Lajme

Apeli vërteton lirimin e ish-drejtoreshës së Inspekcionit dhe ish-inspektorit të ndërtimit në Suharekë

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 17 March 2024

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, përmes të cilit më 31 gusht 2023, ish-drejtoresha e Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi-Lumi dhe ish-inspektori i ndërtimit Hafir Maliqaj, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore– Departamenti për Krime të Rënda në Prizren, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda…, të datës 14.09.2023, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndaj aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren duke propozuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Ndërkaq, përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka parashtruar mbrojtja e Rrafshi-Lumit dhe Maliqajt, duke i propozuar Apelit që vendimi i shkallës së parë të vërtetohet, kurse ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Në vendimin e Apelit, thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren nuk qëndrojnë dhe se vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale që do kushtëzonin anulimin e aktgjykimit.

Sipas Apelit, Themelorja në Prizren drejt ka gjetur se Prokuroria ka dështuar të dëshmojë se cilat janë detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e të akuzuarve Rrafshi-Lumi dhe Maliqaj dhe se në çfarë mënyre ata i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Gjithnjë sipas Apelit, nga provat materiale dhe personale-dëshmitarët, nuk është arritur të vërtetohet se të akuzuarit Rrafshi-Lumi dhe Maliqaj kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja drejt ka vepruar kur ia ka falur besimin e plotë të akuzuarës Rrafshi-Lumi, pasi që në mënyrë kronologjike ka sqaruar se cilat veprime ka ndërmarrë për rrënimin e objektit afarit të investitorit Blerim Gashi dhe se deklarimet e saj janë ndërlidhur me të gjitha provat materiale të administruara.

Po ashtu sipas Apelit edhe me të akuzuarin Maliqaj, Gjykata Themelore në Prizren ka vepruar drejt, pasi që si inspektor i ndërtimit ka qenë i detyruar të respektojë vendimin e kryetarit të Komunës lidhur me rastin e rindërtimit të objektit me investitor “Viva Fresh”.

Andaj, sipas Apelit, me asnjë provë nuk është vërtetuar se të akuzuarit përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare të kenë përfituar për vete apo për tjetrin dobi pasurore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohej me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohej me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Lumi, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje në parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ”, në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3, pika 3.6 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vetë më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit duhej ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmarrë masa që investitorit t’i lejojë afat për rrënim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera