatë që proklamojmë këtë gjë edhe në raport me numrin e bizneseve por edhe në raport me kompleksitetin e punës që ushtron agjencia, sigurisht që kapacitetet janë të mangëta, por me këto që kemi gjithmonë, çdo urdhër që vjen nga titullari i institucionit, ai është i zbatueshëm dhe ne si Agjenci në ditën që ka dhënë ministri urdhrin, menjëherë kemi dërguar inspektorë dhe ne i ftojmë edhe institucionet tjera dhe të gjitha institucionet që kanë obligime me mandat ligjor që të mbikëqyrin në fushat e tyre, të fillojnë punën, që të kemi një mbikëqyrje të gjithmbarshme.

Mbi të gjitha është vetë vullneti, kultura e qytetarëve që duhet të ndryshoj sepse është një ligj në të mirë të jetës së qytetarëve dhe secili duhet t’i thërras vetëdijes që ne të bëhemi zbatues të ligjit”, u shpreh Thaçi.

Teksa ka treguar shumat e gjobave për të gjithë ata që shkelin Ligjin për Kontrollin e Duhanit, Thaçi u shpreh se vërejtjet kryesore në sektorin e gastronomisë është për ndarjet e hapësirave të hapura dhe të mbyllura.

“Për personat fizik gjobat janë 50 euro, për personat përgjegjës qoftë institucion apo biznes janë 850 euro dhe për subjekte juridike fillojnë nga 3 mijë euro…Ndarjet që janë bërë në bazë të masave të hapësirave të mbyllura dhe të hapura është pikërisht ligji i Duhanit ai që e përcakton saktë dhe qartë çka konsideron hapësirë e hapur dhe e mbyllur.

Ndër vërejtjet e shumta që inspektorati dhe ndëshkimet që kanë bërë janë pikërisht anekset që i kanë ndërtuar kafiteritë si lloj tarrace por që i kanë mbyllur qoftë me xham apo me qese plastike e që të dyja janë të ndaluara sepse ligji e përcakton saktë se një hapësirë konsiderohet e hapur nëse 70% e saj është e hapur dhe çdo material që një hapësirë kufizohet konsiderohet e mbyllur”, theksoi ai.

Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi ligji për Duhanin, por që ky ligj vazhdimisht nuk ka gjetur zbatueshmëri. /kp/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera