Bota po bëhet gati për ligjin për mos t’iu përgjigjur shefit pas orarit të punës!

Disa shtete nëpër botë kanë miratuar një ligj që të lejon të mos u përgjigjesh telefonatave, mesazheve dhe email-eve të punëdhënësve pas orarit zyrtar të punës.

Franca, Kroacia, Protugalia dhe Italia janë disa nga shtetet e para që po ndërmarrin hapa për ta realizuar këtë ligj, pasi pandemia e kovidit shprishi disa balanca me punën nga shtëpia. Belgjika është një prej shteteve që e ka aktiv këtë ligj.

Ligji që po përqafohet nga vende të ndryshme synon të mbështesë punonjësit të jenë më të lumtur e të qetë, duke u dhënë mundësinë ligjore të hedhin në gjyq punëdhënësin nëse i shqetëson, u jep detyra, apo i telefonon jashtë orarit zyrtar të kontratës së firmosur.

Keni parë ëndërr duke drejtuar një automjet? Ja cili është kuptimi

Nëse shihni se po drejtoni automjetin tuaj , do të thotë se keni kontroll mbi jetën dhe punën tuaj.

Nëse drejtoni një automjet publik , si autobus, tren, etj., do të mbani përgjegjësi për disa raste në të cilat jeni përfshirë.

Nëse dikush tjetër është duke vozitur një makinë publike dhe ju hipni në të, kjo do të thotë se fati juaj ju çon ku të dojë.

Megjithatë, nëse dikush tjetër drejton një automjet privat me të cilin hipni , tregon se jeni të begatë, por iniciativat ua lini të tjerëve.

Autoritetet serbe deklarojnë se Jankoviq është në paraburgim

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se nga katër pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilit ishin të ndaluar, njëri prej tyre ende është në paraburgim. Sipas njoftimit të MPB-së së Serbisë për media në Beograd, të mërkurën janë ndaluar katër policë të Kosovës gjatë një kontrolli kufitar.

“Pas arrestimit të katër pjesëtarëve të policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, është ndaluar deri në 48 orë, për të vërtetuar faktet dhe kontrollet e nevojshme në lidhje me sigurinë e Republikës së Serbisë”, thanë për Tanjug në MPB.

“Personat e tjerë janë liruar pas kontrollit të sigurisë”, njofton MPB.

Detaje tjera nuk ka, po ashtu nuk ka asnjë informacion nga institucionet e tjera kompetente.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi se zëvendësdrejtori i policisë serbe, Dejan Jankoviq, që nga mëngjesi i së mërkurës është “në paraburgim pa asnjë shpjegim”. Paraprakisht ishte bërë e ditur se autoritetet serbe kanë ndaluar 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga komuniteti shqiptarë dhe serbë, por se pesë prej tyre tashmë janë liruar. Institucionet kompetente në Serbi, as MPB-ja e as prokuroria, ende nuk kanë bërë të ditur asgjë për këtë situatë.

Në periudhën e mëparshme në Serbi ka pasur ndalime apo arrestime të pjesëtarëve të komunitetit serb nga Kosova që marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe të cilët nuk mbështeten nga Lista Serbe, e cila mbështetet nga Partia Progresive Serbe, e cila ka pushtet në Serbi.

Më herët të mërkurën, Serbia ndaloi autobusët që transportonin pasagjerë nga Kosova në kufijtë me Kroacinë, Hungarinë dhe pikat e tjera kufitare. Në lidhje me këtë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë deklaroi se raportimet për ndalimin e autobusëve “janë të pabaza” dhe se policia “nuk ka ndaluar askënd dhe as ka penguar hyrjen dhe kalimin e asnjë qytetar” nga territori i Kosovës, por se bëhej fjalë “për kontroll të shtuar të të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle sigurie”.

Institucionet kompetente, përfaqësues politikë, zyrtarë ndërkombëtarë në Serbi deri më tani nuk kanë reaguar për ndalimin dhe arrestimin e qytetarëve të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar pak ditë më parë disa masa të Serbisë për Kosovën. Siç tha ai “së shpejti të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë, dhe janë në një vend ku Serbia ka një qeveri efektive, do të ndiqen penalisht, arrestohen dhe ndiqen nga autoritetet serbe”.

Vuçiq njoftoi masat si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të serbit të Kosovës Sreqko Sofronijeviq, për “shkeljen e rendit kushtetues të Kosovës”. Gjithashtu, Qeveria e Serbisë ka formuar një grup punues, i cili duhet të ndërmarrë hapa për të penguar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sot mbahet seanca dëgjimore për xhudistin Akil Gjakova – kërkohet paraburgimi i tij

Gjykata Themelore e Pejës sot do të mbajë seancë dëgjimore për të caktuar masën e paraburgimit ndaj xhudistit të Kosovës, Akil Gjakova.

Në Kosova Today të Klan Kosovës, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se seanca dëgjimore do të mbahet duke filluar nga ora 15:00 me kërkesë të prokurorisë.

Gjakova akuzohet për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij.

Vjosa Osmani nderohet me Çmimin e Evropës, para saj i ishte ndarë Merkelit, Reaganit dhe Rugovës

Presidentja Vjosa Osmani është nderuar nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi me Çmimin e Evropës “për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, si dhe përkushtimin ndaj orientimit pro-evropian, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani është vlerësuar për qëndrimin politik dhe orientimin e saj të qartë evropian, duke e mbrojtur atë me përkushtim, pavarësisht situatës delikate të sigurisë në rajon dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga Serbia, raporton Express.

“Mëtej, në njoftimin e publikuar nga Fondacioni Pan-Evropian, Presidentja Osmani është vlerësuar edhe për punën dhe përkushtimin e saj për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Tutje, në njoftim, Presidentja vlerësohet për qëndrimin e saj politik të ndjekur me bindje të plotë ndaj rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, e cila në angazhimin e saj mbështet filozofinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili u nderua me po këtë çmim, 20 vjet më pare”, thuhet në njoftim.

Laureatët e këtij çmimi përfshijnë personalitete të ndryshme botërore, përfshirë edhe ish-Kancelaren Angela Merkel, ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe Presidentin historik të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova.

Sveçla:Ngjarjet e djeshme kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në konferencën për medie duke folur për situatën në vend, ka thënë se jemi duke i përcjellë të gjitha zhvillimet që po ndodhin, me kujdes të shtuar çdo përpjekje për destabilizim.

“Pas paralajmërimeve direkte të bëra nga vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në njësitin ushtarak ‘Kobra’, u pa urdhri i tij i menjëhershëm në terren. Bazuar nga informacionet që i kemi, urdhrat nga lart, pra të drejtpërdrejt të Vuçiqit, dëshmon edhe një herë së Serbia është një shtet diktatorial, e cila me udhëheqjen që ka (e cila nuk ndryshon nga koha e Millosheviqit), me politikat e saj shoviniste e diktatoriale, paraqet rrezik për sigurinë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, deklaroi Sveçla.

Sipas tij, ngjarjet e djeshme nuk janë thjeshtë shkelje e lirisë së lëvizjes, sepse ajo ndodhë në vazhdimësi. Ngjarjet e djeshme, ministri Sveçla i konsideron si kërcënim i madh për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Kurti: Sikur Serbia të ishte nën sanksione, s’do të ishim në këtë situatë – ky është shtet mafioz

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se po të kishte sanksione ndaj Serbisë nga BE-ja, nuk do të ndodhte as rrëmbimi i tre policëve vitin e kaluar e as vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku, e as nuk do të ishte kjo situatë aktuale.

Kurti tha se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë, teksa tha se uron që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë, të paraqet një etapë të re, ku kuptohet që Kosova është shteti demokratik, ndërsa Serbia është shtet mafioz.

“Unë besoj se zyrtarët e Brukselit duhet ta kenë parë konferencën e Vuçiqit në kazermën ushtarake në Beograd, pikërisht në ditën kur u bënë 10 muaj të rrëmbimit të policëve tanë dhe në ditëlindjen e njësitit special ushtarak “Kobra” i cili i kishte rrëmbyer ata policë. Shteti mafioz, ku kryemafiozi është njëri më publik, duke qenë president atje, s’mund të jetë ndryshe”, tha Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë përmendi edhe deklarimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bërë të shtunën e kaluar nga një kazermë ushtarake në Beograd, ku paralajmëroi arrestimin dhe përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi.

Sipas Kurtit, Vuçiq në konferencë për media deklaroi se “dua të ju informoj se në atë sekondë që prokuroria jonë edhe ministria jonë e Brendshme janë të vendosura që ta kryejnë plotësisht punën e tyre, e besoj që nga java e ardhshme, do të ndiqen dhe arrestohen të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë dhe ndodhen aty ku ka pushtet efektiv nga autoritetet kompetente të Serbisë”.

Më tej, Kurti tha se të shtunën, Vuçiq ka deklaruar se “tani të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që në çfarëdo mënyrë merrni pjesë në protesta në çfarëdo mënyre do të mbaheni përgjegjës. Të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në to, do të mbajnë përgjegjësi”.

Ai i bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë e që janë ndaluar e arrestuar atje, të lirohen menjëherë.

“Po them të gjithë shqiptarët, sepse nuk e dimë sa prej tyre po mbahen në burg”, tha Kurti.

Serbia dje ndaloi mbi 1 mijë kosovarë, ministri i brendshëm jep detaje: U maltretuan – i pyetën për lidhjet me UÇK-në

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga Serbia gjatë ditës së djeshme në pikat kufitare Serbi-Kroaci dhe Serbi-Hungari.

Sveçla ka thënë se janë duke ndjekur të gjitha zhvillimet dhe janë angazhuar të përcjellim me kujdes çdo provokim dhe veprime për destabilizim nga Serbia.

“Pas paralajmërimeve direkete të bëra nga Vuçiq, u pa edhe urdhri i tij për veprime të menjëhershme në terren. Ndalimi është bërë me urdhër nga lart, pra direkt nga Vuçiq që tregon se Serbia është shtetet diktatorial”, tha Sveçla.

Ministri shtoi se ngjarjet dje janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe përbëjnë kërcënim të madh për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Precedent i rrezikshëm dhe jo vetëm se duhet të dënohet ashpër por nuk duhet as të tolerohet. Sipas informatave tona dje së paku 1 mijë e 498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar dhe arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyte personalisht ose të familjarëve në UÇK si dhe veprimtarinë e tyre gjatë viteve 1998-1999”, tha Sveçla.

Sveçla shtoi se qytetarëve u janë marrë dokumentet personale duke i lënë pamundësinë pa lëvizur.

“Janë provokuar fizikisht dhe verbalisht nga autoritetet serbe, kjo ka shkaktuar frikë të madhe tek të gjithë veçanërisht tek fëmijët. Përveç presionit psikologjik kanë pasur mungesë të ushqimit, ujit dhe barnave”, tha ministri.

Hovenier: Jam i shqetësuar me ndalimin e zëvendësdrejtorit të policisë Jankoviq nga Serbia

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Temë e diskutimit ishte edhe ndalimit të qindra qytetarëve kosovarë nga Serbia, në kufirin me Kroacinë përfshirë këtu edhe mbajtjen e zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Hovenier u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me këtë fakt.

Bora mbulon Zvicrën dhe Gjermaninë

Edhe pse gjysma e prillit ishte jashtëzakonisht e ngrohtë, temperaturat janë ulur përsëri në disa vende.

Vlerat ditore janë ulur dhe reshjet kanë kapluar disa pjesë të Evropës, e sidomos Gjermaninë dhe Zvicrën.

Siç raportohet, bora ka mbuluar Bernin e Zvicrës ku kufiri i reshjeve të borës është midis 500 dhe 900 metra.

Mot i ftohtë thuhet të jetë edhe në vende tjera si Cyrih dhe Wettswil, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

E me sa duket një rikthim pranveror nuk është në dukje aktualisht as në Gjermani.

Shërbimi gjerman i motit paralajmëron për fjolla bore deri në 400 m në vende si Bavaria dhe Baden-Württemberg,

Tashmë në të dy shtetet pritet të mbizotërojë mot i freskët me vranësira dhe reshje shiu dhe bore.

Shkaku i rrugëve të rrëshqitshme nga bora shoferët janë paralajmëruar të kenë kujdes gjatë vozitjes

Haradinaj: Institucionet shtetërore të japin ultimatum të prerë për lirimin e Jankoviqit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka qenë inert reagimi i Kosovës ndaj arrestimit të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, dhe sipas tij shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze për komunitetin serb në institucionet tona.

Në një postim të bërë në Facebook, Haradinaj ka thënë se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të japin ultimatum për lirimin e atyre që janë arrestuar.

“Reagimi inert dhe vetëm deklarativ shtetëror i Kosovës për arrestimin e Zv. Drejtorit Jankoviç dhe policëve të Kosovës në Serbi, shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze dhe pasigurinë për pjesëtarët e komunitetit serb në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Qeveria, Presidenca, MPB dhe MPJ do duhej të japin ultimatum të prerë për lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërtën edhe Kosova do të veprojë me reciprocitet ndaj pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë të Serbisë, kurdo që hyjnë në territorin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Tuchel: E merituam, krenar veçanërisht për këtë lojtar

Festë te Bayern Munich, që iu fal golit të Joshua Kimmich për të thyer 1-0 Arsenalin dhe për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League. Aty ku skuadra e Thomas Tuchel do të sfidojë Realin e Madridit në një klasike europiane.

“Është gjithmonë e pabesueshme ndjesia e mbërritjes në katër skuadrat më të mira. Arsenali ishte një kundërshtar shumë i vështirë, por ne e merituam kualifikimin.

Skuadra meriton komplimente të mëdha. Mazraoui dhe Guerriero janë teknikisht të shkëlqyer. Kishim nevojë për këtë bashkëpunim në krahun e majtë, pasi Arsenali është vërtetë i fortë në të djathtë.

Kjo fitore do të thotë shumë për mua. Pjesa e parë ishte si një lojë shahu. Askush nuk donte të bënte lëvizjen e parë apo të gabonte. Fraksioni i dytë ishte shumë më i mirë, ne treguam guxim.

Jam krenar për paraqitjen e skuadrës. Jam veçanërisht krenar për Laimer, i cili e bllokoi plotësisht Odegaard”, u shpreh Tuchel, trajneri i katërt në histori që kualifikohet në gjysmëfinalen e Championsit me tri klube të ndryshme (PSG, Chelsea, Bayern).

Arsenal kerkon “yllin” e Aston Villës, por ka konkurrencën e Barçës

Arsenali mbetet i interesuar për “yllin” e Aston Villës, Douglas Luiz, para nisjes së merkatos verore.

“The Villains” kanë refuzuar shumë oferta për brazilianin në merkatot e fundit nga “Topçinjtë” e Londrës, por kryeqytetasit do të tentojnë edhe një herë të firmosin me 25-vjeçarin, pas insistimit të Mikel Artetës për ta pasur në organikën e tij.

Arsenalit pritet t’i largohet Mohammed Elneny në verë, një largim që do t’i krijonte hapësirën e duhur ardhjes së Douglas Luiz. Ndërkohë, Jorginho dhe Thomas Partey i kanë të ardhmet e paqarta, pasi i skadojnë kontratat në vitin 2024 dhe 2025. Përveç Arsenalit, në garë për Luiz është edhe Barcelona. Brazilianit të Aston Villës i skadon kontrata në vitin 2026.

26-vjeçari ka qenë një lojtar kyç për ekipin e Unai Emery këtë sezon, pasi ka luajtur 46 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë 10 asiste. Momentalisht, Arsenali mban vendin e dytë në Premier League, dy pikë më pak se Manchester City kryesues, ndërsa Aston Villa ndodhet në vendin e katërt dhe është drejt rikthimit në Champions League.

Mësoni se çfarë i ndodh trurit tuaj nëse shikoni një person në sy për 10 minuta!

Psikologu italian Giovanni Caputo zhvilloi një studim në Universitetin e Urbinos për të zbuluar se çfarë ndodh në trurin e njeriut, kur dy persona shikohen në sy me njëri-tjetrit për një periudhë të gjatë kohore. Ai dhe ekipi i tij mblodhën 40 persona të rritur të shëndetshëm dhe i ndanë në 2 grupe.

20 të parët u futën në një dhomë me dritë të zbehtë. Më pas atyre iu kërkua që të shikonin njëri-tjetrin në sy për 10 minuta. 20 pjesëmarrësve të tjerë iu kërkua të shikonin në një mur të zbrazët. Asnjërit nuk iu tha se për çfarë bëhej ky investigim.

Pas seancave të tyre, pjesëmarrësit plotësuan një formular ku treguan se çfarë kishin kaluar. Ajo çfarë rezultoi ishte se njerëzit që shikonin në sytë e dikujt për një periudhë të gjatë kohe përjetonin simptoma të shkëputjes, largimi nga realiteti, ndryshimet në perceptimet e zërit dhe ngjyrave, si edhe zvarritja e kohës.

Ajo që është edhe më interesante është se ata përjetuan halucinacione. 90% e pjesëmarrësve raportuan se shikonin zhvendosjen e personit tjetër ose shtrembërimin e fytyrës në një hapësirë prej 10 minutash. Disa panë të “ndryshonte” fytyra në një përbindësh ose kafshë.

Dr Caputo nuk ka një përgjigje të saktë pse kanë ndodhur halucinacionet, por ai mendon se kjo gjë ndodh për shkak të privimit shqisor, pauzës në përdorimin e shqisave të tjera. Pra, me pak fjalë, nëse shikoni një person në sy për më shumë se 10 minuta, atëherë ju do të shkëputeni nga realiteti!

Pse alergjikët rrezikohen nga sëmundjet e zemrës?

Një studim i fundit, tregoi për një lidhje mes alergjive dhe rrezikut të të sëmundjeve karidovaskulare.

Në këtë artikull do të njiheni se cilat lloje të alergjive ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe pse studimi ka një rëndësi të madhe për ekspertët e fushës së mjekësisë.

Ky studimi i ri, mbikqyri të rriturit me të paktën një çrregullim alergjik. Duke përfshirë këtu astmën, alergjitë respiratore, alergjitë e sistemit tretës, alergjitë e lëkurës dhe alergji të tjera.

Rezultoi se të rriturit me një histori të vazhdueshme alergjish, kanë një rrezik më të lartë për të vuajtur nga presioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet koronare të zemrës.

Studiuesit vlerësuan gjithashtu moshën, gjininë, racën, nëse individët konsumonin duhan ose alkool, dhe indeksin e masës trupore.

Ata ekzaminuan edhe nëngrupe individësh të ndara sipas faktorëve demografikë.

Razultati konfirmoi se individët më të rrezikuar për zhvillimin e alergjive të ndryshme ishin ata midis moshës 18 dhe 57 vjeç.

Një rrezik më i lartë i sëmundjeve koronare të zemrës u pa tek pjesëmarrësit të cilët ishin midis moshës 39-57 vjeç.

Ndërsa astma, ishte faktori që kontribuoi më shumë në rritjen e rrezikut të presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve koronare të zemrës.

Rëndësia e këtij zbulimi qëndron në faktin se vlerësimi rutinë i presionit të gjakut dhe ekzaminimi për sëmundjet koronare të zemrës, mund t’i sigurojë individëve të prekur marrjen e trajtimeve në kohën e duhur.

Po ashtu edhe disa studime të kryera ndër vite kanë mbështetur lidhjen midis alergjive dhe sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat u japin edhe më tepër rëndësi këyre gjetjeve.

Megjithatë shkencëtarët u shprehën se studime të tjera edhe më të mëdha në rang pjesmarrësish dhe një ndjekje afatgjatë, janë të nevojshme për të konfirmuar këto zbulime.

Simptomat e kolesterolit të lartë tek meshkujt 30 vjeç/ Shtatë shenja të pazakonta në duar dhe gishta gjatë natës

Kolesteroli i lartë nuk është diçka që prek rreptësisht vetëm të moshuarit. Përkundrazi, ai mund të godasë këdo dhe është veçanërisht i zakonshëm tek meshkujt në të 30-at e tyre. Për të kapur herët këtë rrezik të fshehtë për shëndetin, është thelbësore të njihen simptomat e tij më të pazakonta.

Në këtë artikull, janë listuar shtatë shenjat kryesore të pazakonta që shfaqen në duart dhe gishtat tuaj gjatë orëve të qeta të natës, që lidhen me kolesterolin e keq.

Asnjë moshë nuk përjashtohet nga kolesteroli i lartë, madje as meshkujt në të 30-at e tyre. Pavarësisht imazhit të fuqisë, nivelet e tyre të kolesterolit nuk janë imun ndaj faktorëve të tillë si një dietë jo e shëndetshme, stili i jetesës sedentare, zakonet e pirjes së duhanit dhe gjenetika. Mospërfillja e kolesterolit në këtë fazë të jetës mund të hapë rrugën për probleme të rënda shëndetësore më vonë.

Mpirje e pazakontë në duar dhe gishta

Një mpirje e çuditshme dhe e vazhdueshme në duar dhe gishta, aq më tepër gjatë natës, mund të nënkuptojë që trupi juaj ka nivele të larta të kolesterolit. Kur kolesteroli juaj arrin një nivel të lartë, mund të pengojë qarkullimin efikas të gjakut, duke kufizuar rrjedhjen optimale të gjakut në ekstremitetet tuaja. Kjo mund të paraqitet si mpirje e pashpjegueshme ose një ndjesi shpimi gjilpërash në duar dhe gishta, më shumë gjatë kohës kur trupi juaj është pushim.

Edhe nëse jeni në të 30-at dhe keni duar dhe gishta jashtëzakonisht të ftohtë edhe në ambiente të ngrohta, mund të jetë një shenjë e kolesterolit të lartë. Depozitat e kolesterolit që bllokojnë arteriet tuaja mund të pengojnë qarkullimin e duhur dhe të kufizojnë furnizimin me gjak në duart tuaja.

Një rënie në forcën tuaj të kapjes mund të jetë në listën e simptomave të çuditshme nëse jeni mashkull, në të 30-at dhe po përballeni me kolesterol të lartë. Kur kolesteroli ngurtësohet në arteriet tuaja, mund të pengojë furnizimin me gjak në muskujt tuaj, përfshirë duart dhe gishtat. Kjo rrjedhje gjaku e komprometuar mund të dobësojë mbajtjen tuaj, duke i bërë detyrat relativisht të thjeshta, si mbajtja e sendeve ose heqja e kavanozëve, çuditërisht sfiduese.

Dhimbje dhe parehati gjatë natës

Ju mund të duroni siklet ose dhimbje në duar dhe gishta, veçanërisht gjatë natës, nëse kolesteroli juaj LDL është rritur. Rrjedha e kufizuar e gjakut e shkaktuar nga depozitimi i kolesterolit mund të shkaktojë ngërçe ose dhimbje të shurdhër në duart tuaja, duke ju shqetësuar pushimin ose gjumin. Një simptomë e tillë kërkon vëmendje pasi mund të paralajmërojë problemet themelore të qarkullimit të lidhura me kolesterolin e lartë.

Hoxhaj: Votat kundër Kosovës në KiE, tregojnë për ndikimin serb në rajon

Të martën, Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Në favor të Kosovës ishin plot 131 ligjvënës evropianë, ndërsa kundër i dolën 29 të tjerë. 11 delegatë të tjerë vendosën të “heshtin” duke abstenuar në votimin e rëndësishëm për Prishtinën.

Duke komentuar këtë vendim, ish ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj tha në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” se votat kundër tregojnë për një rikthim rajonal të ndikimit serb. Ai thotë se të dëmshme ishin edhe fjalimet e deputetëve, që sipas të cilit, tregojnë një nacionalizëm të mykur në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

“Nuk ka pasur ndonjë dyshim që dikush mund të abstenonte por këto votat të deputetëve të partive serbe apo pro serbe, tregojnë për një rikthim rajonal të ndikimit serb edhe në Mal të Zi dhe në Bosnje dhe është për të ardhur keq dhe kjo tregon se politika e jashtme e Kosovës, kolegët që udhëheqin institucionet e Kosovës do të duhet të rivendosin kontakte dhe komunikim që gjëra të tilla të mos përsëriten në të kaluarën sepse të dëmshme ishin edhe fjalimet e tyre që shpërfaqnin nacionalizmin e mykur qoftë në Mal të Zi apo në Bosnje. Partia e cila udhëheq aktualisht Malin e Zi është produkt i kishës ortodokse serbe dhe që në fund të ditës nuk njeh edhe shtetësinë e vetë Malit të Zi, prandaj dhe një votë e mirë ka të bëjë po aq shumë edhe me qëndrimet që këto parti ndajnë brenda politikës në Mal të Zi. Ndërsa mos pjesëmarrja e VRMO-së tregon për drejtimin e gjërave, të cilat mund të jenë kundër interesave të shqiptarëve jo vetëm në MV por në raport edhe me Tiranën zyrtare dhe Prishtinën meqë duket se VRMO do të jetë një parti politike më shumë zgjatje e Beogradit sesa do të jetë përfaqësim i interesave të maqedonasve. Kjo tregon se Kosova ka nevojë që ta çajë këtë shtetrrethim ku po gjendet si pasojë e rikthimit të politikës serbe në rajon. Këtu shtrohet pyetja se sa kemi nevojë që të koordinohemi qoftë me koleget dhe miqtë në Tiranë apo në Shkup por edhe me partnerët ndërkombëtar. 2024 ka një peisazh tjetër me nuanca të reja në politikën rajonale.”, u shpreh ai.

Ai thotë se hapi i fundit për anëtarësimin në KiE do të jetë pranimi i draft statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe dërgimi në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai shprehet se kjo kërkesë është e padrejtë pasi asociacioni do të duhej të miratohej kur Serbia të ketë njohur republikën e Kosovës.

“Jo më shumë se sa ka pranuar zoti Kurti në marrëveshjet e Brukselit dhe në aneksin e Ohrit sepse për partnerët tanë mbështetja e tyre për anëtarësimin e tyre në këtë organizata është një votë edhe për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit të vitit të kaluar. Dhe nëse neni 1-6 merret me se si të avancohet sovraniteti ndërkombëtar i Kosovës, neni 7 merret me zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe me pritjen që kanë partnerët për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Vota ishte historike por duhet kuptuar se votimi ka qenë pas përmbushjes së kushtit paraprak si regjistrimi i pronave të manastirit të Deçanit dhe duket se përmbyllja e këtij procesi, do të ndodhë pasi Kurti të aprovojë draft statusin e asociacionit dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Në bindjen time një kërkesë e tillë është e padrejtë meqë asociacioni nuk do të duhej të lidhje fare me anëtarësimin në KiE por Kurti, Osmani dhe Konjufca duhet se me kërkesën e tyre janë zotuar. Për mua dhe për ne si PD e Kosovës një gjë e tillë është e padrejtë meqë i ka përmbushur të gjitha kriteret që të jetë kah moti në Këshillin e Kosovës. Asociacioni do të duhej të themelohej dhe të dërgohej në GJK vetëm kur Serbia e njeh republikën e Kosovës dhe kur arrin një marrëveshje për njohje reciproke.“, tha Hoxhaj.

Osmani: Serbia po e shkel nenin 4 të marrëveshjes bazë dhe preambulën e saj

Presidentja, Vjosa Osmai, ka thënë se me fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në territorin e saj, Serbia është duke e shkelur nenin katër të marrëveshjes dhe preambulen e saj.

Presidentja tha se Serbia, po ashtu, ka shkelur parimin e respektimit të integritetit territorial të Kosovës.

“Serbia e dëshmoj edhe dje se është duke e shkelur nenin 4 të marrëveshjes, duke i ndalur dhe torturuar qytetarët tanë po shkel edhe pjesë tjera të saj, preambulën nenin 1, 2 dhe 3 të marrëveshjes së Brukselit. Duke e sulmuar Kosovën me aktë agresioni vitin e kaluar ka shkelur parimin e respektimit të integritetit territorial të Kosovës. Duhet t’i bashkojmë të gjithë forcat që presioni të shkoj tek Serbia. Kosova gjithnjë ka dëshmuar që është jo vetëm konstruktive, por edhe e mbanë fjalën për ato që i nënshkruan. Megjithatë është njëfar rendi në procesin e djalogut, kur ka dy palë të dyjat duhet t’i zbatojnë detyrimet dhe jo vetëm njëra palë”, ka thënë presidentja për RTV21

Guardiola: Përgëzoj Realin për aftësitë e mbrojtjes

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, foli në konferencë për shtyp, pas disfatës me penallti ndaj Real Madridit në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Unë e përgëzoj Real Madridin për aftësinë e tyre për t’u mbrojtur dhe rezistuar deri në fund, ata bënë shumë mirë dhe ne nuk ia arritëm qëllimit në detajet e fundit”, tha Guardiola.

Trajneri katalanas vazhdoi: “Mendoj se luajtëm shumë mirë në tre ndeshjet që luajtëm këtu. Në Bernabeu ne nuk luajtëm në të njëjtën mënyrë dhe si trajner mund t’u kërkoj lojtarëve të mi vetëm një gjë: të bëjnë këtë”.

Kroaci, partia konservatore fiton shumicën në zgjedhje

Partia konservatore në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e udhëhequr nga kryeministri Andrej Plenkoviç fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës.

Bashkimi Demokratik Kroat mbështet kursin pro-perëndimor, por atij do t’i duhet mbështetja e grupeve të ekstremit të djathtë për të ruajtur pushtetin, në bazë të përllogaritjeve zyrtare të votave.

Zgjedhjet pasuan një fushatë të ashpër midis presidentit dhe kryeministrit të vendit, e cila krijoi një krizë politike në vendin ballkanik prej 3.9 milionë banorësh, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Bashkimi Demokratik Kroat, i kryesuar nga Andrej Plenkoviç ishte në garë me një aleancë të partive të qendrës dhe të krahut të majtë, të kryesuar nga presidenti populist Zoran Milanoviç dhe Partia e tij Social Demokratike, ose SDP.

Me mbi 90% të votave të numëruara, komisioni shtetëror zgjedhor tha se HDZ fitoi 60 vende në parlamentin me 151 vende. SDP siguroi 42 vende.

Partia e së djathtës së skajshme, Lëvizja për Shtetësinë u radhit e treta, me 14 vende, gjë që i jep asaj një rol vendimtar në negociatat për qeverinë e ardhshme.

“Nga nesër në mëngjes, ne do të fillojmë të formojmë një shumicë të re parlamentare për të krijuar qeverinë tonë të tretë,” tha zoti Plenkoviç në fjalimin e tij të fitores.

Votuesit nuk prisin që gjërat të ndryshojnë shumë pas zgjedhjeve.

“Unë nuk mendoj se do të ndryshojë gjë. Fushata nuk ishte shumë e mirë, kishte shumë fyerje nga të gjitha anët. Sidomos për ne pensionistët, gjërat do të mbeten ashtu siç janë”, thotë Ljerka Majcen, pensioniste nga Zagrebi.

Partia në pushtet bëri fushatë duke iu kujtuar votuesve rritjen ekonomike të kohëve të fundit, të nxitur nga anëtarësimi i vendit në zonën ‘Schengen’ dhe në eurozonë.

Social Demokratët theksuan luftën kundër korrupsionit, pasi partia e Kryeministrit Plenkoviç është dëmtuar nga një mori skandalesh korrupsioni dhe hetimesh kundër zyrtarëve të lartë të partisë, përgjatë viteve të fundit.

“Pritja ime është që qeveria të ndryshojë pasi kemi duruar ata që janë në pushtet prej tetë vjetësh. Mendoj se është koha që njerëzit të zgjedhin dikë tjetër që ndoshta mund të jetë një zgjedhje më e mirë, të paktën shpresojmë se mund të jetë”, thotë pensionisti tjetër nga Zagrebi, Bozhidar Zupan.

Presidenti ka një rol kryesisht ceremonial në Kroaci, ndërsa kryeministri ushtron pjesën më të madhe të pushtetit politik.

Zoti Milanoviç, i cili si president cakton datën e zgjedhjeve, në mënyrë të pazakontë njoftoi muajin e kaluar se do të kandidonte në zgjedhje duke qenë ende në detyrë.

Gjykata e lartë e vendit vendosi se kjo ishte jokushtetuese dhe e ndaloi atë të bënte fushatë. Atij gjithashtu iu ndalua të paraqitej zyrtarisht në listat e kandidatëve dhe SDP-së iu ndalua që të bënte fushatë për të si kandidat për kryeministër.

“Unë dua që votuesit të zgjedhin një Kroaci ku respektohet kushtetuta. Dua që kroatët të votojnë për të qëndruar brenda familjes transatlantike dhe evropiane, ku ne jemi përpjekur të jemi gjatë tre dekadave të fundit”, tha kryeministri Plenkoviç, pasi votoi në Zagreb.

Pas vendimit të Gjykatës kundër kandidimit të tij, Presidenti vazhdoi të sulmonte gjykatën dhe partinë në pushtet nëpërmjet mediave sociale dhe paraqitjeve publike, përfshirë edhe ditën e votimit.

“Fatkeqësisht, kryeministri edhe sot, gjatë heshtjes zgjedhore, foli ashpër dhe tha idiotësira rreth shkeljes së Kushtetutës dhe respektimit të ligjit, megjithëse ai nuk e bën vetë këtë kur është fjala për kodin penal dhe atë të taksave”, tha Presidenti Milanoviç pasi hodhi votën e tij në Zagreb.VOA

Të paktën 20 të vd*ekur nga përmbytjet në Emiratet e Bashkuara Arabe

Të paktën 20 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e përmbytjeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton BBC.

Përmbytjet bënë që të ndërpriten fluturimet në aeroportin e dytë më të ngarkuar në botë, atë Ndërkombëtar të Dubait. Ky aeroport këshilloi pasagjerët të mos paraqiteshin pasi pistat ishin të përmbytura me ujë.

Në Oman, ekipet e shpëtimit gjetën trupin e një vajze në Saham, duke e çuar numrin e të vdekurve në vend në 19 që nga e diela.

Më shumë se 270 fluturime për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të mërkurën janë anuluar, sipas të dhënave të Flight Aware. Ndërsa, edhe 370 fluturime të tjera janë vonuar.Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Krizave të Emergjencave të Emirateve të Bashkuara Arabe lëshoi një paralajmërim përpara stuhisë duke u thënë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.

Qeveria u tha gjithashtu punonjësve të saj që të punonin nga shtëpia dhe shkollat private u këshilluan gjithashtu të kryenin mësim në distancë.

Në Oman, më shumë se 1,400 njerëz janë evakuuar në strehimore. Shkollat dhe zyrat qeveritare janë mbyllur si masë paraprake.

Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se votimi pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, është “sinjali më i fuqishëm i mundshëm” që mori vendi në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se qeveritë e shumë shteteve nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në maj – kur pritet vendimi përfundimtar.

Andaj, Kosova duhet të bëjë disa “befasi pozitive” në javët e ardhshme, thotë ai.

“Këshilla ime do të ishte ta dërgonte draftin – ose draftet për Asociacionin – në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj se kjo do të kishte kuptim. Këshilla ime do të ishte që Kosova të nënvizojë se – kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me organet e Këshillit të Evropës, siç është Komisioni për parandalimin e torturës, i cili raporton për kushtet në burgje në të gjithë Evropën – do të lejojë paraprakisht që të gjitha raportet e Komisionit për parandalimin e torturës të jenë publike. Kjo është një gjë, të cilën të gjitha demokracitë e bëjnë, por Kosova mund ta prezantojë këtë [si zotim]. Ka edhe gjëra të tjera, por mendoj se ato i përkasin Qeverisë dhe shoqërisë civile në Kosovë. Ky është momenti për të qenë të guximshëm, inteligjentë dhe të përqendruar në lobim, veçanërisht me miqtë tuaj. Nga ajo që kemi parë të martën në Strasburg, Kosova ka shumë miq. Ky është momenti që diplomacia e Kosovës ta tregojë anën e saj më të mirë”, tha Knaus.

Asmableja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi mbrëmjen e së martës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë, disa deputetë, veças ata francez theksuan se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara votimit përfundimtar në maj.

“Nuk është vetëm Franca. Shumë qeveri i referohen Asociacionit. Mos të harrojmë se edhe Qeveria e Kosovës ka thënë se është në favor të ndërmarrjes së hapave drejt Asociacionit. Por, pyetja është: çfarë do të thotë kjo? Asambleja Parlamentare ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk mund t’i vendoset si parakusht Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ka një arsye shumë të thjeshtë përse nuk mund të bëhet kjo. Qeveria e Kosovës nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa pjesëmarrjen e serbëve. Aktualisht, katër komunat me shumicë serbe në veri nuk kanë kryetarë serbë, sepse ata kanë dhënë dorëheqje dhe, pastaj, i kanë bojkotuar zgjedhjet. Tani, ata po i bojkotojnë përpjekjet që çojnë në zgjedhje të reja. Nëse nuk keni kryetarë serbë në komunat me shumicë serbe, që janë përgjegjës për të biseduar me Qeverinë, ju nuk mund ta krijoni këtë asociacion”, tha Knaus.

Ai ka theksuar se gjasat janë që Kosova të ketë sukses dhe jo të dështojë në maj për anëtarësim në KiE, por ka thënë se ministrja e Jashtme, zëvendësministri i Jashtëm, kryeministri, deputetët nga të gjitha grupet politike duhet të vazhdojnë të veprojnë ashtu sikurse në javët e fundit.REL

Një ditë pas ndalimit të qytetarëve të Kosovës në kufij nga Serbia, në Bruksel takohen Bislimi dhe Petkoviq për çështjen e dinarit

Pavarësisht tensionimit të situatës pas ndalimit të qytetarëve të Kosovës në kufijtë e Serbisë, për herë të katërt me radhë sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në lidhje me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Nga Bashkimi Evropian një ditë më parë kanë konfirmuar takimin e së enjtes dhe presin nga palët siç thonë të sillen në mënyrë evropiane dhe të arrijnë një marrëveshje.

Partia në pushtet ka thënë se Rregullorja është e panegociueshme dhe se s’do të ketë asnjë alternativë që e parandalon apo shtynë zbatimin e vendimit. Mirëpo, sipas tyre, pajtimi në takimin e fundit me propozimin e Bashkimit Evropian për një zgjidhje të përkohshme ka të bëjë vetëm me lehtësimin që qytetarët serbë në Kosovë mos të dëmtohen nga ky vendim.

Në anën tjetër, ekzekutivi vazhdon të kritikohet se çështje të brendshme të Kosovës i ka bërë temë në dialogun e Brukselit.Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për KosovaPress thotë se rezultati i takimit do të varet nga aftësia e të dy palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të arritur një marrëveshje.

“Mund të konfirmoj se të enjten duhet të ketë në Bruksel një takim tjetër të kryenegociatorëve për të gjetur një zgjidhje lidhur me dinarin. Rezultati – si gjithmonë – varet nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në një mënyrë evropiane dhe për të arritur një marrëveshje”, thotë ai.

Megjithatë ky takim vjen në një periudhë të tensionuar, pasi të mërkurën mbi 300 qytetarët të Kosovës janë ndaluar për orë të tëra nga Serbia në pikat kufitare që i kanë me Kroacinë dhe Hungarinë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë ndaluar sot 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovë, ndër ta edhe zëvendësdrejtorin e Policisë. Pesë prej tyre tashmë janë liruar, kurse pesë të tjerë vazhdojnë të mbahen në nga autoritetet policore serbe.

Sipas MPB-së, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar ndërsa pesë ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankoviq.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se 14 shqiptar të rinj nga Bunajovci, janë ndaluar në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, nga autoritetet e Serbisë,

Ai në një lidhje direkte për “Debat Plus”, tha se ata janë marrë në pyetje pa pasur asnjë dyshim.

Lidhur me veprimet e fundit të Serbisë ka pasur reagime të ashpra nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e partitë opozitare.Bashkimi Evropian e ka quajtur shkelje të marrëveshjes për lëvizjes e lirë veprimet e fundit të Serbisë.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e fundit të autoriteteve serbe, të cilat kanë bllokuar hyrjen e qytetarëve nga Kosova në pikat kufitare serbe, duke e quajtur si shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar ekskluzivisht për Telegrafin se institucionet evropiane janë duke monitoruar ngushtë situatë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka deklaruar Stano.

Presidenti Biden bën thirrjen: Të miratojmë shpejtë ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu të mërkurën mbështetjen e fuqishme për ndihmën ushtarake shtesë për Ukrainën dhe Izraelin, si edhe ndihmën humanitare për palestinezët në Gazë, pasi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson bëri të ditur se votimi për këtë ndihmë shtesë, do të bëhet të shtunën në mbrëmje. Zoti Johnson kishte hezituar për javë të tëra që të fuste në rendin e ditës votimin për projekt-ligjin, pasi disa ligjvënës republikanë të linjës së ashpër, ishin kundër ndihmës shtesë për Ukrainën dhe kishin paralajmëruar se do të kërkonin shkarkimin e tij, nëse ai e hidhte për votim këtë ndihmë.

Demokrati Biden tha në një deklaratë se “Izraeli po përballet me sulme të paprecedentë nga Irani dhe Ukraina po përballet me bombardime të vazhdueshme nga Rusia që janë intensifikuar në mënyrë dramatike muajin e fundit”. “Dhoma (e Përfaqësuesve) duhet ta miratojë paketën këtë javë dhe Senati duhet ta bëjë votimin menjëherë pas saj,” tha ai. “Unë do ta nënshkruaj legjislacionin menjëherë për t’i dërguar një mesazh botës: Se ne qëndrojmë në krah të miqve tanë dhe nuk do të lejojmë që Irani apo Rusia të kenë sukses.”

Në një artikull opinioni në gazetën Wall Street Journal, zoti Biden e quajti versionin e projekt-ligjit të miratuar nga Senati “të fortë dhe të arsyeshëm”, duke shtuar se “ai nuk duhet të mbahet më peng nga një grup i vogël anëtarësh ekstremë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve.” Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin “synon të nënshtrojë popullin e Ukrainës dhe ta përfshijë atë në një perandori të re ruse. Qeveria e Iranit synon të shkatërrojë Izraelin përgjithmonë – duke zhdukur nga harta shtetin e vetëm hebre në botë”.

Duke u përpjekur të zbusë shqetësimet e disa demokratëve që janë kundër financimeve të mëtejshme për luftën e Izraelit ndaj militantëve të Hamasit, zoti Biden tha se projekt-ligji parashikon “ndihma urgjente humanitare për popullin e Gazës”. Zoti Johnson u tha republikanëve të partisë së tij se do të mbajë votime për tre paketa të veçanta financimi për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e SHBA-së në Indo-Paqësor dhe do të përfshijë përparësitë e tjera të politikës së jashtme në një projektligj të katërt, si edhe sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë në një projekt-ligj të pestë./VOA

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

Personalitetet e larta shtetërore dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të ju drejtohen të pranishmeve me nga një fjalë rasti.

Po ashtu, do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit, thuhet në njoftim.

Arrestohet Soni Malaj, Don Phenom dhe Sinan Vllasaliu, u ndaluan nga policia teksa po performonin në skenë

Këngëtarët shqiptarë Soni Malaj, Don Phenom dhe Sinan Vllasaliu janë arrestuar nga policia zvicerane.

Sipas raportimeve të mediave, artistët do të performonin në një “BajramParty” që ishte planifikuar të mbahej me 13 prill në Zvicër.

Eventi dështoi, pasi policia zvicerane ka hyrë në kontroll duke arrestuar këngëtarët e njohur të skenës muzikore, të cilët janë mbajtur për 48 orë nga policia zvicerane.

Këngëtari Labinot Rexha, i cili parashikohej të këndonte, ka treguar se kishte nënshtetësi zvicerane prandaj për të policia nuk ka paraqitur problem, duke e lënë të lirë.

Ai shpjegoi se kjo gjë ndodhi për shkak se nuk duhen përdorur vizat turistike për të punuar sepse do ndëshkohen me ndalesë për 10 vjet që të shkojnë në Zvicër për të performuar.

“Kam nënshtetësi zvicerane, ka qenë një kontroll e përgjithshme e policisë së Zvicrës edhe në klube të tjera. Pas orës 23:00 ka hyrë kontrolla. Kur kam dal jashtë kam pa afro 150 policë që kontrollonin. Më kontrolluan edhe mu, unë kam të drejtë të punës. Të Tjerët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu, ata i kanë marrë mbajtur për 48 orë së bashku me pronarin. Diskoteka është duke vazhdu me punë…

Ata që po mendojnë liberalizimi i vizave është edhe me punu janë gabim. Nuk ke drejtë me punu në Zvicër. Aty duhet një muaj më parë të merrni leje për vizë punë dhe ta paguani tatimin. Nëse hasin në kontroll ata më nuk kanë drejtë të performojnë edhe për 10 vite tjera…”

Një tërmet ka goditur Turqinë

Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter goditi Turqinë pas mesnate, raporton EMSC.

Epiqendra e tërmetit ishte 46 kilometra në jug të Turhalit, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Më i forti u pasua nga një tërmet më i dobët prej 2.1 gradësh të shkallës Rihter, 48 kilometra në veriperëndim të qytetit të Kahramanmaras.

Deri më tani nuk ka raportime për dëme të mundshme apo të lënduar.

Anketa e IRI: 83% e kosovarëve e shohin Serbinë si kërcënimin kryesor

Në tre vende të Ballkanit Perëndimor, Serbia konsiderohet si kërcënimi më i madh, sipas hulumtimit të fundit shumëkombësh të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në Kosovë, qytetarët janë përgjigjur me shumicë absolute prej 83 për qind se Serbinë e shohin si kërcënimin kryesor, në Shqipëri me 36 për qind kurse në Bosnje e Hercegovinë, 27 për qind e qytetarëve.

Ndërkaq, shteti që konsiderohet kërcënim për Kosovën, Shqipërinë e BeH-në, si kërcënimin kryesor e sheh ShBA-në me 36 për qind të qytetarëve, kurse në Mal të Zi kjo shifër për amerikanët shkon në 19 për qind.

Por, në mesin e shteteve që qytetarët e Serbisë i shohin si kërcënim për vendin e tyre është edhe Kosova. 10 për qind e të anketuarve e kanë dhënë këtë përgjigje, duke e renditur vendin tonë në pozitën e tretë për nga kërcënimi që iu kanoset atyre. E në të dytin me 18 për qind, serbët e shohin Shqipërinë si kërcënimin më të madh.

Shqipëria, nga ana e saj, pas Serbisë (36%), si kërcënim kryesor e sheh Rusinë (32%) dhe Greqinë (9%).

Në Mal të Zi, qytetarët janë të ndarë në çështjen se kush është kërcënimi më i madh për shtetin e tyre: 19 për qind e të anketuarve kanë thënë ShBA-ja, kurse 17 për qind e konsiderojnë Rusinë: përderisa 10 për qind mendojnë se Serbia është kërcënimi kryesor për Malin e Zi.

Për 23 për qind të maqedonasve, Bullgaria është kërcënimi kryesor për vendin e tyre, e pasuar nga Rusia me 12 për qind dhe Kosova me 10 për qind.

Moti sot me rrebeshe shiu e shkarkime rrufesh

Për të enjten në Kosovë parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku fillimisht gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të ketë reshje lokale shiu e bore, ndërsa gjatë ditës priten zhvillime të vranësirave, duke gjeneruar rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 13 gradë, njofton MeteoKosova.

Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-41 km/h.

Euractiv shkruan për kërkesat e QUINT-it karshi Kosovës para anëtarësimit në KiE

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjatë ditës së martë ka rekomanduar që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate. Në një artikull pas këtij zhvillimi, mediumi “EuroActiv” shkruan në lidhje me përkushtimin e Kosovës që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Aty përmendet që para seancës së Asamblesë, u dorëzuan disa amandamente, shumica nga Serbia, megjithatë, shkruhet edhe për “surprizën” nga Italia.

Sipas amandamentit të Italisë, aplikimi i Kosovës duhej shtyrë deri në implementimin e të gjitha pikave nga Marrëveshja e Brukselit dhe asaj të Ohrit, duke përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sidoqoftë, opinion i miratuar potencon se Asociacioni duhet të jetë një “përkushtim pas anëtarësimit” dhe se raportuesja Dora Bakojanis potencoi në fjalimin e saj hapës që Asociacioni “është i paarritshëm për momentin”.

Sipas mediumit, një burim me dijeni nga diskutimet pas dyerve të mbyllura, ka thënë që ministrat mund të insistojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të rreshtohet me shtetet e QUINT-it dhe BE-në për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinsë, por se “Kurti është shumë krenar pajtuar”.

Megjithatë, ky burim ka shtuar se vetëm bisedimet për anëtarësim në KiE gjatë kësaj jave, janë një “fitore simbolike dhe shuplakë në fytyrë për Vuçiqin e Putinin”.

Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi raportin e Dora Bakoyanis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Pas kalimit në Asamble, Kosova tani pret rezultatin e votimit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm për t’u bërë anëtare e plotë në KiE.

Horoskopi për ditën e sotme, 18 prill 2024

Dashi

Do të përfshiheni në një debat mjaft të ndezur, i cili rrezikon që të kthehet agresiv. Mundohuni që të mos keni reagime të tepruara dhe sidomos të mos merrni shumë vendime drastike, sidomos nëse po mundoheni të rikuperoni një raport.

Demi

Gjatë kësaj të enjteje do të keni mundësi që të merrni pjesë në evente të rëndësishme, lidhur me realizimin e një projekti të ri. Janë ditë të cilat ju shohin mjaft të qetë dhe kjo gjë do të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin me kolegët.

Binjakët

Parashikohet një ditë e suksesshme, e cila do ju shohë të përfshirë në çështje vendimtare për karrierën tuaj profesionale. Nëse në familje kohëve të fundit ka patur momente tensioni, duhet të jeni ju të parët që të kërkoni një ballafaqim. Kompromiset janë shumë të mundshme.

Gaforrja

Mundohuni që ta kaloni këtë të enjte në mënyrë aktive dhe dinamike, për shkak se intuita juaj do ju mundësojë që të bëni progres të ndjeshëm në vendin e punës. Kjo e enjte është mjaft e favorshme për të zhvilluar takime.

Luani

Është mjaft e rëndësishme që të rishikoni raportet tuaja ndërpersonale dhe të largoni të gjithë personat që nuk ju përshtaten. Në dashuri parashikohen fitore të mëdha, njëlloj si dhe në punë. Ndaj mundohuni që të jeni sa më pozitiv.

Virgjëresha

Parashikohet një fundjavë relaksuese dhe e rëndësishme për të marrë disa përgjigje në dashuri. Nisni me planifikimin e aktiviteteve verore. Bashkëpunimet janë mjaft të favorshme.

Peshorja

Do të keni mundësi të takoni një person nga e kaluara juaj, gjë që do të ngjallë tek ju ndjesi mjaft pozitive. Duhet të jeni më të hapur për dialog dhe mos u druani që të përballeni, pasi mund të zbuloni anë të karakterit, të cilat i keni injoruar prej kohësh.

Akrepi

Mos jini dembel, për shkak se tashmë keni të gjitha kapacitetet për të marrë rezultate të mëdha në vendin e punës. Edhe në dashuri, duhet të jeni sa më karizmatik dhe tërheqës, ndaj mos i shmangni daljet. Veç duhet të bëni kujdes sa i takon shëndetit fizik.

Shigjetari

Kjo është një periudhë tranzicioni e rëndësishme, e cila do ju lejojë që të kompletoni të gjithë pritshmëritë tuaja dhe prioritetet, sidomos sa i takon dashurisë dhe ndjenjave.

Bricjapi

Një takim romantik do ju lejojë që të kaloni më shumë kohë cilësore me partnerin/en. Nga ana tjetër ditët e fundit ju kanë gjetur mjaft të ngarkuar, kështu që do të ndjeni nevojën për të marrë më shumë kohë për veten dhe çështjet e ndjenjave. Parashikohen avantazhe të mira edhe nga pikëpamja ekonomike.

Ujori

Sugjerohet që gjatë kësaj të enjteje të mos hyni në konflikt me familjen ose partnerin/en. Do të jeni mjaft të ndjeshëm dhe emocional për të përballuar një konflikt pa lënduar dikë. Këshillohet që të përqendroheni vetëm në prioritetet tuaja.

Peshqit

Mundohuni që të merrni kohë, për të organizuar sa më mirë prioritetet tuaja. Në këtë mënyrë do të shmangni të papriturat apo shqetësimet në punë, lidhur me një projekt të ri. Dashuria ju bën mjaft euforik.

Miroslav Lajçak emërohet ambasador i BE-së në Zvicër

Miroslav Lajçak, diplomati sllovak dhe Përfaqësuesi Special për dialogun Beograd-Prishtinë, është emëruar si ambasador i BE-së në Zvicër pas emërimit të krerëve të rinj të delegacioneve të BE-së në 44 vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor, nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Jashtë. Çështjet, Josep Borrell, sipas medias së huaj.

Pasuesi i Lajçakut si përfaqësues për dialogun Beograd-Prishtinë do të dihet vetëm pas formimit të Komisionit të ri Evropian, pas zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian.

Në mesin e diplomatëve evropianë të sapoemëruar është edhe ambasadori aktual i Estonisë në BE, Aivo Orav , i cili do të shërbejë si Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i saj në Kosovë. Orav më parë ka mbajtur postin e shefit të delegacioneve të BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.

Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së, njofton Klankosova.tv.

Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.

“Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

“Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.

Bllokimi i kosovarëve, Kurti: Serbia po hakmerret për votimin në KiE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia po i mban në mënyrë arbitrare në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë një numër të madh të kosovarëve.

Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se kjo po bëhet nga Serbia pasi dje për Kosovën votuan pro në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Një ditë pasi Asambleja e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia hakmerret kundër civilëve të Kosovës”.

“Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë përfshirë fëmijët po mbahen arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, ka thënë Kurti.

Haxhiu mirëpret arrestimin e administratorit të grupit “Albkings”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur arrestimin e administratorit të grupit “Albkings”.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona.

Ajo poashtu tha se uron që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që ka shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje.

Postimi i plotë:

Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë “Albkings”.

Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave.

Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura.

Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje.

Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani.

Mbrojtja kërkon që Pjetër Shala të shpallet i pafajshëm

Mbrojtja e Pjetër Shalës, e përfaqësuar nga avokati Jean-Louis Gilissen ka kërkuar që i akuzuari të shpallët i pafajshëm për krimet për të cilat akuzohet pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

“Në përfundim; ju kërkojë që të deklaroheni që pragu standardit ligjor të provave përtej dyshimit të arsyeshëm. Në rastin në fjalë nuk është përmbushur dhe as nuk janë vërtetuar akuzat kundër të akuzuarit. Për pasojë, unë parashtrojë që zotëri Shala duhet të shpallet i pafajshëm”, tha avokati Gilissen.

Ai tha se kërkon që të përdoren kritere të duhura për të analizuar besueshmërinë dhe mbeshtetshmërinë e të gjitha deklaratave që janë dhënë në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ajo se çfarë po kërkojë unë dhe ajo se çfarë kërkohet prej ligjit dhe drejtësisë reale është që të përdorën kriteret e duhura për të analizuar besueshmërinë dhe mbështetëshmerinë e deklaratave. Unë kërkojë që këto kritere të jenë të njëjta për të gjithë. Të jenë të njëjta për të gjithë, pavarësisht nëse deklaratat bëhen nga një i akuzuar apo nga një dëshmitar. Pra, kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë”, tha ai.

Përpara kësaj, Gilissen tha se nuk e kontestojnë faktin që ka pasur të ndaluar të cilët janë keqtrajtuar në uzinën e metalit në Kukës, mirëpo ai tha se Pjetër Shala nuk ka marrë pjesë në veprime të tilla kriminale.

“Kurrë, asnjëherë të vetme”, tha Jean-Louis Gilissen duke shtuar se ai nuk është fajtor as për vrasjen e njërit prej këtyre të ndaluarve.

“Nëse doni të thoni që zotëri Shala ka kryer diçka në kundërshtim me ligjin, ne duhet të kuptojmë nëse kjo vepër penale ka qenë e lidhur me krime të kryera prej të tjerëve, apo ka qenë vepër penale që lidhet vetëm me këtë person dhe tërësisht individual e lidhur me të”, tha ai.

Sipas avokatit Gilissen, për të lidhur Shalën me krimet e atyre që tashmë janë shpallur fajtor dhe krimet e kryer në Uzinën e Metalit në Kukës gjatë kohës që përmendet në aktakuzë, prokuroria është mbështetur në deklaratat e dëshmitarëve që pretendojnë se Pjetër Shala ka qenë pjesë e keqtrajtime të kryera ndaj këtyre ndaluarve.

Sa i takon prokurorisë, Jean-Louis Gilissen tha se është bazuar në deklaratat e tre dëshmitarëve që përputhen me planin e tyre duke përjashtuar deklaratat e tjera.

“Prokuroria është bazuar në vetëm disa prej deklaratave të këtyre personave dhe ka përjashtuar deklarata e tjera që janë lëshuar nga po këta dëshmitar sepse pjesët e tjera të deklaratës nuk përputhen me këtë plan. Ata kanë zgjedhur atë se çfarë iu ka interesuar dhe ne duam të kuptojmë se si është situata”, tha ai.

Sipas Gilissen, Shala nuk ka qenë asnjëherë partner i Ruzhdi Saramatit në Brigadën 128 dhe s’ka pasur asnjë përgjegjësie apo autoritetit ndaj personave në fabrikën e metalit në Kukës. Sipas tij, nuk është treguar asnjë provë e vetme në lidhje me këtë.

Tutje, ai tha se dëshmitari 1 është i pabesueshëm për shkak të dëshmive dhe ndryshimeve të deklaratave.

Pas përfundimit të deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga Filippo De Minicis pati kundërpërgjigje.

De Minicis, tha se parashtrimet e mbrojtjes për deklaratat e të akuzuarit e sidomos për faktin se kur e kuptoi për vdekjen e viktimës së vrasjes së paligjshme që përmendet në aktakuzë, janë fiktive.

Si rrjedhojë, mbrojtja e Shalës, Mohamed Hedi Aouini tha se ata kanë thënë se z.Shala e kishte kuptuar për këtë në 2016. Sipas tij ata nuk i janë referuar asnjëherë detajeve sa u takon deklaratave pasi për ato i kanë dilemat e tyre se si përdorën sa i takon përmbajtjes procedurale.

Ndërsa, lidhur me parashikueshmerinë e vrasjes, prokurori De Minicis tha se ka synim.

“Qëndrimi jonë është se që me 20 maj 1999, ishte mundësi konkrete dhe e mundshme që dikush mund të vdiste”, tha De Minicis duke theksuar se gjatë kësaj periudhe që përmendet në aktakuzë, në uzinën e metalit në Kukës ishin tre persona që kishin revole në duar, mbanin thika, kishte gjak gjithandej dhe kishte persona që iu binte të fikët.

Ai tha se gjithçka e keqe mund të ndodhte në një situatë të tillë dhe se përtej dyshimit të arsyeshëm, prokuroria ka vërtetuar se vrasja ishte e parashikueshme.

Krahas kësaj, avokati Gilissen tha se do të flas lidhur me këtë 28 vjet burgim që i ka kërkuar prokuroria.

“Janë shumë, shumë. Ky lloj dënimi është një kërkesë e veçantë represive. Unë vetë kam qenë prokuror dhe e kuptoj, nëse është kryer një krim atëherë duhet dënuar personi, por po ashtu i di edhe rreziqet që i përfshijnë kërkesat e tilla. Verbëria i ka verbuar ata për realitetin. Nuk do të bëjë komente ofenduese. Nuk jam këtu për ta bërë këtë”, tha Gilissen duke përmendur disa raste që shumë persona politikan që kanë kryer krime, nuk janë dënuar me 28 vjet.

Ai tha se nuk do t’i paguajnë çmimet e shtrenjta të Hagës me dënimet që i shqiptojnë.

“28 vjet, ju lutem?! E dimë që Haga është e shtrenjtë, i dimë çmimet, por çmimet nuk do t’i paguajmë me dënimet”, tha ai.

Po ashtu, Gilissen përmendi rastin e Xhemshit Krasniqit që u dënua me 8 vite burgim dhe Sabit Geci për 12 vjet burgim për krimet që i kishte kryer në Cahan.

Ndërsa, mbrojtja e viktimave përmes avokatit, Simon Laws tha se i mbështesin parashtrimet e sapo bëra nga ZPS-ja.

Ai tha se dëshiron që të bëjë parashtrimet e tij në seancë private lidhur me dyshimet që u hodhën nga mbrojtja e Shalës për vërtetësinë e deklaratave të dëshmitarit 1.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se pas pushimit seanca do të vazhdojë me pyetjet e trupit gjykues nëse ka e më pas me deklaratën përfundimtare të të akuzuarit./betimiperdrejtesi/

Raportimet për ngacmime sek*suale nga profesorët, menaxhmenti i UP-së: Çdo rast do të ketë epilog meritor

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ka deklaruar se me vëmendje të posaçme po i përcjell edhe sot reagimet për rastin e denoncimit në Këshillin e Etikës të shkeljes së pretenduar për ngacmim seksual dhe mosvlerësim nga profesori universitar, Xhevat Karasniqi.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se menaxhmenti po e ndjek nga afër dhe me kujdes të shtuar rastin, si dhe insiston në adresimin sa më të shpejtë, të drejtë dhe meritor të të gjitha rasteve të kësaj natyre, me qëllim përfundimtar ndriçimin e së vërtetës dhe marrjen e vendimit dhe shqiptimin e masës së merituar.

“Për hir të korrektësisë, UP-ja bën me dije se sot, në takimin e radhës të mbajtur nga Këshilli i Etikës, për herë të parë në seancë dëgjimore janë lejuar mediat dhe të gjitha palët e interesuara për të përcjellë nga afër takimin e Këshillit të Etikës për rastin në fjalë dhe kësisoj për të dëgjuar deklarimet dhe dëshmitë e të gjitha palëve”.

“Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës, si organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga senati, zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore”.

“Menaxhmenti i UP-së siguron dhe garanton tërë opinionin publik, palët në proces, studentët dhe pjesëtarët e stafit akademik dhe jo vetëm, se adresimi i çdo pretendimi për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, të kujtdo qoftë, do të përcillet me vëmendje të shtuar derisa të marrë epilog meritor në përputhje të plotë me procedurat dhe rregullat në fuqi, bazuar në faktet dhe provat për secilin rast”, thuhet në njoftim.

Studentët bllokojnë hyrjen e Rektoratit të UP-së, Njësia Speciale i largon

Një numër i madh i studentëve sot kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ata për disa momente e kanë bllokuar edhe derën e hyrjes së Rektoratit ku është detyruar të ndërhyjë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Studentët protestuan me kërkesë për shkarkim të profesorit universitar, Xhevat Karasniqi. Kjo vjen pasi Këshilli i Etikës së UP-së nuk mori ndonjë vendim në lidhje me denoncimet e studenteve ndaj profesorit në fjalë për ngacmime seksuale.

Osmani në Çikatovë: Institucionet t’i mbledhin provat dhe të fillojnë proceset gjyqësore për kryerësit e krimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen më shumë në mbledhjen e provave të luftës në Kosovë, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë.

Këtë deklarim e para e shtetit e ka bërë pas homazheve në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, ku së bashku me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në përvjetorin e 25-të kësaj masakre.

“Unë ju falënderoj që erdhët edhe këtu në Çikatovë, ku po ashtu ka ndodhur më 17 prill një prej masakrave më të renda në Kosovë. Edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviqit ka vrarë gra e pleq, njerëz te pafajshëm të cilët thjeshte dëshironin të jetonin në liri. Edhe këtu sikurse në masakrën e Poklekut ka të mbijetuar, ka dëshmitarë të kësaj masakre, prandaj i bëj thirrje sërish nga këtu në 25-vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme të gjitha institucioneve ti marrin në pyetje dëshmitarët t’i marrin deklaratat e t’i mbledhin provat sepse ka kaluar kohë e gjate dhe është e domosdoshme që të ketë drejtësi dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë proceset gjyqësore për të gjithë ata që kanë kryer krime”, u shpreh Osmani, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është shprehur se qëllimi i Serbisë ishte që përmes popullatës duke mos kursyer as fëmijë, pleq e gra të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës.

“Së bashku me Presidenten e vendit dhe kryetarin e Komunës, Lladrovci po i nderojmë të rënët, martirët e Çikatovës së Vjetër në 25 vjetorin e masakrave që i kreu Serbia okupatore në Kosovë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes popullatës duke mos kursyer as fëmijë, pleq e gra të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës, që ne ta lëshonim Kosovën e ata ta bënin Kosovën Serbe, ky ka qenë qëllimi i vërtetë”, tha Konjufca.

Arrestohet drejtoresha e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Malin e Zi

Jelena Peroviq, drejtoreshë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Malin e Zi (ASK), është arrestuar sot.

Nga godina e ASK-së e nxorën policia speciale (PSP). Ajo u largua nga ndërtesa e ASK-së më herët gjatë ditës së sotme, e shoqëruar nga zyrtari dhe avokati i PSP-së, Nikola Martinoviq.

Sipas informacioneve jozyrtare të Vijestit, oficerët e PSP-së, ndër të tjera, kanë sekuestruar dokumentacionin në lidhje me keqpërdorimin e pretenduar të automjetit zyrtar dhe Peroviqin e kanë dërguar për të marrë pjesë në kontrollin e veturës së saj zyrtare BMW, pas së cilës janë kthyer në objektin e ASK-së.

Zyrtarët e PSP-së kanë kërkuar dhe të gjithë dokumentacionin e Agjencisë gjatë kohës që ka qenë në krye Peroviq, thotë një burim tjetër për Vijestin

Burimi bën me dije se PSP-ja ka kërkuar raporte financiare si dhe të gjitha procesverbalet nga seancat e Këshillit të ASK-së.

Oficerët e PSP-së kanë hyrë mëngjesin e sotëm në godinën e ASK-së me urdhër bastisjeje, shkruan Vijesti.