Aparatura “me tepricë” në QKUK

Autori: Gazeta inFokus
13:23 | 21 March 2023
Janë së paku dy aparatura në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilat me vite nuk përdoren – qoftë për mungesë të materialit, apo të stafit.
Për pasojë, pacientët duhet t’u drejtohen klinikave private në vend apo jashtë dhe të paguajnë shuma të caktuara parash.
Një përvojë të tillë është duke e kaluar Arben Pireva. Mjekët i kanë rekomanduar që fëmijës së tij t’ia bëjë analizën e klorit të djersës.
Me këtë përcaktohet nëse pacienti ka ose jo fibrozë cistike – sëmundje që prek kryesisht sistemin e frymëmarrjes dhe atë të tretjes.
“Në një kohë është bërë në laborator, aty në spital… Tash nuk po bëhet, për shkak të mungesës së preparateve. Kështu po më thonë”, rrëfen Pireva për Radion Evropa e Lirë.
“Duhet të bëhet privatisht, por edhe atje ishte me terminë. Duhet kohë dhe kushton”, thotë ai.
Në institucionet private shëndetësore, analiza e klorit të djersës kushton nga 80 deri në 150 euro.
Në Pediatri të QKUK-së gjendet aparati “Sweat-check” për këtë lloj analize, por ka më shumë se një vit e gjysmë që nuk përdoret, në mungesë të reagjentit, apo substancës që është e nevojshme për të detektuar praninë e një substance tjetër në organizëm.
“Mungesat kanë ndodhur, pasi për kohë të gjatë nuk ka pasur ofertues për furnizim me reagjentë. Tashmë është bërë zgjidhja dhe klinika pritet të furnizohet së shpejti”, thuhet në një sqarim me shkrim të QKUK-së, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Reagjentët për këtë analizë nuk janë pjesë e listës esenciale të barnave dhe duhet të blihen me anë të tenderit.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci, shpreh bindjen se kërkesat për furnizim me reagjentë të tillë janë bërë me kohë.
“Analizat duhet të bëhen [edhe privatisht], sepse kur nuk ka material, duhet të diagnostikohet fëmija. Por, nuk është problem i Klinikës së Pediatrisë”.
“Qe një vit e gjysmë, sa jam unë drejtoreshë, nuk është bërë analiza e klorit në djersë. Nuk është bërë, sepse nuk ka pasur material. Materiali është kërkuar, por nuk ka pasur ofertues për të”, thotë Grajçevci.
Një tjetër aparat që e posedon Pediatria, por që nuk përdoret, është bronkoskopi.
Në vlerë prej qindra mijëra eurosh, ai mbetet i paketuar nga viti 2018, për shkak të mungesës së stafit adekuat për të operuar me të.
Bronkoskopi ndihmon mjekët që të diagnostikojnë sëmundje të ndryshme të mushkërive – nga infeksionet deri te tumoret.
Nga QKUK-ja thonë se kjo aparaturë nuk është duke u përdorur për shkak të mungesës së mjekëve që dinë të operojnë me të.
“Klinika e Pediatrisë posedon aparatin bronkoskop për nevoja të repartit të pulmologjisë. Një doktoreshë e këtij reparti është duke u trajnuar në Klinikën e Pulmologjisë, derisa të mund të punojë në mënyrë të pavarur”, thuhet në shpjegimin e QKUK-së.
Sipas disave, mospërdorimi i bronkoskopit në Pediatri nuk shkakton ndonjë dëm.
Drita Telaku-Qosaj, pediatre në repartin e pulmologjisë së kësaj klinike, thotë se ka metoda të tjera për ekzaminim dhe diagnostikim, që e zëvendësojnë bronkoskopin.
“Ky aparat ndihmon, por, fatmirësisht, malinjitete nuk kemi [ose] kemi tepër rrallë dhe ka procedura të tjera diagnostikuese. Është CT-ja dhe të tjera, nuk është vetëm bronkoskopia”, thotë Telaku-Qosaj.
Pediatri Hajdin Ymeri, i cili prej vitesh punon në repartin e pulmologjisë në Klinikën e Pediatrisë, thotë se në rrethana normale, bronkoskopi është i domosdoshëm.
“Një aparaturë e tillë është ndihmesë në diagnostikim. Ai aparat përdoret te rastet e fëmijëve me të cilët mund të bashkëpunosh në proces – do të thotë te mosha 5, 6, 7 vjeç e tutje dhe potencialisht i mbron nga rrezatimet me rëntgen”, thotë Ymeri.
Klinika e Pediatrisë në QKUK nuk është e vetmja që posedon aparatura që nuk i shfrytëzon.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar për raste të ngjashme edhe në spitale rajonale të Kosovës.
Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës i kanë thënë më herët REL-it se bashkëpunojnë me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për blerjen e aparaturave, të cilat “profesionistët shëndetësorë i konsiderojnë të nevojshme”.
Por, një problematikë që e karakterizon sistemin shëndetësor të Kosovës prej vitesh, është edhe mungesa gjithnjë e më e madhe e stafit adekuat, apo largimit të tij.
Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2022, rreth 200 mjekë të profileve të ndryshme e kanë braktisur sistemin shëndetësor dhe kanë emigruar kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas kësaj ode, të larguarit ankohen kryesisht për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Të tjera
-
Kongresisti amerikan Torres për gjendjen në veri: SHBA duhet të jetë me Kosovën
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka reaguar sot rreth zhvillimeve të fund...
-
Fillon tubimi i serbëve afër komunës së Zubin Potokut, policia e KFOR’i blindojnë objektin
Herët në mëngjes Policia e Kosovës dhe KFOR kanë nisur barrikadimin e objekti...
-
Anulohet aktiviteti në kuadër të ushtrimit “Defender Evropë `23”
Ministria e Mbrojtjes, përmes një komunikate për media ka njoftuar se për shk...
-
Serbët kanë paralajmëruar edhe sot protesta në veri
Një ditë pas vandalizmit të shfaqur ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, serb...
-
BBC raporton për gjendjen në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj KFOR-it
Media britanike, BBC ka raportuar për situatën në veri të Kosovës dhe sulmet ...
-
Mediat serbe sulmojnë ashpër Vuçiqin: Fajtor kryesor për tensionet në veri të Kosovës
Mediat serbe janë hedhur në sulm ndaj Aleksandër Vuçiç. Në veri të Kosovës te...
-
Fillon pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Zubin Potok
Qysh nga ora 06:30 ka filluar pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR në k...
-
Reagon presidenti shqiptar: Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të veriut të Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar ndaj sulmeve të grupeve ser...
-
I bllokuar në zyrë, raportohet se kryetari i Leposaviqit do ta kalojë natën në objektin e komunës
Situata në veri ende nuk është qetësuar, pas tensioneve të ditëve të fundit. ...
-
Zeqiri: Nuk dalim nesër në zyre, ambasadori amerikan na qortoi
Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut, ka thënë se nesër, e martë, nuk do të ...
-
Analisti amerikan flet për tensionet në veri: Kurti fajtor, por jo sa Vuçiq
Analisti amerikan, Edward Joseph ka komentuar tensionet në veri të Kosovës, t...
-
Shefi i EULEX-it: Sot sundimi i ligjit u shkel në Kosovë
Shefi i EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, i është bashkuar reagimeve të ndërkombët...