Lajme

Anulohet seanca për rastin “Veteranët”

Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 16 January 2020

Telashet që ju paraqitën gjatë ditës së enjte avokateve më ID, ka bërë që të dështojë seanca e rastit “Veteranët”.

Problemin me ID të veteraneve e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, shkruan Gazeta inFokus.

Shkak i këtyre problemeve, në seancë nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi.

-Advertisement-

E në mungesë të avokatit të tij, Çeku tha se nuk pranon që të mbahet seanca.

Në seancë munguan edhe mbrojtësi i Qelë Gashit, avokati Gafurr Elshani, si dhe mbrojtësi i Fadil Shurdhajt, avokati Skënder Musa.

Mirëpo, mungesa e këtyre dy avokatëve, sipas klientëve të tyre, ka të bëj me arsye tjera, e jo me problemet me ID.

Derisa, i akuzuari Gashi pranoi që seanca të vazhdojë edhe pa avokatin e tij, i akuzuari tjetër Shurdhaj kërkoi që të shtyhet seanca, pasi që siç tha, në këtë seancë do të administrohen provat dhe e sheh të nevojshme që të jetë prezent edhe mbrojtësi i tij.

Lidhur me këtë, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se avokati Musa ka qenë i njoftuar për këtë seancë, e për mos prezencën e tij duhet të ndëshkohet.

Me situatën e krijuar, reagoi edhe mbrojtësi i Shkumbin Demaliajt, avokati Arianit Koci.

“Është e papranueshme që problemet e brendshme të Odës të ndërhyj gjykata dhe të na ndaloj hyrjen neve avokatëve. Kjo është fyerje për profesionin e lirë të avokaturës dhe me neve nuk bëhet lojë në këtë formë, që njëherë të na ndaloni e pastaj ta thirrni në telefon. Sidoqoftë, gjithmonë në janar është toleruar që të lejohet hyrja me kartelat e vitit paraprak në muajin e parë të vitit. Kjo është hera e parë që po ndodh. E keqja ma e madhe, e gjykatës, po shtyhet seanca sot, po zvarritet procedura dhe po pësojnë klientët tanë.” , tha Koci.

Fillimisht, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se do të njoftojë me telefon avokatin Gashi, se urdhri për ndalim të hyrjes në gjykatë për avokat është tërhequr.

Mirëpo, për këtë reagoi mbrojtësi i Nuredin Lushtakut, avokati Tahir Rrecaj, i cili tha se avokati Gashi është shumë i ofenduar dhe të njëjtit i kishte thënë se nuk kthehet më në gjykatë.

“Ramë Gashi është jashtëzakonisht i ofendum dhe nuk besoj që vjen sot. Edhe ne të gjithë jemi të ofenduar. Avokati Gashi tha se jam i ofenduar shumë dhe në asnjë rrethanë nuk vi sot. Këtë ja tha klientit të tij në prezencën time.”, tha Rrecaj.

Si përfundim, gjykatësja tha se në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së enjtes ndërpritet, për të vazhduar nesër, sipas agjendës së paraparë.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro../Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera