Lajme

Arben Vitia dhe Përparim Rama në përballje parafinale

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 10 November 2021

Edhe katër ditë na ndajnë nga përballja e Përparim Ramës dhe Arben Vitisë për Prishtinën, në raundin e dytë të zgjedhjeve. Por, para kësaj përballje kjo dyshe ka vendosur që sonte të ballafaqohen në një debat televiziv me pretendimet që t’i bindin qytetarët se pse ata janë të duhurit për të qeverisur në kryeqytet.

Gjatë fushatës për raundin e parë, Përparim Rama e Arben Vitia u përballën vetëm në një debat televiziv, por që në këtë debat ishin të pranishëm edhe kandidatët e partive tjera. Kurse në këtë raund Rama e Vitia janë dy mundësitë e zgjedhjes për qytetarët e kryeqytetit.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, fushatën e tij për zgjedhjet lokale 2021 e kishte filluar muaj më parë.

-Advertisement-

Ndryshe nga Rama, kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, kandidaturën e tij e për kryetar të Prishtinës e zyrtarizoi vetëm 11 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të organizojë raundin e dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Në raundin e parë i cili u mbajt më 17 tetor, asnjëri prej kandidatëve të Prishtinës nuk arriti të grumbullonte më shumë se 50 për qind të votave, por ata që dolën të parët në këtë raund ishin pikërisht Rama e Vitia, duke lënë prapa kandidatët nga partitë tjera. Kjo bëri që në këtë komunë të organizohet edhe raundi i dytë i cili do të mbahet këtë të diele.

Përgjatë fushatës këta dy kandidatë kanë shpalosur planet e tyre për Prishtinën, por asnjëherë nuk kanë kaluar në ofendime personale ndaj njeri-tjetrit. Por, një video e publikuar nga Arben Vitia para pak ditësh nxiti shumë reagime. Në këtë video Vitia ironizoi me Ramën, e kjo u cilësua edhe si kundër-fushatë ndaj tij. Pas kësaj ka reaguar Përparim Rama, i cili në një studio televizive ka deklaruar se ka humbur respektin për kundërkandidatin e tij.

Te dielën e 14 nëntorit pritet të mësohet se cili nga këta të dy kandidatë do të jetë në krye të Prishtinës për katër vitet e ardhshme./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera