Lajme

Apeli e kthen në rivendosje rastin ndaj ish-kryeshefit të KPM-së të akuzuar për ryshfet

Autori: Gazeta inFokus 13:39 | 01 December 2021

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi.

Më 26 nëntor, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ishte konfirmuar aktakuza ndaj ish-kryeshefit dhe ish-drejtorit të KPM-së, të akuzuar për ryshfet si dhe iu ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e Apelit, siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu aprovohet si e bazuar dhe çështja i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rivendosje.

-Advertisement-

Bashkë me të akuzuarin Latifi, po akuzohet edhe ish-drejtorit i Administratës dhe Financave në KPM, Arben Bilalli, por që ai dhe mbrojtësi i tij, nuk kanë paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e të akuzuarit Latifi për hudhjen e aktakuzës, por kundër këtij vendimi brenda afatit ligjor kishte ushtruar ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Musliu.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, thuhet se aktvendimi i shkallës së parë duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje, për shkak se i njëjti sipas këtij vendimi është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas këtij vendimi, aktvendimi i shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës është kontradiktor, juridikisht i paqëndrueshëm si dhe i mangët.

Tutje, në këtë vendim thuhet se shkalla e parë nuk ka dhënë asnjë arsyetim se cilat janë ato prova nga të cilat do të rezultonte dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Latifi ka kryer veprën penale që i vihet ne barrë.

Gjithashtu, sipas këtij vendimi shkalla e parë pas kthimit në rivendosje të këtij rasti duhet t’i eliminojë shkeljet e pretenduara dhe pastaj të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

“Në rivendosje Gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminojë shkeljet e si përmendura, të shikojë a ka pezullim të procedurës penale, e sidomos të shqyrtojë edhe pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit dhe pastaj të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në fund të këtij vendimi.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke i thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilën ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera