Fokus

Arban Abrashi nuk e paguan borxhin, rruga Prishtinë-Mitrovicë mbetet e bllokuar

Autori: Hateme Smajli 11:12 | 10 December 2020

Rruga është gati. Por edhe pse kanë përfunduar të gjitha punimet, qytetarët nuk po mund ta shfrytëzojnë magjistralen e re me katër korsi Prishtinë-Mitrovicë, shkruan Gazeta inFokus.

Projekti që kushtoi mbi 2.7 milionë euro, është bllokuar nga kompania e cila i kreu punimet nga hyrja e qytetit të vushtrrias e deri në dalje të saj.

Në një intervistë për Gazetën inFokus, Drejtori i “Sallahu SH.P.K”,  që ka ndërtuar këtë rrugë, Lulzim Sallahu ka thënë se nuk e ka ndërmend ta lejoj shfrytëzimin e rrugës derisa Ministria e Infrastrukturës nuk ia paguan borxhin prej afro gjysmë milion eurosh.

-Advertisement-

Sipas Sallahut shuma e projektit i cili ka nisur në kohën kur Pal Lekaj ishte ministër i Infrastrukturës, ka qenë 2 milionë e 670 mijë euro prej të cilave Ministria nuk u ka paguar atyre plot 430 mijë euro.

“Ne nuk do ta lirojmë rrugën derisa të na bëhet e tërë pagesa”, ka deklaruar drejtori i kësaj kompanie.

Sallahu ka thënë se kanë bërë kërkesë tashmë disa herë në ministri por ende nuk i kanë marrë paratë për punën që kanë bërë.

“Rrugën e kemi bllokuar për shkak se nuk na kanë bërë pagesën dhe deri sa të bëhet kjo pagesë ne nuk e lëshojmë rrugën, shuma e pagesës që nuk e ka bërë ministria është 430 mijë euro. 204 mijë euro janë punët shtesë ndërsa pjesa tjetër është pjesë e projektit kontratës të parë. Kërkesën për punët shtesë e kemi bërë qe 5 muaj në Ministri por ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Krejt problemi është të Valmira Bllaca, zyrtarja e prokurimit, se ajo nuk po i kryen punët, më herët i kemi bërë një kallëzim penal që i ka bërë disa shkelje me një projekt tjetër e tash tu u mundu me qëllim me tendencë me na blloku, i ka nja 5 muaj që jemi kështu të bllokuar. Ligjërisht ne na takon ta mbajmë të bllokuar derisa të na kryhet pagesa”, ka deklaruar ai në detaje për Gazetën inFokus.

Mirëpo të njëjtën nuk po e thonë edhe nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan Gazeta inFokus.

Malë Lokaj, u.d Drejtori i menaxhimit të rrugëve ka thënë për Gazetën inFokus, se kanë mbetur pa u paguar vetëm edhe punët shtesë të cilat i ka bërë kompania dhe sipas tij rasti është në procedurë.

“Operatori ka bërë kërkesë për pagesën e punëve shtesë që ka kryer dhe rasti është në procedurë”, ka thënë shkurt Lokaj.

E drejtori  i kompanisë punëkryese, Lulzim Sallahu po vazhdon të akuzojë Drejtoreshën për Prokurim në këtë ministri, Valmira Bllaca, pasi sipas tij është ajo që i ka zvarritur punët e madje shumën e ndarë për këtë kompani e ka quar diku tjetër.

“Kërkesën për punë shtesë e kemi bërë në muajin e nëntë të vitit të kaluar, por Valmira Bllaca i ka neglizhuar, ne kemi bërë kërkesë disa herë, pastaj kur është formuar komisioni që në muajin e 5 të vitit 2020, komisioni në muajin e 6 i ka pranuar të gjitha punët shtesë, por prapë pagesa nuk është bërë. Edhe i ka pranuar edhe ka shkuar me procedurë për prokurim për me u lidh aneks kontrata por përsëri Valmira nuk e ka lidh aneks kontratën dhe kanë qenë të zotume mjetet që do të na ndahen, ndërsa sivjet Valmira këto mjete i ka përdor për diçka tjetër dhe nuk e ka lidh fare aneks kontratën për punë shtesë edhe pse është pranuar nga komisioni”, ka përfunduar Sallahu.

Ndërsa Gazeta inFokus ka tentuar të kontaktoj edhe me ish drejtoreshën e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Valmira Bllaca të cilën po e akuzon kompania që ka kryer punën, mirëpo nuk ka qenë e mundur.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Infokus ajo ka dhënë dorëheqje në fillim të vitit 2020./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera