Lajme

Apeli ia ashpërson dënimin të akuzuarit për aksidentin ku humbën jetën mjeku dhe shoferi i autoambulancës

Autori: Gazeta inFokus 17:17 | 25 April 2023

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, duke ia rritur dënimin në 7 vite burgim të akuzuarit Kastriot Prenecaj, i akuzuar se më 30 qershor 2022 në Gjakovë, shkaktoi aksidentin ku humbën jetën mjeku M.S dhe shoferi i autoambulancës S.Gj.

Gjykata Themelore në Gjakovë në nëntor të vitit 2022 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Prenrecaj për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, duke e dënuar me 5 vite e 6 muaj, në të cilin do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim, si dhe i ishte shqiptuar dënimi plotësues- ndalimi i drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 3 viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij aktgjykimi, kishin parashtruar ankesë përfaqësuesit e palës së dëmtuar Naim Salihu, avokati Meshari Selimaj në lidhje me lartësinë e dënimit, si dhe avokati Korab Bokshi, përfaqësues i palës së dëmtuar Gëzim Gjini dhe atë në lidhje vendimin mbi sanksionin penal, si dhe shpenzimet e procedurës penale.

-Advertisement-

Që të dy kishin kërkuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë.

Pas kësaj, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e përpiluar më 14 prill 2023, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, duke ia rritur dënimin të akuzuarit nga 5 vite e 6 muaj, në 7 vite burgim.

Gjithashtu, të akuzuarit Prenrecaj i ka shqiptuar dënimin plotësues, marrje e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Pretendimet ankimore të paraqitura në ankesat e përfaqësuesve të autorizuar të të dëmtuarve për shqiptimin e një dënimi më të rëndë ndaj të akuzuarit, kolegji penal i Gjykatës së Apelit, i ka vlerësuar si të bazuara.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë, drejt i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, mirëpo sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate, rrethanat lehtësuese i ka mbivlerësuar, ndërsa ato rënduese vetëm i ka konstatuar, por nuk i ka vlerësuar në mënyrë meritore.

Pretendimet ankimore të paraqitura në ankesat e përfaqësuesve të autorizuar të të dëmtuarve për shqiptimin e një dënimi më të rëndë ndaj të akuzuarit, kolegji penal i Gjykatës së Apelit, i ka vlerësuar si të bazuara.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë, me rastin e matjes së dënimit ndaj të akuzuarit Prenrecaj, si rrethanë rënduese e ka konsideruar faktin se i akuzuari ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, aksident ky me fatalitet, i cili përfundoi me vdekjen e dy personave dhe tre të lënduarve, ku njëri prej tyre është akoma duke u trajtuar në QKUK- në Prishtinë.

Ndërsa, thuhet se si rrethanë lehtësuese gjykata ndër të tjera ka vlerësuar rrethanat personale të të akuzuarit, se i njëjti është në moshë të re, se nuk ka kryer vepër penale ndonjëherë, që te gjykata ka qenë njeri i sjellshëm, shkalla e përgjegjësisë së të akuzuarit, ngase vepra është kryer nga pakujdesia, ndërsa si rrethanë posaçërisht lehtësuese gjykata e vlerësoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari në shqyrtimin fillestar.

Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e lartcekura, gjykata i ka shqiptuar të akuzuarit dënimin si në dispozitivin e aktgjykimin të ankimuar, me bindje se me një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i dënimit.

Apeli thekson se një kostatim të tillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm, e konsideron edhe kjo gjykatë, mirëpo kolegji penal i Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë rrethanat lehtësuese i ka mbivlerësuar dhe se të njëjtat nuk janë të atij karakteri, që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi sikurse i është shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, duke pasur parasyshë peshën e veprës për të cilën parashihet dënimi 1 deri në 8 vite.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurorisa Themelore në Gjakovë, Kastriot Prenrecaj akuzohej se më 30 qershor 2022, në lagjen “Dardania” në Gjakovë, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Trafikun Rrugor dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar vdekjen e tani të ndjerëve M.S dhe S.GJ.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari, me veturën e tij bën kthim të pasigurt nga ana e djathtë në të majtë, në drejtim të lëvizjes së tij, duke ia marrë përparësinë e lëvizjes automjetit të autoambulancës, e cila ishte me drita vezulluese dhe alarm sinjalizues, ashtu që në pamundësi që t’i shmanget aksidentit, automjeti i ambulancës me pjesën e parë e godet veturën e të pandehurit, ku përveç dëmeve materiale, ndërrojnë jetë S.GJ, vozitës i autoambulancës, si dhe M.S mjek i cili ndodhej në këtë autoambulant.

Me këtë, Prenrecaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par 9, lidhur me par.6 dhe 1 të Kodit Penal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera