Lajme

Arrestohen nëntë pjestarë të policisë për falsifikim pasaportash

Autori: Gazeta inFokus 22:42 | 06 April 2021

Policia në Maqedoninë e Veriut ndaloi të martën nëntë pjestarë të saj, ndërsa dhjetë persona akuzohen për dhënien e paligjshme të pasaportave një numri të madh shtetasish të huaj.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Oliver Spasovski njoftoi në mbërmje në një konferencë për median se pasaporta të rremë u ishin dhënë edhe kriminelëve të huaj.

Aksioni i quajtur “Mafia”, sipas ministrit, kishte filluar qysh në muajin shkurt, 2019, por autoritetet ndërhynë të martën pas një konference shtypi të drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski, i cili akuzoi ministrinë e rendit dhe qeverinë “për paisjen me pasaporta të kriminelëve të huaj”.

-Advertisement-

Aksionin e autoriteteve policore maqedonase e ka ndihmuar edhe ambasada amerikane në Shkup përmes zyrës së saj të hetimeve dhe Interpoli, siç bëri të ditur ministri Spasovski.

“Të punësuarit e akuzuar në MPB u kanë dhënë shtetasve të huaj dokumente udhëtimi me identitet të rremë të personave, sikur të ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ata kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimin e tyre. Me dokumente të tilla janë pajisur 214 shtetas të huaj dhe një i vendit, për të cilët nuk kishte të dhëna biometrike”, tha ministri duke theksuar se në mesin e këtyre personave ka pjesëtarë të karteleve kriminale nëpër botë, karteleve të drogës, të cilët figuronin në bazën e të dhënave të Interpol-it.

Ndërkaq, para se të bëhej publike aksioni i policisë, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së foli para gazetarëve me emra konkretë të individëve të pajisur në mënyrë të paligjshme me pasaporta maqedonase: “malazezi Jovan Vukotiç dhe turku Sedat Peker të kishin marrë identitetet e Georgi Andonov, përkatësisht Xhadin Amedovski”, sipas zotit Mickovski.

Ai e akuzoi qeverinë se “është bërë strofull e kriminelëve ballkanikë, se po bashkëpunon me ata, por se së shpejti do të japë llogari”.

Ndërkohë, ministri Spasovski hodhi akuza ndaj zotit Mickovski për sabotazhin e aksionit, teksa theksoi pritshmëritë që Prokuroria për Krimin e Organizuar të reagojë ndaj këtij veprimi të drejtuesit opozitar. “Ka mundur të rrezikohej shumë aksioni, për të cilin jemi duke punuar kaq gjatë”, tha kreu i policisë.

Policia maqedonase dhe gjyqësori janë disa nga institucionet ndaj të cilave qytetarët e vendit nuk kanë shumë besim dhe ato shpesh radhiten në raportet e organizatave ndërkombëtare që ndjekin korrupsionin dhe shkeljet e ligjit. /Indeks/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera