Lajme

Arsyet që Zyra e Prokurorit i dha për mbajtjen e Gucatit në paraburgim

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 15 October 2020

Pas 9 ditësh nga seanca gjyqësore e Hysni Gucatit, Zyra e Prokurorit ka dhënë me shkrim arsyet se pse nuk duhet të lirohet me kusht Gucati, por të vazhdojë paraburgimin me kusht.

Në përgjigjen e Prokurorisë ndaj mocioneve të avokatëve të Hysni Gucatit thuhet se Gucati kishte marrë pjesë në tri konferenca në të cilat ishin shpërndarë informacione konfidenciale.

Madje ai ishte urdhëruar nga gjykata që t’i përmbahet këtyre veprimeve, dhe se ishte paralajmëruar se kjo mund të përbëjë vepër penale.

-Advertisement-

“Shpërndarja e përsëritur e informacionit konfidencial vazhdoi edhe pasi që Gucati ishte shërbyer me një urdhër të gjykatës, në lidhje me zbulimet e mëparshme, i cili specifikisht e urdhëroi atë të përmbahet nga shpërndarja e atyre materialeve, dhe e paralajmëroi atë se mund të shkaktojë vepër penale kriminale”, thuhet në arsyetimin tjetër të Prokurorisë.

Prokuroria tutje thotë se Gucati nuk ishte bindur edhe pas lëshimit të dy urdhërave gjyqësor, dhe se më 22 shtator ai kishte thënë se do të publikojë edhe informacione të tjera nëse merr, gjithnjë sipas prokurorisë: duke nxitur edhe mediat që ta bëjnë një gjë të tillë.

Prokurori i Speciales në arsyetimin e tij thotë tutje se as gatishmëria e Gucatit që të dorëzojë pasaportën nuk kryen punë. Sipas tyre, kjo ndërlidhet vetëm me rrezikshmërinë e fluturimeve në një shtet tjetër, dhe jo me lëvizje tjera që mund të bëhen.

“Kjo nuk e adreson faktin që udhëtimi nga Kosova është legalisht dhe ilegalisht i mundur edhe pa pasaportë, përfshirë shtete të cilat nuk kanë obligim që ta transferojnë Gucatin në Zyret e Specializuara të Prokurorit. Për më tepër shuma e parave e propozuar si garanci nga mbrojtja është e pamjaftueshme për të adresuar rreziqet konkrete të lirimit, sidomos pasë parasysh lejen që ka Gucati në burimet e OVL UÇK-së, e cila supozohet të ketë deri në 40 mjë anëtarë, thuhet tutje aty.

Për më tepër, Specialja ka kundërshtuar edhe provat e ofruara për gjendjen shëndetësore të Gucatit.

“Çështjet shëndetësore të zotit Gucati janë irelevante sipas artikullit 41”, thuhet në fund të arsyetimit të Prokurorisë.

Në këtë formë, Specialja ka kërkuar që Gucati të mbahet në paraburgim dhe procedura të vazhdojë në formën siç është parashikuar.

Ndryshe, prokurorja në rastin e Gucatit, Valeria Bolici, ka thënë se brenda 30 ditësh do ta dorëzojë në gjykatë aktakuzën kundër Gucatit e Haradinajt për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, me çështje që kanë të bëjnë me publikimin e dosjeve të cilat kishin rrjedhur nga Specialja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera