Lajme

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarve për vrasjen në restorantin “Shega”

Autori: Gazeta inFokus 11:20 | 02 November 2021

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur ndaj të akuzuarve Besim e Besart Istrefi, për vrasjen në restorantin “Shega”, në maj të 2014-ës.

Në aktgjykimin e shkallës së dytë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Nasuf Nasufi, ndaj vendimit të shkallës së parë.

Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesës së prokurorisë dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

-Advertisement-

Tutje, në vendim thuhet se është vërtetuar se vrasja e L.S nga ana e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi është bërë nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, ndërsa sipas kësaj gjykate për vrasjen e N.G nuk ka mundur të vërtetohet se nga cila armë e ka marrë plagën dhe se a e ka marrë brenda apo jashtë restorantit “Shega”.

“Bazuar në provat të cilat janë arsyetuar drejt nga gjykata e shkallës së parë dhe të analizuara drejt nga gjykata e shkallës së dytë, është vërtetuar se vrasja e L.S nga ana e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi është bërë nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, ndërsa sa i përket vrasjes së N.G, nuk ka mund të vërtetohet se nga cila armë e përdorur i njëjti e ka marrë plagën dhe se këtë plagë a e ka marr brenda a po jashtë restorantit “Shega””, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se është vërtetuar edhe dënimin për të akuzuarin Besart Istrefi, për armëmbajtje pa leje, pasi sipas kësaj gjykate i njëjti e ka pranuar fajësinë.

Kurse, për të akuzuarin Jeton Saraqi , Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk është vërtetuar se i njëjti ka shtënë me një pistoletë me ngjyrë të zezë në drejtim të Besim dhe Besart Istrefit.

Ndërsa, sa i përket për veprën penale të “falsifikimit të dokumentit”, më të cilën është ngarkuar Jeton Saraqi, kjo gjykatë ka vlerësuar se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, e kishte shpallur fajtor për vrasje, të akuzuarin Besim Istrefin dhe e kishte dënuar me shtatë vjet burgim, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Më 11 prill 2019, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim, pasi kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për çka kishte vlerësuar se ndikojnë në vërtetimin e gjendjes faktike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera