“Ari i kuq” i Prizrenit në tregjet evropiane
Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 10 July 2022
Nga plantacionet në rajonin e Prizrenit, nën malet e Sharrit që gjendet në jug të Kosovës, këtë vit në tregun evropian do të eksportohen rreth 200 tonë mjedra apo dy të tretat e korrjeve aktuale.
Vjelja e kësaj bime me kokërr të kuqe veçse ka filluar dhe “ari i kuq”, siç quhet ndryshe mjedra e rajonit të Prizrenit, shumë shpejt do të jetë në tregjet e Gjermanisë, Italisë, Turqisë dhe Japonisë.
Për shkak të klimës së favorshme, mjedrat që kultivohen në rajonin e Prizrenit kanë cilësi më të lartë.
Ismet Osmani, drejtor i kooperativës bujqësore “Ari i Kuq” nga Prizreni, 15 vjet më parë u kthye në Kosovë nga Suedia dhe nisi të kultivojë mjedra.
Ai thotë se të gjithë duan të paguajnë çmimin më të lartë për mjedrat e Sharrit.
Gjatë vitit 2021, kultivuesit e mjedrës kanë fituar rreth 4.50 euro për një kilogram.
Osmani shton se në rajonin e Sharrit ka rreth 100 hektarë tokë të mbjellë me mjedra të llojit Willamette dhe Miker.
“Mjedra jonë rritet në lartësi 1,000 deri në 1,200 metra mbi nivelin e detit dhe në këtë zonë nuk ka asnjë fabrikë. Në këtë lartësi kryqëzohen klimat kontinentale, gjysmë kontinentale dhe malore, gjë që, veç tjerash, bën që mjedra të ketë më shumë sheqer dhe të jetë më cilësore se mjedrat e tjera”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se gjatë kultivimit të mjedrës përdor të gjitha masat agroteknike dhe ndjek standardet botërore.
Mbi 20 milionë euro fitime nga eksportet në katër vjet
Nga Dogana e Kosovës thonë se gjatë vitit 2021 nga Kosova janë eksportuar afër 900 tonë mjedra në vlerë prej afër 3 milionë eurosh.
Një grua duke vjelë mjedra në Prizren. Ky produkt, vitin e kaluar shitej për 4.5 euro për kilogram.
Ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 janë eksportuar rreth 111 tonë mjedra në vlerë prej rreth 617 mijë eurosh.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, mjedra më së shumti eksportohen në Gjermani, Serbi, Austri e Turqi.
Përvojat e kultivuesve të mjedrës
Kultivuesit e mjedrës punësojnë rreth 6,000 punëtorë gjatë një viti. Ata po përpiqen që të luftojnë për vendin e tyre në treg dhe siç thonë, po ia dalin mbanë.
Seat Shabani nga fshati Pllanjanë afër Prizrenit, ka një plantacion prej 60 ari të mbjellë me mjedra. Shokët dhe të afërmit që i ka në diasporë thonë se shpesh mjedrat e Kosovës arrijnë në vendet ku ata jetojnë.
“Kushëriri im punon në një fabrikë ëmbëlsirash në Gjermani. Ai shpesh më thotë se ai dhe kolegët e tij gëzohen jashtëzakonisht shumë kur marrin mjedrat tona [të Kosovës]. Për ta, mjedrat e Kosovës janë jashtëzakonisht cilësore, që është një mesazh shumë i mirë për ne që të vazhdojmë me këtë punë”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Pensionisti Bajro Alija ndihmon fqinjin e tij që të vjelë mjedrat.
Abidin Alija nga Skorobishti, afër Prizrenit, ka katër vjet që merret me kultivimin e mjedrës. Por, ai nuk është krejtësisht i kënaqur me çmimin e shitjes dhe thotë se çmimi i lëndëve të para bujqësore është rritur në mënyrë drastike.
“Vitin e kaluar kemi paguar 1.50 euro për një kilogram pleh, ndërsa tani paguajmë 4 euro. Ngjashëm është edhe më lëndët e tjera të para. Prandaj, shpresoj për një çmim më të mirë i cili duhet të jetë deri në 5 euro për kilogram”, thotë ai.
Mjedra si produkt strategjik i Kosovës
Kultivuesit e mjedrës në Kosovë thonë se janë të inkurajuar për vetë faktin se kushtet e eksportit po përmirësohen vit pas viti.
Ata, përmes shoqatës kombëtare “Mjedra e Kosovës” bashkëpunojnë edhe me Qeverinë e Kosovës.
“Jemi të kënaqur me [bashkëpunimin] Qeverinë, ajo është e gatshme që të na dalë në ndihmë, ta stimulojë prodhimin”, thotë Ismet Osmani, drejtor i kooperativës bujqësore “Ari i Kuq” nga Prizreni.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, Kosova ka eksportuar rreth 111 tonë mjedra në vlerë prej rreth 617 mijë eurosh.
Ai thekson se marrin subvencione, përkatësisht rreth 200 euro për hektar të mbjellë me mjedër.
“Kështu, mjedra bëhet produkt strategjik i Kosovës”, vlerëson Osmani./REL
Të tjera
-
Osmani kishte takuar djalin e Afrim Bunjakut dhe disa fëmijë të tjerë për nder të 1 Qershorit
Presidentja Vjosa Osmani kishte takuar disa fëmijë, përfshirë edhe djalin e h...
-
Vdes ish-komandanti i UÇK-së nga Drenasi, Zejnullah Prokshi
Komandanti i Brigadës 114 dhe bashkëluftëtari i Adem e Hamëz Jasharit e shumë...
-
Analiza e EUISS: Një sy vigjilent të mbahet në Veri, Perëndimi të angazhohet, ndryshe ka rrezik për eskalim
Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë kanë publikuar një ana...
-
Gjenerali amerikan viziton Batalionin e Manovrimit në kampin e KFOR-it në “Novo Sellë”
Shefi i Stafit të misionit të KFOR-it, gjenerali amerikan Arthur J Graffer, k...
-
Reforma në Trafikun Urban, këto janë risitë që po synohen
Urban, po synohet që të unifikohet bileta e udhëtimit, blerja e autobusëve të...
-
52 aksidente brenda 24 orëve
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 aksidente trafiku me të lënduar, d...
-
Osmani takohet me dy zyrtaret amerikane në San Salvador, flasin për sigurinë e partneritetin mes dy vendeve
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me nën-sekretaren e Shte...
-
Deputetët serbë paguhen pa shkuar në seanca, mbi 300 mijë euro nga dhjetori i vitit 2022
Mbi 300 mijë euro është vlera e pagave të dhjetë deputetëve serbë nga dhjetor...
-
Uniformat policore, Sveçla: Serbia është përgjegjëse për tentativën e destabilizimit dhe aneksimit të veriut
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi policia dje n...
-
Iu gjeten 3 mijë euro false, arrestohet një person në Fushë Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjetur 34 kartëmonedha nga 100 euro të ...
-
Dhuratat që i shkëmbyen Kurti dhe Erdogan gjatë takimit në kompleksin presidencial turk
Kryeministri I Kosovës Albin Kurti është takuar sot me Presidentin e Turq...
-
Aksion i policisë në Leposaviq, konfiskohen dhjetëra uniforma të policisë serbe
Policia e Kosovës gjatë të premtes pasdite ka përfunduar aksionin policor...