Lajme

Apeli merr vendim për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë

Autori: Gazeta inFokus 12:34 | 14 December 2023

Gjykata e Apelit, me vendimin e 13 dhjetorit 2023, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur sepse ekzistojnë arsye të besueshme se nëse të pandehurit gjenden në liri, do të arratisen dhe do të mund të largohen nga vendi.

Aty thuhet se pas vendimit të Themeloresm mbrojtësi i të dyshuarit Murseli, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.

-Advertisement-

“Mbrojtësi i të pandehurit N.M avokati A.A, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPP-së dhe shkeljes së dispozitave të Konventave Ndërkombëtare, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës ta aprovoj si të bazuar ankesën e tij, ta prish aktvendimin e ankimuar, dhe të mbrojturit tim të ia ndërpres masën e paraburgimit dhe të njëjtit ti mundësohet mbrojtja në liri apo ta ndryshoj, ashtu që t’i shqiptohet ndonjëra nga masat alternative të përcaktuara ne nenin 171 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.

Sipas ankesës së avokatit Ahmeti, në shkresat e lëndës nuk ka prova të cilat do të arsyetonin caktimin e paraburgimit mbi këtë bazë.

“Arsyeja e dytë e caktimit të paraburgimit bazohet në nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, se gjoja ekziston rreziku se i pandehuri do të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim dhe për shkak të faktit se gjoja i pandehuri ka ikur nga vendi i ngjarjes.”, citohet të thuhet në ankesën e avokatit.

Tutje, sipas Apelit, mbrojtja e Murselit pretendon se në arsyetimin për masën e paraburgimit në të cilën thuhet se ekziston mundësia për asgjësim, fshehje apo falsifikim të provave, avokati Ahmeti thotë se nuk qëndrojnë këto rrethana.

“Arsyeja e tretë si arsyetim i mbështetur në nenin 184 paragrafi 1 pika 1.2.2 të KPP-ës për caktimin e masës së paraburgimit-mundësia e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit ose falsifikimit të provave të veprave penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se i mbrojturi do të pengoj rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar eventual, ose në bashkëpjesëmarrësit, nuk qëndron asesi”, thuhet po ashtu në ankesë.

Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Murseli.

Ndryshe, të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera