Lajme

Apeli anulon vendimin e Themelores për dënimin me 500 euro gjobë ndaj avokatit për mungesë në seancë

Autori: Gazeta inFokus 16:30 | 21 April 2023

Gjykata e Apelit, e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila më 23 mars 2023, ndaj avokatit Gutaj ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumën prej 500 euro për mungesën në seancë gjyqësore.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren ndryshohet dhe se dënimi i shqiptuar në shumën prej 500 euro është anuluar.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Mirsad Badalli, avokat Esat Gunj, ashtu që ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për të Krime të Rënda, PKR.nr.203/2022 të datës 21.03.2023, dhe anulohet dënimi i shqiptuar me gjobë në shumën prej 500 € ndaj përfaqësuesit të palës së dëmtuar avokat Esat Gutaj”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Kundër vendimit të Themelores, në afat ligjor, avokati Gutaj kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas vendimit të Apelit, aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore , ngase gabimisht është zbatuar dispozita nga Kodi i Procedurës Penale (KPP) dhe se dënimi ndaj avokatit Gutaj duhet të revokohet.

Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, arsyetimit të aktvendimit ankimor dhe ankesës së avokatit Esat Gutaj, ka gjetur se aktvendimi i ankimuar duhet ndryshuar dhe dënimi me gjobë ndaj të avokatit Gutaj duhet revokuar, për shkak se aktvendimi i tillë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedures penale nga neni 384 par.2 pika 2.1 të KPPRK- së, pasi që në mënyrë të gabuar ka zbatuar dispozitën e nenit 304 par.1 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se, nga arsyetimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se përfaqësuesi i palës së dëmtuar Mirsad Badalli, avokati Gutaj, ishte dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, për shkak se i njëjti nuk kishte prezantuar në shqyrtimin fillestar edhe pse ishte i ftuar në mënyrë të rregullt përmes flete dërgesës së pranuar dhe mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Andaj, Apeli ka vlerësuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë për gjobitjen e avokatit Gutaj është i pabazuar dhe si rrjedhojë e interpretimit jo të drejtë të dispozitës procedurale të nenit 304 par.1 të KPP-së, pasi që kjo dispozitë ligjore nuk përfshin gjobitjen edhe të avokatit i cili mbron palën e dëmtuar.

Sipas Apelit, mos prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk shkakton ndonjë pasojë e cila e pamundëson mbajtjen e seancës dhe mbarëvajtjen e punës së gjykatës.

“Bazuar në dispozitat procedurale, prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar në asnjë moment nuk pengon zhvillimin e procedurës penale, e rrjedhimisht as mos prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk ka ndonjë pasojë që kishte shkaktuar pamundësinë e mbajtjes së seancës e shqyrtimit gjë që rrjedh edhe nga procesverbali i shqyrtimit të kundërshtimit të prova dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës i datë 21.03.2023 e që mos prezenca e përfaqësuesi të palës së dëmtuarit nuk ka shkaktuar pasojë në pengesën e mbarëvajtjes së punës së gjykatës.” thuhet në vendim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera