Lajme

Auditori gjeti parregullsi në projekte mbi 700 mijë euro, Peci: IBK institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 22:13 | 16 August 2023

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në menaxhimin e buxhetit nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës.

Bëhet fjalë për disa projekte të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit, që kapin vlerën e mbi 700 mijë eurove.

“Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve”, ka bërë të ditur Auditori përmes një komunikate për media.

-Advertisement-

Tutje, auditimi po ashtu ka konstatuar se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së.

Ndaj këtij konstatimi ka reaguar ashpër Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ai ka thënë se Instituti Bujqësor i Kosovës “është institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë”.

Peci tha se në Prokurori veçse ekziston një dosje që dokumenton shkeljet që i ka bërë IBK-ja ndër vite, nga tjetërsimi i pronave, uzurpimi e ndërtimi i pronave private në pronat institucionale; keqpërdorimi e keqmenaxhimi i financave publike; e deri tek sistemi i IT-së jashtë çdo rrjeti qeveritar.

I njëjti theksoi se edhe raportimet për projektet e lartpërmendura me vlerë mbi 700 mijë euro do t’i adresojë shumë shpejt.

Reagimi i plotë:

Kur flitet për IBK-në apo Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, asocimi me shkelje nga më të llojllojshmet është i pashmangshëm!

Thënë ndryshe, IBK është institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë, besoj unë.

●Nga tjetërsimi i pronave, uzurpimi e ndërtimi i pronave private në pronat institucionale;
●Keqpërdorimi e keqmenaxhimi i financave publike; e deri tek
●Sistemi i IT-së jashtë çdo rrjeti Qeveritar e vërtetojnë se IBK-ja është trajtuar si plaçkë lufte!

Të gjitha këto shkelje, nga e para e deri tek e fundit, me dëshmi të bashkangjitura, i ka në dispozicion Prokuroria e Kosovës!

Portalit shumë të dashur Demos, që këto shkelje që datojnë në periudhën nga viti 2017-2019 i kanë pasqyruar me fotografinë time; ua bëj me dije se pikërisht ky personi në fotografi, shkeljet e lartcekura në Prokurori si dhe gjetjen e auditorit për keqpërdorimin e 700 mijë eurove, do t’i adresojë poashtu shumë shpejt në prokurori!

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera