Fokus

Armend Zemaj e bënë hallakamë ndarjen e nga 300 eurove për punonjësit shëndetësorë

Autori: Hateme Smajli 14:56 | 09 October 2020

Shtesat prej 300 euro të premtuara nga qeveria e Kosovës për punëtorët e profesionistët shëndetësorë nuk u dhanë për të gjithë, e madje për këtë pati edhe protesta.

Ishin pikërisht punëtorët shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të cilët protestuan që nuk e morën këtë shtesë, por edhe infermierë e mjekë në komuna të tjera, shkruan Gazeta inFokus.

Gazeta inFokus në lidhje me këtë çështje ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë se kush e ka marrë këtë shtesë e kush ende nuk e ka marrë dhe për cilat kategori ishte premtuar.

-Advertisement-

Mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer një përgjigje sqaruese. Ata në përgjigjen e tyre kanë thënë se pagesat tashmë janë bërë për mjekët infermierët dhe teknikët, mirëpo nuk kanë treguar se për cilat spitale që janë përballë me pandeminë e në cilat komuna.

“Sipas vendimit te Qeverisë që të paguhen mjekët, infermierët dhe teknikët që janë në shërbime të drejtpërdrejta me pacientët me Covid-19, për këto kategori pagesat janë bërë në mënyrë retroaktive”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për inFokus.

Ndërsa sa i përket shtesave prej 300 euro për punëtorët shëndetësorë nga ministria e shëndetësisë kanë deklaruar se ministri, Armend Zemaj ka premtuar një zgjidhje edhe për ta.

“Për shërbimet e  tjera jo mjekësore, Ministri Zemaj ka deklaruar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi se do te gjendet një zgjidhje për një pagese retroaktive për ta,  në një shume të cilën do ta mundësoje buxheti i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E ishin pikërisht punëtorët shëndetësore ata të cilët protestuan, por jo vetëm.

Edhe mjekë e infermierë të komunave të tjera protestuan për të marrë shtesën prej 300 euro, të cilët po ashtu patën kontakte të drejtpërdrejta me pacientë të infektuar mirëpo nuk e kanë marrë ende këtë shtesë.

Të fundit që protestuan në lidhje me këtë çështje janë infermierët e mjekët në Mitrovicë, madje ata edhe e bojkotuan punën edhe një ditë pas protestës, nga ora 08:00 deri në 09:30.

Ndërsa këtë të premte Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i ka dhënë ultimatum qeverisë Hoti se nëse nuk e marrin shtesën prej 300 euro atëherë do të hyjnë në grevë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera