Sport

Anulohet në tërësi sezoni në basketboll, Fetahu e quan vendim të dhimbshëm

Autori: Gazeta inFokus 16:56 | 31 March 2020

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka njoftuar se sezoni aktual 2019/20 në të dy konkurrencat është shpallur i pavlefshëm, për shkak të përhapjes së pandemisë koronavirus. Fetahu e ka quajtur këtë vendimin më të dhimbshëm në mandatin e tij si kryetar.

Sezoni i cili ishte pezulluar përkohësisht tani është shpallur i pavlefshëm, që nënkupton se vendi nuk do të ketë kampion në basketboll këtë stinor, raporton Gazeta Express.

“Sot u detyrova që t’ia paraqes Bordit të FBK-së vendimin më të dhimbshëm të këtij mandati – atë të anulimit të garave të Superligave të Kosovës. Në kohë si kjo, kur vendi jonë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit dhe më gjerë duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit, dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në këtë frymë, Bordi i FBK-së ka vendosur sot njëzëri që të anulojë garat e edicionit 2019/20 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave në basketboll”, ka thënë Fetahu në një komunikatë për media.

-Advertisement-

Atij i vjen keq që duhet të cohet dëm një sezon që ka qenë shumë i fortë dhe garues.

“Për sportin tonë ky vendim është posaçërisht i dhimbshëm, duke qenë se u detyruam ta marrim atë në kulm të një edicioni garues me konkurrencë të fortë, me lojë të paparashikueshme në kuptim të rezultatit dhe në të cilin shikuesit e patën fjalën kryesore, gjë që dëshmohet me mbi 15.000 bileta të shitura gjatë javës së Final 8 të Kupës së Kosovës në Rahovec, me sallat e rimbushura plot anekënd Kosovës dhe me përcjelljen e interesin e shtuar mediatik ndaj sportit tonë të zemrës”, shtoi ai.

“Jemi të vetëdijshëm se skuadrat e superligave të Kosovës sivjet kanë bërë investime të konsiderueshme dhe kanë shfaqur nivel më të lartë organizativ dhe sportiv, sigurisht me pritjen që këto investime t’ju kthehen me kurorëzim të aspiratave të tyre sportive, por në rrethana kur kthimi në normalitet nuk është i parashikueshëm janë pikërisht këto klube që do të përfitojnë më së shumti nga vendimi i sotëm. Në nivel të federatës veprimtaria po vazhdon dhe në bashkërendim me autoritetet e Kosovës, FIBA dhe akterë tjerë po punojnë në përgatitjen më të mirë të mundshme për aktivitetet reprezentative dhe parapërgatitjen për kthimin në normalitet dhe tejkalim të kësaj gjendjeje. Megjithatë, shëndeti dhe mirëqenia janë gjithnjë në plan të parë dhe federata jonë do të udhëhiqet nga ky parim deri në fund të tejkalimit të kësaj situate”, përfundoi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera