Lajme

Arbitrazhi vendos për rastin e Telekomit dhe ‘Paykos’

Autori: Gazeta inFokus 13:20 | 04 January 2024

Arbitrazhi Ndërkombëtar i Zvicrës ka vendosur në favor të Telekomit të Kosovës në rastin e kontestuar nga kompania private “Paykos”.

Vendimi i Arbitrazhit Ndërkombëtar është lëshuar të mërkurën e 27 dhjetorit, ka thënë Telekomi në një njoftim për media të enjten.

Sipas komunikatës së ndërmarrjes publike të telekomunikimit, vendimi i Arbitrazhit i ka dhënë të drejtë qëndrimeve të Telekomit në raport me kontratën me “Paykos”.

-Advertisement-

Kontesti ndërlidhej me një kontratë për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”. Kjo kontratë ishte shkëputur njëanshëm nga Telekomi.

“Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, njofton aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015”, thuhet në njoftim.

“Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Telekomi.

Vendimi i Arbitrazhit e detyron kompaninë “Paykos” t’ia paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro.

“Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces”, ka thënë Telekomi në komunikatë.  “E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka inicuar një proces të dytë.”

“Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim”.

Për t’u mbrojtur në Arbitrazh ndaj kompanisë “Paykos”, Telekomi i Kosovës kishte angazhuar studion ligjore “Baker McKenzie” me bazë në Vienë, me një kontratë në vlerë 225 mijë euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera