Lajme

Arrestohet polici në Gjakovë i dyshuar për ryshfet

Autori: Gazeta inFokus 11:24 | 24 February 2024

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar të premten një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kishin filluar hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë .

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pasakta të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë zyrtari policor (zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor – Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja ka iniciuar procedurë penale edhe ndaj një ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën  penale “Dhënia e ryshfetit” (duke i ofruar zyrtarit policor 1000 euro) dhe “Deklarim i rremë” .

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera