Lajme

Auditori iu gjen dallavere Komunës së Prishtinës e MI-së për mirëmbajtjen e rrugëve

Autori: Gazeta inFokus 12:30 | 20 June 2017
Tenderët që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen janë një  “vrimë e zezë” gati në të gjitha institucionet publike. Në këtë lloj të kontratës mund të bëhen manipulimet më të mëdha. Shkelje të ligjit për mirëmbajtje të rrugëve ka gjetur Auditori Gjeneral në Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Infrastrukturës.
Gjatë vitit 2013-2015, kontrollet e brendshme jo adekuate në procesin e prokurimit të mirëmbajtjes së rrugëve si në Ministrinë e Infrastrukturës e ashtu edhe në Komunën e Prishtinës kanë pasur për pasoj planifikimin jo adekuat të nevojave, mos sigurimin e konkurrencës së mjaftueshme, lidhjen e aneks kontratave, dhënien e kontratave jo në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik si dhe raportim jo të rregullt dhe të plotë për punët e kryera.

Këto janë të gjeturat kryesore për këto dy institucione nga ana e Zyrës  Kombëtare të Auditimit, e cila ka publikuar Raportin e përformacës “Menaxhimi i procesit të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve”. Raporti përfshinë auditmin vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve nga Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës për periudhën 2013 -2015.

Fushëveprimi i auditimit përfshin shqyrtimin dhe krahasimin e kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve, të zbatuara gjatë vitit 2013-2015, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës. Këto dy organizata buxhetore janë identifikuar si shpenzuesit më të mëdhenj në këtë kategori.

Zap ka gjetur se, inicimi me vonesë i procedurave të prokurimit kishte shkaktuar zgjatje të afatit të kontratave dhe me këtë edhe punë shtesë. Kjo kishte bërë që para-masa të mos përputhet me realizimin dhe si pasojë janë shkaktuar edhe kosto shtesë. Po ashtu, në bazë të analizave të ZAP, në krahasimin e çmimeve me punët e realizuara ka rezultuar që në disa raste kompanitë fitues të dalë më i shtrenjtë se Operatori tjetër i përgjegjshëm por i pasuksesshëm.

-Advertisement-

Bashkimi i mirëmbajtjes verore dhe mirëmbajtjes dimërore në një tender të vetëm ka diktuar kërkesa vështirë të arritshme të kualifikimit gjë që e ka zvogëluar konkurrencën dhe e ka rrezikuar arritjen e vlerës për para. Po ashtu, kriteret e përzgjedhjes nuk ishin në pajtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik. Në disa raste ishin përdorur termat relativ në vend të shprehjes në vlera (numra).

Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës kanë përgatitur specifikacionet teknike lidhur me gjatësinë, kilometrat e kërkuara të rrugëve. Mirëpo, Ministria e Infrastrukturës nuk e ka specifikuar edhe gjerësinë e rrugëve, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk e ka specifikuar gjatësinë e rrugës në kontratat për Sanimin e rrugëve. Kjo, sipas Auditorit ka shkaktuar paqartësi në informacionet lidhur me shpenzimet e plota për mirëmbajtje të rrugëve për kilometër. Për këtë, dallimet në çmime mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës ishin të mëdha. Po ashtu është gjetur se ka edhe dallime të mëdha mes pozicioneve të njëjta në mes të kontratave si në Ministri ashtu edhe në Komunë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës kishin dhënë kontrata pa publikim të tenderit. Kjo, sipas auditorit është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik i cili nuk lejon as vazhdimin as përtëritjen e kontratave kornizë. Me veprim të tillë cenohet parimi i transparencës, mos-diskriminimit dhe trajtimit të barabartë të Operatorëve Ekonomik, parimet themelore të Prokurimit Publik.

“Komuna e Prishtinës kishte ndërprerë dy kontrata për mirëmbajtje me arsyetimin se performanca e Operatorëve të kontraktuar ishte e dobët. Megjithatë, nuk kishte shpallur procedurë të hapur për publikim të tenderit mirëpo ua kishte dhënë kontratat Operatorëve Ekonomik të cilët kishin kontratë me Komunën e Prishtinës. Pavarësisht, se situata mund të ketë qenë emergjente, kjo nuk e arsyeton dhënien e tyre pa publikim të tenderit. Në veçanti, kur indikacionet e para për paaftësi, ose mungesë të vullnetit për të implementuar kontratën janë vërejtur shumë më herët”, thuhet në të gjeturën e Auditorit.

Zap ka gjetur se si në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu edhe në Komunën e Prishtinës mungon dokumentimi i raportimit dhe regjistrimit të mirëfilltë të punëve dhe shpenzimeve të realizuara. Në disa raste është gjetur se mungonte konsistenca në raportim të shpenzimeve përmes situacioneve. “Ato herë ishin kumulative e herë tjera paraqitnin vetëm sasinë e punëve të kryera brenda periudhës raportuese”.

Andaj, lidhur më këto të gjetura, Auditori ka dhënë disa rekomandime.

“Të respektohet Ligji i Prokurimit Publik në dhënien e kontratave dhe përcaktimin e kritereve për përzgjedhje. Të shmanget dhënia e kontratave pa publikim të tenderit dhe të shmanget përdorimi i termave relativ dhe ato të shprehen në numra. Specifikacionet teknike/paramana përveç gjatësisë së rrugës të përfshijnë edhe gjerësinë me qëllim që informacioni lidhur me shpenzimet të jetë më i plotë”

“Për Ministrinë e Infrastrukturës, të konsiderohet mundësia që mirëmbajtja të ndahet në dy tenderë, një për mirëmbajtje verore dhe një për mirëmbajtje dimërore, në mënyrë që përmes ndarjes të zvogëlohet vlera e lloteve dhe kriteret për kualifikim të jenë më të arritshme për OE-të duke nxitur kështu konkurrencën. Kërkesat për kualifikim duhet të jenë relevante dhe kompatibile me vlerën e kontratës”, thotë Auditori.

Megjithkëtë, ZAP ka gjetur se në ministri, kishte raste kur pagesa ishte kryer ende pa u kryer punimet, pPranimi i punëve ishte bërë në bazë të situacioneve kumulative të cilat paraqesin në mënyrë progresive sasitë e punëve të kryera, që do të thotë secili situacion përmban sasinë e kryer brenda muajit raportues dhe sasinë e kryer në muajt paraprak. “Disa situacione të pranuara përmbanin më pak punë se situacioni paraprak. Kjo nuk përket me logjikën e regjistrimit kumulativ sepse sasia ose vjen duke u rritur ose mbetet e njëjtë me situacionin paraprak por asnjëherë nuk zvogëlohet”.

Mangësi tjetër që është vërejtur në procesin e mbikëqyrjes së punëve në Komuna është edhe raportimi tek nivelet menaxheriale. “Mbikëqyrësit/menaxherët e kontratës mbanin shënime vetëm në ditar dhe në baza mujore dorëzonin situacionet e punëve të kryera së bashku me faturën direkt tek prokurimi për pagesë. Ata nuk kishin hartuar një raport të detajuar të punëve të kryera ku do të paraqiteshin shpenzimet që takojnë secilës rrugë. Në disa raste është gjetur se mungonte konsistenca në raportim të shpenzimeve përmes situacioneve. Ato herë ishin kumulative e herë tjera paraqitnin vetëm sasinë e punëve të kryera brenda periudhës raportuese”, thuhet në Raport.

Auditori ka gjetur dallime të konsiderueshme të kostos për metër gjatësi midis operatorëve ekonomik të ndryshëm. “Nga 14 kontratat e vitit 2014 në MI, krahasimi i çmimeve mes OE-ve ka nxjerr në pah dallime të mëdha në çmime të pozicioneve individuale të kontratave, p.sh. çmimi për një orë efektive të kamionit në njërën prej 14 kontratave kishte kushtuar 30€ ndërsa në një kontratë tjetër 80€ ose 167% më shtrenjtë, pastaj kujdestaria në njërën kontratë kishte kushtuar 20€ ndërsa në tjetrën 70€ ose 250% më shtrenjtë etj. Ngjashëm, edhe te kontratat e vitit 2013 në disa pozicione kishte dallime të mëdha, p.sh. çmimi i një kapaku të pusetave kishte kushtuar 100€ në Prishtina A, ndërsa 20€ në Prishtina B. Pastrimi i një shenje të trafikut kushtonte 10€ në Prishtina B e njëjta kushtonte 0.5€ në Prishtina A. Kamioneta (pick-up) kushtonte 0.5€/km në Prizren ndërsa në Prishtina B kushtonte 5€/km, e të ngjashme. Po ashtu, dallime të konsiderueshme të kostos kishte edhe në kontratat e MD në KP, psh. çmimi i rërës për një metër3 ishte 4€, ndërsa në Llotin tjetër ishte 20€, furnizimi me kripë në njërin llot ishte 40€ ndërsa ne llotin tjetër 70€”.

ZAP ka gjetur se në ministri, për tenderin e vitit 2014, vetëm për llotin Gjilani 2 ishin dorëzuar dy oferta të përgjegjshme dhe kompania fitues ishte shpërblyer me kontratë pasi që oferta e tij (çmimi i ofruar shumëzuar me sasinë e parashikuar) kishte qenë më e lira. “Megjithatë, sasia e parashikuar, gjatë realizimit të kontratës kishte ndryshuar. Sikur sasitë e parashikuara të ishin përputhur me sasitë që ishin realizuar, OE fitues nuk do të shpërblehej me tender, por do të shpërblehej OE tjetër i përgjegjshëm i cili këtë tender do ta realizonte për 492,000€ në vend të 645,000€ të cilat iu kishin paguar OE fitues, që d.m.th 152,600€ më lirë (për më shumë shih Shtojcën 1 tabela nr. 2)”.

Shembull tjetër, është kontrata e Prizrenit e vitit 2013, ku punët e realizuara për MVD kishin kushtuar 852,054 euro, ndërsa kompania tjetër e përgjegjshme do t’i kishte kryer për 817,737 euro që i bie për 34,317 euro më pak. E njëjta vlen edhe për kontratën Ferizaj, ku vlera e punëve të realizuara ishte 1,408,037 euro të cilat OE tjetër i përgjegjshëm do t’i realizonte për 1,376,733 euro ose për 31,000 euro më pak. Sipas llogaritjeve të auditorit, mesatarja e kursimeve potenciale për këto dy llote të tenderit paraprak është 33,000 euro. Kur kësaj i shtohet edhe kursimi i mundshëm prej 153,000 euro i kontratës së Gjilanit për vitin 2014, gjithsej kursimi i mundshëm e arrin shumën prej afërsisht 217,000 euro.

Ndërsa, në Komunën e Prishtinës Auditori ka gjetur se në përgjithësi çmimi i punëve të realizuara nga kompania fitues ishte më i ulët se çmimi i ofruar nga OE tjetër i përgjegjshëm. “Përderisa, vetëm në një rast për kontratën “Sanimi i gropave nëpër qytetin e Prishtinës”, punët (sasitë) e realizuara nuk ishin të përafërta me ato të planifikuara. Sikur sasitë në para-masë të ishin përputhur me sasitë që janë realizuar, OE fitues nuk do të shpërblehej me tender, mirëpo me tender do të shpërblehej OE tjetër i përgjegjshëm i cili këtë tender do ta realizonte për 286,622€ në vend të 295,586€ të cilat i janë paguar OE fitues, pra afërsisht për 9,000€ më lirë”, ka gjetur Auditori./Lajmi.net/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera