Opinione

Atentatet në funksion të luftës vëllavrasëse

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 20 September 2022

S’kanë thënë rastësisht “nëse dëshiron ta shkatërrosh një familje, përçaje”. E njëjta gjë është edhe me një popull. “Përçaj e sundo” është arma më e vjetër dhe më shkatërruese për një popull, shtet apo perandori.

Loja bizare e Serbisë është e vjetër kundër popullit shqiptar. Homogjenizimi dhe unifikimi shqiptar është arma më e fortë kundër Serbisë, ndërsa përçarja siç jemi bërë sot është kontribut kryekëput i Serbisë së mbështetur nga Rusia. Një popull i unifikuar ndoshta edhe mund të zhduket tërësisht por kurrë s’mund të thehet e tjetërsohet si i tillë, kurse një popull i përçarë thehet e tjetërsohet shumë lehtë.

Fakti që sot pothuaj secili secilin e quan spiun apo tradhëtar është investim i qartë serbo-rus për të rritur mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe rrjedhimisht për ta ulur produktivitetin e shoqërisë me qëllim përtharjen e çfarëdo përpjekjeje patriotike e kombëtare.

-Advertisement-

Insistimi i Serbisë e Rusisë për themelimin e Gjykatës Speciale në rrafshin e brendshëm ka pasur siç ka për synim përçarjen kombëtare duke tentuar që luftën çlirimtare të UÇK-së ta paraqesë si vëllavrasëse e asgjë më shumë. Investimi i Serbisë e Rusisë në islam politik ka për synim përçarjen fetare dhe ekspozimin e shqiptarëve si refuzues të perëndimit. E Serbia e Rusia, nuk është që s’kanë korrë sukses në të dyja rrafshet.

Minimi i demokracisë në Shqipëri dhe Kosovë, tentim-atentatet e Iranit në Shqipëri, Gjykata Speciale që goditi luftën e drejtë të UÇK-së, sulmet kibernetike të Iranit kundër Shqipërisë dhe Kosovës, atentatet kundër Albin Kurtit, Xhavit Halitit dhe Ismet Haxhës si dhe paraja ruse nëpër parti politike shqiptare kishin dhe kanë për qëllim helmimin e mjedisit politik shqiptar, përçarjen deri në luftë vëllavrasëse, një spirale dhune kjo që do të mund ta paralizonte shqiptarinë për së paku 50 vite, ashtu sikundër që do të mund ta ç’orientonte totalisht shoqërinë shqiptare.

E keqja është që kurrë më të përçarë s’kemi qenë sesa sot. Përçarja ushqehet nga armiqtë tanë dhe ajo tanimë është bërë gati si normë shoqërore. E nëse nuk ulemi të ndërtojmë konsensus e unitet, nuk do të mund të dalim kurrë nga ky kaos politik dhe socio-ekonomik që po çon ujë në Serbi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera