Lajme

Arushi nga Prishtina niset të ngrohë zemrat e fëmijëve në Durrës

Autori: Bleona Dallaveraj 17:35 | 27 November 2019

Mbi pirgun me ushqime e veshmbathje qëndron arushi prej pellushi, i cili duket se po i gëzohet rrugëtimit që do të nisë pas pak.

Ai bashkë me lodrat e Troit 4 vjeçar do nga qendra e Prishtinës do të ngrohin zemrat e fëmijëve të mbijetuar nga tërmeti në Shqipëri, të cilët tash e dy net po i kalojnë pa kulm mbi kokë.

Troi nuk e kupton se çfarë është tërmeti, por është në dijeni se bashkëmoshatarëve të tij u është shkatërruar gjithçka, shkruan Gazeta inFokus.
Kjo edhe e ka shtyrë atë që ti dhuroi lodrat më të shtrenjta të tij sikur mijëra fëmijë të tjerë nga Kosova që po ndjekin shembullin e të rriturve për tu solidarizuar me të mbijetuarit e tërmetit në Shqipëri
Që nga e marta, kosovarët kanë grumbulluar dhjetëra mijëra tonelata ushqime e veshmbathje të cilat po dërgohen në Shqipëri, shkruan gazeta inFokus.

Në zonat e prekura nga tragjedia ka nisur disa të holla nga pensioni i tij edhe Shefshet Hoxha.
“Kemi dhimbje të mëdha për vëllëzërit tanë, sidomos për njerëzit e humbur, për ata që kanë mbetë pa strehë. Mundësitë tona si pensionist, jem mundu pak, sa qon miza n’krah”, thotë me lotë në sy pensionisti Hoxha.

Para janë dhuruar edhe nga qytetarë të shumtë brenda mundësive të tyre, shkruan gazeta inFokus.
“E ndjeva shumë të nevojshme me ardhë edhe sado pak me dhanë kontributin tem me ndihmu”, shprehet qytetarja tjetër, Arlinda Duraku.

Zemërgjerësia e kosovarëve ka prekur Jozef Mhilli, nga Kryqi i Kuq Shqiptar, në Durrës, i cili po organizon transportin për në vendet e prekura nga tërmeti bashkë me vullnetarë të shumtë nga Kosova.
“Ju falënderoj, jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria, gjithë kombi shqipëtarë, për solidaritetin që keni tregu”, thotë Mhilli, nga Kryqi i Kuq Shqipëtarë, në Durrës, shkruan gazeta inFokus.

Aksioni për të grumbulluar ndihma, i filluar të martën nga tifo grupi Plisat në Prishtinë po zhvillohet në tërë qytetet e Kosovës.

Kushtrimi, organizatori i Plisave tregon se vetëm të martën u janë siguruar mbi 250 familjeve gjërat elementare ndërsa 30 qytetarë të Durrësit janë strehuar në Prishtinë.
Kjo ka befasuar drejtorin e Shoqatës “Diaspora”, Enver Avdyli, i cili asnjëherë nuk ka parë një gatishmëri të tillë të qytetarëve për të ndihmuar.

“Nuk e pasna ditë se shqiptarët janë me këtë zemër”, shprehet ai i emocionuar ai./Gazeta inFokus/

Të tjera