Lajme

Arratiset ish ministri i pushtetit lokal, nuk paraqitet për të mbajtur dënimin

Autori: Gazeta inFokus 12:20 | 06 October 2021

Ivan Todosijeviq, deputeti i Kuvendit e ish ministri i pushtetit lokal është arratisur nga Kosova.

Ai nuk u paraqit në burg këtë të mërkurë në ora 12, kur ishte afati i fundit që ndaj tij të nis ekzekutimi i dënimit me burgim prej 2 vjetësh. Klan Kosova merr vesh se Todosijeviq është arratisur nga Kosova.

Këtë e konfirmojnë edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga ku me 17 shtator, serbit i shkoi ftesa për t’u paraqitur në gjykatë.

-Advertisement-

“Ju njoftojmë se procedura për ekzekutim të sanksionit penal ndaj të dënuarit I.T. është në procedurë e sipër. Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar njoftimin nga avokati mbrojtës i të dënuarit I.T., se i njëjti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka kërkuar shtyrje të afatit për paraqitje në vuajtje të dënimit me burg” – thuhet në një përgjigje të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi, ka thënë që përkundër këtij afati Todosijeviq nuk është paraqitur.

“Lidhur me rastin, bazuar në raportin 24 orësh të Qendrës Operative, e cila vepron në kuadër të SHKK-së, ju njoftojmë se personi në fjalë deri në këto momente nuk është paraqitur për mbajtje të dënimit në institucione korrektuese”, ka thënë Gashi.

Todosijeviq u dënua pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut. Veç Themelores, 2 vjetët me burg ia konfirmoi këtë Gusht edhe Gjykata e Apelit.

Një ditë pasi doli vendimi i marrë nga 2 gjyqtarë shqiptar e 1 serb, gjyqtarët serb në veri protestuan duke e ndalur punën, ndërkaq presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar protesta në rast se Ivan Todosijeviq arrestohet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera