Lajme

Auditimi / Shefi i Asambleistëve të AAK-së, me një varg kritikash për Ekzekutivin e Pejës

Autori: Gazeta inFokus 19:15 | 29 July 2022

Mbledhja e sotme e Asamblesë komunale të Pejës nuk ka kaluar pa debat ndmjet pozitës dhe opozitës pejane.

Të dhënat mbi Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021 në Komunën e Pejës kanë zgjuar pakënaqi nga ana e subjektit opozitar AAK.

Drin Veselaj – Shef i Asambleistëve të këtij subjekti, ka reaguar në shumicën e nënikave të raportit.

-Advertisement-

Veselaj madje, raportin e ka quajtuar të modifikuar.

Reagimi i plotë:

“Siç po shihet nga raporti i auditimit të auditorëve të përgjithshëm, Komuna e Pejës ende ka shumë probleme në menaxhimin e financave publike dhe në zbatimin e rregullave dhe ligjeve mbi menaxhimin e pasurisë dhe parasë publike.

Opinioni i Auditorit të përgjithshëm është opinion i modifikuar, i kualifikuar që do të thotë është opinion që nuk i bën nderë Komunës së Pejës, ku gjatë auditimit ka pasur zbulim të keqdeklarimeve dhe mospajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret.

Deri te ky opinion, auditorët kanë ardhur duke u bazuar në gjetjet e shumta të menaxhimit jo të mirë në Komunën e Pejës.

Perveç rekomandimeve të përsëritura nga auditorët, të cilat në Komunën e Pejës nuk po gjejnë zbatim, ka edhe gjetje të reja siç janë:

Në faqen 7 të raportit të auditimit, pika 2.1 prezentim jo i saktë i llogarive të arkëtueshme, ka mbivlerësim dhe nënvlerësim të tatimit në pronë, për prona të caktuara.

Gjithashtu, nuk janë vlerësuar mirë detyrimet e pretenduara ndaj mësimdhënësve për pagat jubilare, ku është konstatuar mungesë e 17.903€ për këto paga.

Në faqen 9, te çështja A3 në këtë raport vërehet klasifikim jo adekuat i shpenzimeve, ku pa kritere, pa planifikime barten mjetet prej kodi në kod, gjë e cila sanksionohet sipas nenit 18 paragrafi 3 , të rregullës financiare të ligjit mbi shpenzimin e parasë publike, ku mbi 117,739€ nga investimet kapitale janë bartur në subvencione, mallra dhe sherbime, çka edhe është e patolerueshme.

Një çështje tjetër e potencuar në këtë raport është mosregjistrimi i pasurive dhe prezentimi jo i plotë i tyre.

Në faqen 11 të këtij raporti si gjetje është angazhimi i puntorëve për shërbime të veçanta pa procedura ligjore, ku komuna kishte angazhuar 4 zyrtarë pa zhvilluar ndonjë procedurë të prokurimit.

Gjithashtu, si e gjetur tjetër është menaxhimi jo i drejtë i ndarjes së subvencioneve, ndahen subvencione nga ana e Komunës për shoqata dhe kategori të caktuara pa thirrje publike ku cenohet rregullorja komunale nr.01/2017.

Me këto ndarje përjashtohet konkurrenca, transparenca dhe ndikon në trajtim jo të barabartë.

Gjithashtu, shkelje tjetër që evidentohet në raport është kontraktimi i operatorëve ekonomik pa i përmbushur kriteret e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe publikimin e tenderimit. Një tender i tillë në vlerë prej 685.686€ është dhënë nga Komuna e Pejës.

Gjithashtu, Komuna e Pejës kontrakton punë pa projektin ekzekutiv, këto shkelje janë bërë të paktën në tri tendere të kontraktuara nga Komuna e Pejës siç janë: projekti i kanalizimit në qytet dhe fshatra, rregullimi dhe infrastruktura e ujit ne Komunën e Pejës si dhe asfaltimi i rrugëve në Rugovë.

Komuna e Pejës vazhdon të paguajë para të shumta të qytetarëve për shkak të vonesave të pagesave sipas vendimeve gjyqësore përmbarimore, Komuna e Pejës gjatë vitit 2021 ka paguar vlerën prej 1.122.905€, prej tyre 361,710€ janë shpenzime shtesë që janë në dëm të qytetarëve për shkak të gabimeve që i bën Komuna e Pejës.

Në faqen 15 të këtij raporti thuhet se Komuna e Pejës nuk i raporton në mënyrë të rregullt të hyrat e veta siç është rasti me të hyrat e arkëtuara nga Teatri Istref Begolli.Në raport thuhet se Drejtoria komunale për kulturë dhe sport nuk e ka menaxhuar situatën si duhet, rrjedhimisht edhe funksionimi i kontrolleve në këtë drejtorat nuk ka funksionuar.

Në faqen 17 të këtij raporti shihet se në Komunën e Pejës ka mangësi në listën e pagave dhe në moszbatimin e vendimeve gjyqësore.

Se Komuna bën menaxhim të dobët të subvencioneve shihet edhe rasti i bashksubvencionimit të fermerëve, të blegtorëve, me dele dhe ku është organizuar vizitë në teren për verifikim, përfituesi kishte deklaruar se nuk ka dele.

Çka do të thotë kjo!?

Bazuar në këto dhe shumë gjetje të tjera është konkluzion që Komuna e Pejës nuk e menaxhon mirë paranë publike dhe pasurinë e saj.

Përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të auditimeve vit pas viti një pjesë e madhe e këtyre rekomandimeve nuk zbatohen po përkundrazi përsëriten dhe disa fenomene të keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes në këtë komunë janë bërë dukuri.”-është shprehur Veselaj i AAK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera