Lajme

Auditori gjen probleme në mirëmbajtjen e shkollave në 3 komuna

Autori: Gazeta inFokus 07:39 | 01 November 2019

Një pjesë e shkollave të Prishtinës, Vushtrrisë dhe Ferizajt nuk ofrojnë kushtet elementare për zhvillimin e procesit mësimor për shkak se institucionet publike kanë dështuar të sigurojnë mirëmbajtje në nivel të duhur.

Ky konstatim ka dalë në raportin “Menaxhimi i mirëmbajtjes së institucioneve arsimore”, i publikuar ditë më parë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

ZKA-ja thekson se nga 18 objektet shkollore që i ka vlerësuar, vetëm 7 prej tyre janë në nivel mesatar dhe të pranueshëm për zhvillimin e aktiviteteve mësimore, shkruan sot Koha Ditore.

-Advertisement-

Sipas këtij raporti, gjendja e shkollave të këtyre komunave nuk është e mirë, nuk ka mirëmbajtje në mënyrë të vazhdueshme për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushte bazike mësimore.

“4 objekte shkollore kishin siguruar kushtet minimale të mirëmbajtjes, mirëpo nuk ishin në nivel të mjaftueshëm.

Përderisa, në 7 objekte shkollore kemi identifikuar mangësi të theksuara në furnizimin me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen vjetore të mureve dhe dezinfektimin e tyre”, thekson raporti.

Në të tria komunat, Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri, Auditori i ka vlerësuar nga 6 shkolla.

Me gjendje shumë të dobët janë vlerësuar shkollat “Gjon Serreçi”, “Tefik Canga”, “Ganimete Tërbeshi”, dhe “Vezir Jashari” në Ferizaj.

Në Vushtrri vlerësim shumë të dobët ka marrë shkolla “Bahri Kuçi”, derisa në Prishtinë vlerësim shumë të dobët kanë marrë shkollat “Ismajl Qemajli” dhe “Dituria”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera