Fokus

Argumentet skandaloze të AKP-së që kërkon nga Gazeta Infokus të fshijë hulumtimin për deklarimin e rrejshëm të pagave nga bordi i drejtorëve të Agjencisë

Autori: Gazeta inFokus 16:36 | 07 September 2022

Gazeta Infokus të martën, ka publikuar “kërcënimin” e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP) të cilët pas publikimit të hulumtimit, “Deklarim i rrejshëm: Si e mashtruan Agjencinë Kundër Korrupsion bordi që Albin Kurti zgjodhi në Agjencinë e Privatizimit”, kanë kërkuar në mënyrë të prerë që ky artikull të fshihet nga Gazeta Infokus.

Në paragrafin e parë të kësaj shkrese drejtuar Gazetës, AKP-ja thekson etikën gazetareske duke thënë se gazetari nuk është konsultuar dhe nuk e ka njoftuar fare AKP-në për këtë artikull. Por kjo nuk është e vërtet pasi artikulli i Gazetës Infokus është i bazuar në dokumente të AKP, pas kërkesës për qasje në dokumente, listës me shifrat e pagave mujore që i është dërguar redaksisë pikërisht nga AKP-ja si dhe në formularët e deklarimit të pasurisë dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Po ashtu Gazeta Infokus përsëri ka kontaktuar me zyrën për informim të AKP-së për të parë nëse në këtë periudhë ka pasur rritje të pagave në AKP, bazuar në shifrat dhe pagat me kontratë të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-të dhe deklarimit të pagës së tyre në AKK të cilat nuk përputheshin me njëra tjetrën. Për këtë komunikim zyrtar Gazeta Infokus posedon edhe e-mailin të cilin e ka publikuar edhe si dokument brenda artikullit të cilin AKP-ja ka urdhëruar të largohet.

-Advertisement-

Në këtë e-mail thuhet se bordi i Drejtorëve ka filluar mandatin nga data 6 gusht 2021 dhe se deklarimi i pasurisë është bërë vetëm për pesë muaj. Në këto sqarime të pretenduara nga AKP-ja zbulohet se ka anëtar të bordit të drejtorëve që paguhet trefish më shumë se sa vetë kryesuesi i bordit të Drejtorëve.

Një pagë prej 21,772.88 euro në vit ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK, anëtari i bordit të AKP-së,  Avni Ajdini, i cili për 5 muaj siç po pretendon AKP-ja se është periudha kohore e këtij deklarimi, atëherë i bie se Ajdini është paguar mbi 4 mijë euro në muaj. E që në bazë të kontratës në AKP, paga e tij është 1 mijë e 723 euro.

DEKLARIMI I ANËTARIT TË BORDIT AVNI AJDINI NË AKK

 

 

 

 

 

 

 

PAGA E AJDINIT SIPAS AKP-së

 

 

Me këto sqarime të cilat zbulojnë detaje edhe më të rënda e që përsëri tregojnë kontradikta të mëdha në deklarimin e pagës vjetore dhe pagave në bazë të kontratës të anëtarëve të bordit, AKP-ja ka akuzuar pa asnjë bazë Gazetën Infokus për prishje të imazhit të personave të apostrofuar në hulumtimin e saj.

Përveç këtij rasti edhe pse me kontratë të gjithë anëtarët e bordit kanë pagë të njëjtë pra 1,723 euro, paga vjetore që kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, tregon se shumica prej tyre nuk kanë deklaruar këtë shifër, madje ata pa asnjë hezitim kanë deklaruar se paguhen edhe më shumë, e gjithë kjo pra bazuar në vetë deklarimet e tyre për pagën vjetore në formularët për deklarimin e pasurisë në AKK.

Tutje në këtë urdhër për largimin e lajmit, përsëri nga AKP-ja kanë treguar se sa paguhen kryesuesi, zëvendës kryesuesja e anëtarët e bordit të drejtorëve e kjo përveç që nuk përputhet me deklarimin që të njëjtit kanë bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por nuk përputhet as me deklaratat publike të kryesuesit, Nazmi Mikullovci në media. E edhe formulari për deklarimin e pasurisë në AKK konkretisht të pagës vjetore mban data të tjera, që sjellin përsëri konfuzion se deklarimi i pagës mund të jetë për 8 muaj dhe jo për 5.

Mikullovci në një intervistë në Kallxo.com duke u thirrur në rregulloren e re të pagave që ka hyrë në fuqi nga 1 tetori, 2 muaj pasi ky bord mori mandatin ka dhënë shifra të tjera të pagave. Ai madje këto shifra të pagave i arsyeton me përgjegjësinë e madhe që ka ky bord e që nuk krahasohet sipas tij me përgjegjësitë që kanë bordet e tjera.

“Kryesuesi e ka (pagën) 2, 620 euro, zëvendës kryesuesi 2, 318 dhe anëtari 2,016. Më lejoni të sqaroj diçka këtu. Bordi i AKP-së është tjetër prej të gjitha bordeve, sepse është mbikëqyrës sikur të gjitha bordet tjera por edhe në të njëjtën kohë është edhe bord ekzekutiv. Ne marrim vendime për çmime për shitje dhe ka një përgjegjësi shumë më të lartë në krahasim me bordet e tjera”, ka deklaruar Mikullovci.

Në vazhdim Gazeta Infokus ju sjell dokumentin që AKP-ja i ka dërguar redaksisë pas kërkesës për qasje në dokumente publike, ku vërehet qartë se ka ndryshim të shifrave nga ajo çfarë është deklaruar në AKK e në media.

Se sa paguhen bordi i drejtorëve të AKP-së janë dhënë tre shifra të ndryshme. Shumë tjetër jepet nga këta zyrtarë në deklarimin e pagës vjetore në AKK, tjetër shifër i është dhënë Gazetës Infokus pas kërkesës për qasje në dokumente publike konkretisht listën e pagave dhe shifër tjetër ka dhënë kryesuesi i këtij bordi në intervistat e tij në media.

E si përfundim AKP-ja urdhëron Gazetën Infokus të largojë hulumtimin me kinse sqarime të cilat vetëm ngrisin edhe më shumë dyshime, se Bordi i drejtorëve të këtij institucioni nuk e kanë idenë as vetë se sa paguhen apo sa është realisht paga që marrin.

Por shkresa e AKP-së drejtuar Infokusit nuk ndalet me kaq, ata pretendojnë se dokumenti që i kanë dërguar redaksisë ka qenë me rregulloren e re për pagat, të njëjtën rregullore të cilën kryesuesi i bordit e përmend edhe në intervista në media por që shifrat e pagave nuk janë të njëjta.

Gazeta Infokus ka raportuar edhe më herët për pasurinë e majme të anëtarëve të bordit të AKP-së, kjo sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2022.

Krejt këto raportime janë bazuar në dokumente zyrtare, të institucioneve të Republikës së Kosovës, në formularët e deklarimit të pasurisë së vet anëtarëve të bordit të AKP dhe në përgjigjet e AKP pas kërkesës së Gazetës Infokus për qasje në dokumente zyrtare./Gazeta Infokus/

 

3537-Kerkese-per-gazeta-Infokus

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera