Lajme

Aprovohet tërheqja e një viktime nga procedurat në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ishte e shqetësuar për sigurinë

Autori: Gazeta inFokus 13:27 | 25 April 2025

Në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është aprovuar tërheqja e një viktime pjesëmarrëse në këto procedura.

Mbrojtësi i viktimave kishte njoftuar me 17 mars 2025 që kjo viktimë dëshiron që të tërhiqet nga këto prcedura. Arsyeja e kësaj tërheqje lidhej me shqetësimet për sigurinë.

Më vendimin e tij për miratimin e tërheqjes, trupi gjykues kishte thënë se viktimat nuk duhet të detyrohen të vazhdojnë të marrin pjesë në procedura në rast që ato nuk dëshirojnë, raporton Betimi për Drejtësi.

-Advertisement-

Si rrjedhojë, ata kishin verifikuar nëse viktima e kishte bërë këtë tërheqje me vullnetin e tij dhe si rrjedhojë e kishin miratuar atë kërkesë në vendimin e 23 prillit 2025.

Ndryshe, me 14 prill 2025, trupi gjykues ishte njoftuar nga mbrojtësi i viktimave se një viktimë pjesëmarrëse ishte ndarë nga jeta dhe si rezultat, aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë rast është 152.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera